Roman dashurie: Në kohë të duhur (33)

  • 13 December 2019 - 15:08
Roman dashurie: Në kohë të duhur (33)

Vajza e ndërrimit të paradites e priti mirë. Lena ishte e lumtur që më në fund ishte në gjendje që dikujt t’i ofrojë punë. –A je për kafe? – Po. Nëna dhe unë kemi punuar tërë natën, kështu që jam pa gjumë. E pasdite më duhet që ta nënshkruaj një kontratë në lidhje me shitjen e kompanisë së babait. Në fakt, Ganimetja dhe ajo me kujdes kishin shqyrtuar se çfarë të bëjnë me pasurinë e trashëguar. Atë shtëpinë me tulla të kuqe e kanë shitur pa menduar shumë. Menduan se kurrë nuk do të shkonin të jetonin në shtëpinë ku kishte jetuar babai i saj. Vilën në det nuk e shitën, nuk ishte e madhe, por ishte ideale për pushim. Aksionet i lanë, ndërsa vendosën që ta shesin kompaninë.

Shkuan në Paris për shtatë ditë dhe gjetën shumë ide të reja për kreacione. Nuk shpenzuan asnjë cent në gjëra të kora, të gjitha i investuan në punën dhe jetën e tyre. Vajza menjëherë shkoi në kafenenë në afërsi për t’ia sjellë një kafe shefes së saj. Albulena po i varte palltot në varëse dhe po i ngjiste çmimet në etiketat me inicialet e saj. Dera e butikut u hap dhe një zeshkane e gjatë dhe e bukur hyri brenda me plot vetëbesim. – Mirëdita. Po e shoh që kam ardhur në kohë që ta blej ndonjërën prej këtyre palltove të bukura. Lena nuk e njohu në fillim, por shpejt buzëqeshja e pronares së këndshme të butikut u shndërrua në një ngërç. Para saj ishte Sanija, femra me fustan të bardhë, dashnorja që e kishte shoqëruar të dashurin e saj gjatë udhëtimit në Egjipt. Sanija nuk e njihte atë, nuk i kujtohej vajza nga kokteji, e cila qëndronte pranë Petritit. –Ajo e bardha është shumë e mirë.

A mund ta provoj? – Natyrisht. Albulena u pendua që e dërgoi vajzën për kafe mu në kohën kur kjo erdhi për të blerë. E shikonte se si po e zhvishte pallton e saj të shtrenjtë dhe po e merrte pallton e bardhë nga lëkura. Në dorë po i shkëlqente një unazë. Kjo gjë e tronditi Albulenën. Sanija po shikohej në pasqyrë, e kënaqur me atë që po e shihte. –Shumë mirë, kjo është me të vërtetë e shkëlqyeshme. E blej menjëherë. Lena ia shtypi faturën, duke dëshiruar që sa më parë të mbetet vetëm. Por, Sanija nuk kishte para të mjaftueshme në kuletë për të paguar për pallton. – Me të vërtetë jam budallaqe. Si kam mundur të dal pa para? Por, tani burri im do ta rregullojë këtë punë. Shpresoj që nuk ka shkuar larg. E nxori mobilin nga çanta. Lena u ngri. Burri? Do t’ia sjellë paratë aty? Nëse është Petriti, çfarë të bëjë? Në fakt, ishte e sigurt se do të jetë Petriti, kush tjetër do të mund të ishte burri i saj.

Nuk dinte asgjë më për të, askund nuk e takonte. Të gjitha këto ishin shenja që unaza në orën e kësaj femre do të mund të ishte betimi i tij. – Alo zemër, ku je? A mund të vish te butiku ku hyra më herët, nuk kam para të mjaftueshme? Hajde, ngutu, të dua. E ndërpreu lidhjen dhe buzëqeshi e kënaqur. –E kam burrin më të mirë në botë, do të vijë menjëherë. Më pas Lenës iu desh që ta pyesë diçka, thjesht nga mirësjellja. Nëse tashmë i duhej që të flasë me këtë femër, mendoi që më së miri do të ishte që të bëhet fjalë për një gjë të dobishme. /Vijon/

(Kosova Sot Online)