Ngjarje e vërtetë: Si më ktheu në jetë vajza pas fatkeqësisë në trafik (3)

  • 13 December 2019 - 15:12
Ngjarje e vërtetë: Si më ktheu në jetë vajza pas fatkeqësisë në trafik (3)

Por, ai nuk më dëgjoi dhe vazhdoi të qante, duke mos pushuar së përsërituri fjalinë, nga e cila më pëlciste zemra: - Rri me mua, Jehona! Nuk dija sesi ta ngushëlloja, nuk kisha me çka. Naimi nuk mund ta dëgjonte zërin tim e as të ndiente prekjet e mia. - Mami, mami, ku je? Kam frikë! Zëri i vajzës sime më rrëqethi. Si e pamend fillova të shikoja përreth meje dhe, papritmas, sikur të isha duke shikuar nëpër një xham reflektues, e pashë atë. Ishte në shtëpi me një fqinje, e cila ia maste temperaturën. Donika dëneste, qante dhe shikonte me frikë vetëtimat që përcilleshin me murmurimë të zhurmshme. - Mami! Të lutem, eja. Uh, sa më dhemb barku! Jashtë janë disa përbindësha të këqij, që duan të hyjnë brenda.

Zemra më dhembte. Ishte kjo një dhembje, të cilën nuk mund ta duroja. U ktheva në sallën e operacionit dhe pashë trupin tim sesi dridhej në shtrat. E kishin lidhur në aparate dhe në monitor linja e EKG-së përsëri ishte në rregull. - Ia dolëm! – bërtiti një mjek. - Më nuk është në rrezik për jetë! – pohoi kolegu i tij. Të gjithë dukeshin të kënaqur, por unë e dija se ishte zëri i vajzës sime ai që më ktheu në jetë. Një mjek i ri dhe i buzëqeshur u nis nga salla e pritjes, që t’ia jepte lajmin e mirë burrit tim. Nëpër derën e xhamit e pashë atë sesi lutej për mua. Filloi të më merrte gjumi. Pasi kaluan disa minuta, as vetë nuk e di sa, u zgjova mu në momentin kur ishin duke më dërguar në repartin e kujdesit intensiv. Nuk ndieja asgjë, por e dija se, herët a vonë, do të më paraqitej dhembja. Por, nuk i frikësohesha kësaj. Derisa më shtynin nëpër korridor, Naimi u nis me vrap drejt meje, më kapi për dore dhe vazhdoi të ecte me mua. - Jehona… - pëshpëriste me lot në sy.

Nuk mund të flisja, por u mundova që t’i buzëqeshja, sa për ta qetësuar, edhe pse tërë kokën e kisha të lidhur me fasha, sikur të isha mumie. Edhe ai më buzëqeshi, duke harruar se, në të njëjtën kohë, ishin duke i dalë lotët dhe se, sa herë që e hapte gojën, lotët i hynin në gojë. - Më premto se nuk do të më lësh, Jehona. Se do të rrish me ne, dashuria ime – më tha me zë të ulët, i përkulur mbi mua. Doja të bërtisja e t’i thosha se nuk do t’i lë, se kurrë më nuk do të shkoja kaq larg. Se do ta lija punën dhe tërë kohën do ta kaloja me Donikën. Që, pa pasur obligime të tjera, çdo ditë do ta dërgoj në plazh, gjatë tërë verës. Se përsëri do të gatuaja darka të shijshme dhe do të arnoj çorape. Sesi do t’ia dalim edhe pa rrogën time dhe se, meqë engjëjt nuk më morën me vete, atëherë nuk u kishte mbetur asgjë tjetër, pos të më ruanin. Por, meqë nuk mund të bëja zë, vetëm lëviza gishtat në dorën e tij dhe gjëmova. Lotët vazhdonin të më rridhnin si krua, por kësaj here, ata ishin lot gëzimi! FUND.

(Kosova Sot Online)