Roman dashurie: Në kohë të duhur (35)

  • 15 December 2019 - 15:22
Roman dashurie: Në kohë të duhur (35)

KAPIULLI I TRIDHJETEDYTË

Gjatë qëndroi para derës së tij, duke u hamendur, ta thërriste, apo të hiqte dorë. Nga takimi me Sanijen dhe Metin kishin kaluar më shumë se një javë. Çdo ditë donte ta thërriste, por frikësohej se, në momentin e duhur, do të mbetej pa fjalë, duke mos mundur t'i tregonte pse e kishte thirrur. Dora i dridhej derisa i afrohej ziles. Kur e shtypi zilen, sikur ta kishte zënë rryma. Më nuk kishte zmbrapsje. Dëgjoi hapat e tij, disi të rëndë, sikur të mos donte që, në ato momente, ta pengonte kush. E më pas, ia hapi derën. Ishte këmbëzbathur, me rroba sportive. Flokët e shprishura tregonin se kishte qenë shtrirë. Paraqitja e saj e habiti. Goja i mbeti gjysmë e hapur, kurse me njërën dorë, me nervozizëm, lëmoi flokët, sikur për t'i rregulluar paksa. Albulena priste që në fytyrën e tij të shihte nervozizëm, apo neveri, se do të mbante distancë ndaj saj, se do t'ia bënte me dije që më kot kishte shkuar, se nuk kishte më vend për t'i rregulluar gjërat.

Por, në fytyrën e Petritit kishte vetëm huti, kurse në shikimin e tij, një shkëndijë gëzimi. - Albulena? Nuk mund të besoj... - Beso... A mund të hyj? Natyrisht, nëse je vetëm dhe nëse nuk të pengoj. Nuk do të rri shumë, vetëm disa minuta. Ta kam borxh një kërkim falje. Ai i bëri udhë që të hynte. U dridh, pasi që, në kalim e sipër, u prekën pak. - Ulu, ulu! A je për ndonjë lëng, kafe, çaj? - Jo, faleminderit. Erdha shkurt. Ai u ul përballë saj dhe filloi ta shikonte në sy. Ajo filloi ngadalë ta humbte guximin. - Pres të më tregosh për çka bëhet fjalë. - Petrit, unë... e pashë Sanijen. Dhe Metin. Çehrja e tij vazhdonte të ishte e njëjta. - Po, dhe? Ajo e lëshoi shikimin.

Ishte vështirë të duroheshin fjalët e tij. - Dhe, kuptova... jo krejtësisht, por e kam të qartë se ti nuk ke pasur asgjë me të në Egjipt. - Nuk kam pasur. U përpoqa të ta thosha këtë, por nuk më jepje rast. Tani nuk di çfarë efekti mund të ketë tërë kjo bisedë. - Po, vonë është për sqarime, e di këtë shumë mirë. Por, doja të të shihja dhe të të kërkoja falje, për shkak se nuk të besova. Isha e marrë. Ende vazhdoj të jem e marrë dhe naive. Ende shikoj dhe absorboj vetëm gjëra negative. Por, ti je princi im dhe i tillë mbete deri në fund. Erdha të ta them këtë. U ngrit, duke ndier se më nuk do të mund t'i përmbante lotët që ishin duke i ardhur. U nis kah dera, por ai papritmas me një lëvizje ia ngjiti për beli dhe e ndali. I ishte ngjitur nga prapa për trupi dhe i pëshpëriti në vesh.- Pse nuk më besove? Pse lejove që të mos të shoh për një kohë kaq të gjatë? (vijon) 

(Kosova Sot Online)