Ngjarje e vërtetë: Ai më mashtronte, e unë ia falja (2)

  • 15 December 2019 - 15:24
Ngjarje e vërtetë: Ai më mashtronte, e unë ia falja (2)

 Mirlinda? - zëri i Bekimit më ktheu në realitet. Kah i çove mendtë? Me gjasë je duke menduar se sa shumë do të kënaqemi kur... - Në hamam! - e ndërpreva me ashpërsi. Si mund të mendonte se do ta falja dhe do të vazhdonim aty ku kishim mbetur? - Fëmijët do të jenë të lumtur … - filloi ai përsëri, i bindur se do t'ia falja, në mos për tjetër, atëherë për hatër të fëmijëve. - Ha-ha-ha, fëmijët! - qesha unë me cinizëm. Ai natyrisht nuk e dinte që fëmijët ma mbanin anën mua. Si Hana, po ashtu edhe Lindi kishte kohë që më kishin thënë të ndahesha nga ai. Bile vajza më kishte thënë që ta gjeja dikë tjetër. - Nënë, grua e lirë je - më thoshte. - Pse nuk e gjen dikë, për të pasur me kë ta kalosh pleqërinë? Eh, sikur Bekimi ta dinte se çka mendojnë fëmijët e tij për të. Në sytë e tyre, ai kishte humbur çdo kredibilitet. - Bekim, me të vërtetë më vjen keq, por kjo nuk do të funksiononte. Më vjen keq nëse të ka mbaruar afera me atë me të cilën ike, por as këtu nuk ka vend për ty - i thashë përfundimisht, duke u ngritur në këmbë. Isha shumë e vendosur në atë që thosha. Çdokujt që do të na shikonte, do t'i ishte e qartë se Bekimi nuk kishte kurrfarë gjasash me mua.

Fundja edhe logjika thoshte se ashtu duhej të ishte. Cila grua do ta pranonte t'i kthehej burrit, i cili me vite të tëra nuk ishte interesuar për të? Por, Bekimi nuk dorëzohej. - E di, e di! Nuk e ke seriozisht ti! - më tha dhe m'u afrua me disa hapa. Ma kapi kokën me duar dhe më shikoi thellë në sy. Ndjeva aromën e kolonjës së tij. Oh, sa e marrë që jam, mendova. Cila grua do të binte pre e një sharmi kaq të cekët? Por, kur më afroi te vetja, u ndjeva si një qenie e pafuqishme, e paaftë që të bënte ndonjë gjë. I ndjeva buzët e tij në të miat dhe, e pat puna! Me një veprim kaq të thjeshtë, ai ia arriti ta fshinte tërë zemërimin dhe dhembjen time të grumbulluar. - Çka bëre?! - më bërtiti Hana kur ia dhashë lajmin e ri. Nuk doja që t'i tregoja për vizitën e të atit të saj me telefon, por e ftova që menjëherë të vinte te unë - Nuk mund të besoj. Thjesht, nuk mund të besoj! - përsëriste vazhdimisht duke tundur kokën nga habia. - Si munde ta lejoje që të kthehej? A harrove se sa të ka lënduar? A ke harruar se çka ke përjetuar për të? A harrove se të kishte bërë për spital?! Nuk kisha harruar asgjë. Dhe, nuk është se nuk isha hidhëruar me veten time, për shkak të dobësisë. Por, thjesht këtu nuk kishte çka të diskutohej. Desha a s'desha, më duhej ta pranoja dështimin: Bekimi kishte fituar sërish. - Nuk të kuptoj, nënë - në sytë e Hanës vërehej zemërimi. Më kritikonte haptazi. - Si mund të jesh kaq e dobët?! A të kujtohet se si më premtoje mua... se si i premtoje vetes, se kurrë më nuk do t'ia lëshoje sytë? Po ai të la për atë... për atë farë... Hana kishte një averzion të pashoq për të dashurën e Bekimit. Më kujtohet kur ishin takuar te Bekimi.

Pas njoftimit, Hana kishte ardhur me vrap në banesën time. - Si ka mundur të të lërë për atë shtrigë? Sikur ta shihje si ishte! Si shtrigë! - bërtiste ajo. Edhe tani Hana ishte po aq e zemëruar. - Zemër, qetësohu! - i thashë duke e përqafuar. Si mund t'ia shpjegoja se pikëpamjet e saj ndaj botës nuk ishin të njëjta si të miat? Ajo me tridhjetë vjetët e saj ende e kishte atë krenarinë dhe vendosmërinë që ta kërkonte drejtësinë. E, unë, me pesëdhjetë e ca vite të miat, nga pak isha e lodhur nga të gjitha. E vetmja gjë që doja, ishte një jetë e qetë. Bekimi më mungonte më shumë sesa që isha në gjendje ta pranoja. Tani, kur ai ishte i gatshëm të më kthehej, thjesht nuk mund ta refuzoja. Natyrisht se e dija që ai nuk e kishte merituar mirëkuptimin tim, e as faljen, por mendja më thoshte diçka, e zemra diçka krejt tjetër. - Pse tani ne të dyja të grindemi rreth kësaj gjëje? Më tha se dëshiron të kthehet në shtëpi, e meqë shkurorëzimi ende nuk ka përfunduar, ai ka të drejtë ligjore që të kthehet. Çka do të fitoja sikur të grindesha me të? - mundohesha të arsyetohesha para Hanës. Derisa i flisja, mundohesha që të tingëlloja sikur "nuk ma ndiente", sikur për mua të ishte njësoj, u kthye ai apo nuk u kthye. Por, Hana ishte tepër e mençur që ta besonte këtë. - Nuk e lejove ti të kthehet për shkak të asaj se ai paska të drejtë ligjore. Ti mezi pret që ai të të kthehet. Por, nënë, ky është një gabim i madh. Mbaje mend këtë që po ta them: dikush që të mashtron një herë, ka shumë të ngjarë që këtë të ta bëjë përsëri! (vijon)


(Kosova Sot Online)