Ngjarje e vërtetë: Ai më mashtronte, e unë ia falja! (3)

  • 16 December 2019 - 15:06
Ngjarje e vërtetë: Ai më mashtronte, e unë ia falja! (3)

E kafshova buzën. Eh, vetëm po ta dinte Hana. Ajo mendonte që ky ishte mashtrimi i parë i Bekimit. Çfarë do të thoshte po ta dinte që ajo dhe vëllai i saj Lindi e kanë një gjysmë-vëlla, të cilin babai i tyre kurrë nuk e kishte pranuar si të tijin? A do të mund të ma falte faktin që nuk i kam treguar? - Unë me të vërtetë nuk të kuptoj nënë - më tha Mirlinda, duke më shikuar me sytë e saj të gjelbër sikur dëshironte që të më shponte me atë shikim. - Pse ia fal të gjitha gabimet? Çfarë gruaje je ti? A nuk mund t'i thuash thjesht "jo"? Fillova të mendoj pas pyetjes së saj. A kam mundur t'i them "jo" babait të saj? Si duket jo. As sot, as kur kemi qenë të rinj. Sa mund të kujtohesha, gjithmonë kam gjetur justifikime për gabimet e Bekimit. Më kujtohet, isha në muajin e tetë të shtatzënisë me Hanën, kur mësova për herë të parë se Bekimi po më mashtronte. Për t'u bërë edhe më keq, edhe atë herë e kishte kuptuar edhe nëna ime. - Pse nuk ndahesh nga ai pis derisa ke ende kohë? Në fakt, është dashur që ta bësh një gjë të tillë para se të mbetesh shtatzënë! Si do ta rrisësh tani vetëm? - tha nëna ime, ndërsa në sytë e saj vërehej urrejtja ndaj Bekimit. Sapo i kishin mbërritur thashethemet që dhëndri i saj ishte duke pështjellur diçka me një kameriere, erdhi tek unë me fytyrë të kuqe. Derisa po bërtiste dhe po e mbante kokën me duar, unë vetëm po qaja.

- Lotët nuk do të të ndihmojnë - më tha duke bërë që unë të qaj edhe më fort. E dija që ka të drejtë. - Vetëm po të më kishe dëgjuar, tani nuk do të kishe nevojë ta godasësh kokën. Secili njeri normal në fillim e ka vërejtur se çfarë pisi është Bekimi. Të gjithë, përveç teje! Provova që t'i bllokoj ndjenjat, por pa sukses. Më e keqja ishte që edhe unë vetë që nga fillimi e kam ditur se çfarë personi është Bekimi. Kishte flokë të gjatë, xhaketë të lëkurës dhe xhinse të ngushta, nuk shkonte në shkollë, nuk punonte, xhepat i kishte gjithmonë të zbrazët, kështu që rrallë ndodhte që të ma qerasë ndonjë pije. Mbi të gjitha, ishte e dukshme që femrat i kishte pikë të dobët. Edhe pasi që filluam lidhjen, ai dilte ende me vajza të tjera, duke më bindur se me to nuk ka asgjë, dhe se nuk e do askënd tjetër përveç meje. Ngjarjen me kamerieren ia fala, por ajo megjithatë nuk pati një fund të lumtur. Në fakt, kamerierja kishte mbetur shtatzënë dhe tetë muaj pas meje ia lindi një fëmijë Bekimit. Këtë e kuptova kur u paraqit në derën tonë me një djalë në duar. Bekimi as që deshi që të dëgjojë për të, por unë e dija se është i tiji sepse i ngjante shumë. Natyrisht, nuk i tregova askujt. Ishte kjo një fshehtësi vetëm e imja dhe e Bekimit. Për më tepër, frikohesha që e vërteta do të dalë në shesh, sepse atëherë përfundimisht më nuk do ta kisha asnjë moment të qetë nga nëna ime. Bekimi më bindte se ajo ishte vetëm një aventurë e kotë për një natë, e unë, e marra, madje e gjeta një justifikim për mashtrimin e tij. Më ishte e qartë se nuk mund t'i dukesha tërheqëse me një bark deri në dhëmbë dhe me nyja të ënjtura. Edhe pse shumë shpejt pas lindjes e ktheva dukjen e vjetër, Bekimi sërish e gjeti një tjetër. Kësaj radhe bëhej fjalë për një femër të re fotografinë e së cilës e gjeta në telefonin e Bekimit. - Çfarë është kjo tani? Si nuk të vjen turp?! - i bërtita duke ia treguar fotografinë. Nuk mund të besoja se po më mashtronte përsëri. Isha e bukur dhe e re, ndoshta vetëm pak vite më e vjetër se vajza në fotografi.

- Nuk është kjo asgjë e dashur - më tha i qetë pa asnjë fije turpi. - Si nuk është?!, bërtita. - Kush është ajo? - Alma, u përgjigj i qetë, -Shoqe e kam. Më luti t'ia bëj disa fotografi për një agjenci të modës. E di si jam, nuk munda t'i them jo. Po, e njihja mirë Bekimin! Dhe mu për atë arsye që e njihja mirë, fjalët e tij nuk çonin peshë. Disa ditë heshta e ofenduar, e më pas megjithatë fillova të qeshi kur para meje i fshiu fotografitë e Selmës dhe madje i telefonoi dhe i tha që më të mos llogaritë në të. Pas Selmës pasuan edhe shumë të tjera, të cilave as emrat nuk ua mbaj mend. Të gjitha ato, sipas Bekimit, ishin "shoqe" të tij, me të cilat ishte i lidhur në ndonjë mënyrë. Kryesisht, me punë. Nëse më herët provoja ta fsheh të vërtetën për shkak të nënës sime, tani po provoja që ta ruaj qetësinë në shtëpi për shkak të fëmijëve. Hana ishte tashmë mjaft e madhe për ta kuptuar që babai dhe nëna grinden për shkak të femrave të tjera, e tani aty ishte edhe Lindi, i cili qante menjëherë kur ne e ngrinim zërin. 

(Kosova Sot Online)