Roman dashurie: Vejusha (8)

  • 24 December 2019 - 15:01
Roman dashurie: Vejusha (8)

Pa obligime? Nexhi u mbështet me të dyja duart mbi tavolinë dhe filloi ta shikonte atë. - A më konsideron ndonjë mashkull kalimtar në jetën tënde, a? - Nuk do të flasim tani rreth kësaj. Kjo nuk është e nivelit tonë. Ia kalojmë mirë dhe nuk ka aspak rëndësi se si e quajmë lidhjen tonë. - Ke të drejtë. Por, prapëseprapë nuk më pëlqen kur dikush më thotë se jam i përkohshëm. Lumja e dinte se ishte sedra e mashkullit ajo që fliste me gojën e tij. Dhe, për një moment, i erdhi keq që megjithatë nuk e kishte nisur atë temë, që nuk ia kishte bërë me dije që, një ditë, mund të dëshironte që tërë kjo të merrte formë dhe të bëhej më e fortë. Tani ishin paragjykimet e një femre që flisnin nga ajo. - Sot e pranova një kirurg të ri, të punojë te ne. - Njëmend? - Po. Në klinikë na mungonte një kirurg plastik, i cili është shumë i kërkueshëm. Ai ishte i ri dhe i bukur, por edhe profesionist, kështu që mund të presim të vërshohemi nga bukuroshet e ardhshme të silikonit. - Po, po, ata kirurgë janë karremi kryesor. Doktor, e i bukur, plus bën mrekulli - çka mund të kërkosh më shumë! Lumes iu kujtua Enveri dhe, pa dashje, ofshau. U mundua ta paramendonte se si përballë saj rrinte ai djalosh i qetë, i rregullt, misterioz dhe analitik.

Por, ai pasqyrim disi i ishte i çuditshëm. Në vend të asaj, dëgjoi Nexhi se si fliste rreth ish të dashurit të mikeshës së tij, stjuardese. - Ai vetëm mësonte, e ajo donte të argëtohej. Por, e donte pa masë. Pasi që ai e la, nuk mundeshim kurrsesi ta ngushëllonim, derisa e gjeti njëfarë gjermani në avion. Kirurgët janë të rrezikshëm për gratë e dobëta. Është fat që ti je e fortë, kështu që titujt për ty nuk janë të rëndësishëm. - Jo, nuk kanë rëndësi. Tanimë paramendonte se si shkonte në klinikë dhe takonte Enverin. Gjatë asaj kohe Nexhi pagoi llogarinë dhe u ngrit. Më nuk gëzohej për shkuarjen në banesën e tij, por nuk ishte më as indiferente. Donte të ishte femër, më së shumti në aspektin fizik, sepse i dukej se vetëm ashtu kompensonte tërë ato vite pa mashkull, si dhe ato vite të cilat i kishte kaluar në martesë me një burrë jo besnik. Ai ishte sa zemërgjerë në harxhime, po aq edhe në mashtrime. Tani më nuk ndjente inat ndaj tij, meqë bënte një jetë të mirë, në fakt pa dashuri, por me mjaft para dhe vetëbesim, kështu që nuk mund të ankohej.

KAPITULLI I TETË

E hëna solli shi. Nuk ishte ai shi i ngrohtë pranveror, por një shi vjeshtor, me re të errëta dhe me vetëtima, të cilat e çanin qiellin. Edhe pse kishte përgatitur minifundin nga liri dhe pallton e kaltër, nga i njëjti material, Lumja në momentin e fundit qe e detyruar t'i vishte pantallonat e zi, elegantë, me rrip të gjerë dhe bluzën e kuqe, të ngushtë, me të cilën gjinjtë e saj natyror dukeshin edhe më të fortë dhe më të plotë. Edhe pse, rrugës për në klinikë, i thoshte vetes se nuk kishte pse të ndjente tremë nga takimi me Enverin, kur hyri në ambientet e bardha, thjesht diçka e shtrëngoi në fyt, e zemra i rrihte sikur ta priste një publik prej disa milionë vetash. Kaloi deri te zyra e vet pa befasi. Adriana e përshëndeti, kurse dr. Samiu e priste në kolltukun e përbashkët. (vijon)

(Kosova Sot Online)