Ngjarje e vërtetë: Grindeshim vazhdimisht, rreth edukimit të fëmijëve (3)

  • 24 December 2019 - 15:03
Ngjarje e vërtetë: Grindeshim vazhdimisht, rreth edukimit të fëmijëve (3)

Sikur të shkoja menjëherë në shtrat, me gjasë nuk do të mund t'i mbyllja sytë. Ende vazhdonin të më silleshin në kokë të gjitha ato fjali, të cilat i kishim këmbyer unë dhe Meti dhe nuk e dija se a ndjeja lehtësim, apo isha edhe më e pasigurt dhe më e mërzitur sesa më parë. Sido që të ishte, mendimi që të shtrihesha pranë tij në shtrat, atë moment, nuk më pëlqente. Çka do të ndjeja sikur ai të tentonte të më përqafonte: gëzim, apo pakënaqësi? Duke mos ditur të përgjigjesha në këtë pyetje, më me dëshirë prisja edhe pak në dhomën e ditës, duke shpresuar se, në ndërkohë, Metin do ta zinte gjumi. - Edhe? Kur do të udhëtosh? - më befasoi duke ma pëshpëritur këtë pyetje, sapo rashë afër tij. - Së shpejti - i thash, pa specifikuar. - Së pari më duhet të organizoj gjithçka, në mënyrë që të mos ju mungojë asgjë derisa të kthehem - thashë shpejt, e kapluar nga një grindje e papritur e ndërgjegjes. Përnjëherë, sikur tërë ai inat që ndjeja tash e një kohë të gjatë ndaj tij, sikur u zhduk tërësisht.

E zgjata dorën kah ai dhe, pas disa momentesh të hamendjes, Meti e kapi atë dhe e shtrëngoi fort. Qëndruam ashtu të shtrirë për disa minuta, duke mos guxuar asnjëri nga ne që të ndërmerrte ndonjë hap më tutje, qoftë edhe në formë të një prekjeje të butë, e cila palës tjetër do t'ia bënte me dije se ende nuk ishte humbur gjithçka, se ende ekzistonte diçka midis nesh që ia vlente të shpëtohej. Më pas dëgjova se si frymëmarrja e Metit u bë e rregullt, ai u zhyt në gjumë, duke më mbajtur për dore, sikur një fëmijë, me shprehje të relaksuar të fytyrës, sikur të ndihej i qetë dhe i ngushëlluar. Të nesërmen, kur u zgjova, vazhdova me rutinën e përditshme: e përgatita kafjallin, Meti dhe fëmijët hëngrën me shpejtësi dhe ikën, Meti në punë e fëmijët me biçikleta në shkollë. Nuk e di a kaluan 15 minuta prej kohës që ata u larguan, kur Dreni filloi të më thërriste nga oborri. - Mami, mami, eja shpejt. Edi është rrëzuar nga biçikleta dhe është lënduar! - Oh, Zot, çka ka ndodhur, fillova ta pyesja veten e tmerruar nga frika. Isha e sigurt se ishte diçka serioze, pasi që Dreni erdhi e më thirri mua. Më dërgoi deri te vendi ku kishte ndodhur fatkeqësia: Edi gjendej i shtrirë në tokë, në rrugën para ndërtesës së shkollës, e rreth tij ishin mbledhur disa fëmijë, me prindërit e tyre. Vrapova në drejtim të tij, e kapluar nga frika, derisa zemra më rrihte si e marrë. Edi ishte në një gjendje të gjysmë vetëdijes dhe dukej i qetë, të paktën nuk ankohej në dhembje. - Nuk mund të ngrihej, por e thirrëm ndihmën e shpejtë dhe ata na thanë që të mos e prekim derisa të arrijnë vetë - më tha nëna e një shoku të tij të shkollës. U përkula mbi Edin dhe kuptova se ai menjëherë më njohu, pasi që në fytyrë iu paraqit një buzëqeshje e lehtë. E lëmova me butësi në ballë dhe faqe. - Mos u frikëso. Nëna tani është me ty - pëshpërita, duke u munduar ta ruaja qetësinë dhe të merrja sa më shumë guxim. Çka ka mundur të ndodhte, pyetesha. Dukej se Edi nuk mund t'i lëvizte këmbët. Kur arriti ndihma e shpejtë, infermierët e morën me shumë kujdes dhe, pasi e vendosën në bartëse, e futën në automjet, e unë hyra me ta, por më parë e luta njërën nga nënat e nxënësve që, në rast se unë do të vonohesha, ta merrte në shtëpinë e vet djalin tim tjetër, derisa të shkoja për ta marrë.

Derisa mjekët ishin duke e kontrolluar Edin, unë i telefonova Metit dhe, shpejt e shpejt, i tregova gjithçka që kishte ndodhur. - Do t'i anuloj të gjitha mbledhjet dhe obligimet dhe do të vij - më tha. Arriti në spital ende pa kaluar gjysmë ore. - Si është? Çka ndodhi? - më pyeti i shqetësuar. - Duket se, duke rënë nga biçikleta, ka pasur një goditje të fortë me shpinë në tokë. Disa fëmijë thonë se ai ia ka mëshuar një druri afër rrugës, meqë kishte dashur t'i ikte një automobili, i cili u paraqit papritmas, me ç'rast u rrëzua nga biçikleta dhe u përplas për skaji. Dreni ishte me të, por ai ishte përpara tij, prandaj nuk diti të më tregonte se çka kishte ndodhur me të vërtetë. Më duket se Edi nuk mund t'i lëvizë këmbët. Çka nëse mbetet i paralizuar? Oh, Meti, as që guxoj të mendoj në atë drejtim! - Tani duhet të qetësohesh. Para se të biem në dëshpërim, duhet të presim, e të shohim se çka do të na thonë mjekët. Ndoshta megjithatë nuk është aq serioze. - Të shpresojmë - thash duke dënesur. Pas një pritjeje të pafundme, përfundimisht erdhi një mjek dhe na u ofrua. (vijon)


(Kosova Sot Online)