Ngajrje e vërtetë: Nga hakmarrja u martua me atë që nuk e donte (2)

  • 01 January 2020 - 15:14
Ngajrje e vërtetë: Nga hakmarrja u martua me atë që nuk e donte (2)

E dija që ka të drejtë, por vetëm mendimi që duhet të punoj në sallon të fustaneve të martesës vetëm edhe për një ditë të vetme m'u duk një gjë e tmerrshme. - Nënë, kërko çfarëdo tjetër nga unë, vetëm mos kërko që të shkoj atje - e luta unë. - Ngrihu shpejt! Vëllai ka temperaturë, e as unë nuk ndihem mirë. Ke gjysmë ore për t'u rregulluar, e më pas shko dhe hape sallonin. - Kush do të kërkojë para vitit të ri një fustan të martesës? Vajzat janë paksa të çmendura për këtë gjë, por nuk besoj se ekziston ndonjë aq e çmendur. - Nuk do të bisedoj më me ty kështu e sëmurë në lidhje me inteligjencën e vajzave. Ngrihu! - më urdhëroi. U ngrita pa vullnet. - Nënë, për këtë ma ke borxh edhe një udhëtim, vetëm ta dish - i thashë nënës derisa po dilja nga shtëpia.

- Nëse fiton sot diçka, pranoj - u përgjigj ajo. Dhe, kështu, duke mos mundur që ta shmangi atë obligim, shkova në sallon. Nuk mund as ta përshkruaj sa qesharak dhe i mjerë më dukej fakti që isha në sallonin në të cilin isha i rrethuar me mëndafsh, dantellë, fustane të martesës, dorëza e zbukurime të llojllojshme. Mua më pëlqenin sportet ekstreme dhe assesi nuk kam qenë një person që merret vesh për modë, as për martesa dhe gjëra të lidhura me to. Orën e parë qëndrova i ulur në karrige, po e shikoja borën që po binte gjithnjë e më shumë. Njerëzit nguteshin për t'i bërë blerjet e fundit, e unë disi isha i lumtur që dita ishte e tillë, sepse shpresoja që askush nuk do të hyjë në sallon. Veçanërisht shpresoja se nuk do të më shihte dikush i njohshëm, sepse e dija që më pas një gjë të tillë do ta kuptojnë të gjithë ata që i njoh. Më shkonte mendja se si të gjithë do të më përqeshnin kur do të dëgjonin se punoj me fustane të martesave. Dhe, sapo mendova për këtë gjë, ndodhi ajo nga e cila kisha frikë më së shumti. Në një moment para vitrinës e pashë shokun tim më të mirë, të cilin për herë të fundit e kisha parë para udhëtimit. Shikonte përmes vitrinës. Provova që të fshihem nën tavolinë, por e pashë se është vonë, pasi që më vërejti. Me buzëqeshje në fytyrë hyri brenda dhe po e shkundte borën nga vetja. - A je ti apo po më bëjnë sytë? Sapo shikova nëse është vëllai apo nëna jote që të pyes nëse je kthyer, kur të pashë ty. Ti në mesin e tërë këtyre fustaneve. A po martohesh apo ke ardhur në sallon që të përgatitesh për martesë? Po të më kishte thënë dikush se do të të shoh ty këtu, kurrë nuk do t'i besoja, por po përshtatesh mirë mes fustaneve. Ndoshta do të ishte mira të provosh ndonjë ta shohim se si të rri? - më ngacmoi. Një mahi e tillë ishte ajo që në fakt dëshiroja që ta shmangi. - Po, do ta provoj - i thashë unë i ngrysur, duke ia bërë ashtu me dije që nuk jam aspak i kënaqur me mënyrës se si po tallet.

- Kur je kthyer - më pyeti. Biseduam e më pas shkurtimisht i tregova se si kalova në udhëtimin tim. Pasi që nuk dija ku janë gjërat në sallon, e as faktin se a kanë nëna dhe vëllai diçka për t'i shërbyer vizitorët, telefonova në restorantin e afërm dhe porosita kafjall dhe pije, të cilat na i sollën. Salloni me ne të dy shpejt u shndërrua në një kafene, të cilën nëna me siguri nuk do ta aprovonte. Kaluan disa orë, e më pas shokun tim e thirri gruaja, kështu që u përshëndetëm dhe ai u largua. E dija, atë mbrëmje të gjithë do ta kuptonin se më ka gjetur në mesin e fustaneve për martesë, por më nuk mërzitesha për atë punë. Më erdhi mirë që e pashë shokun. Pas tri birrave isha në humor të mirë, por i vetëdijshëm për rrëmujën që kishim krijuar, kështu që vendosa që ta pastroj sallonin. Për fat të mirë askush nuk hyri në sallon derisa po pinim. E shikova orën, po afrohej mesdita. Pasi që durova deri tani, do të duroj edhe pak deri në fund të ditës së punës. Me të vërtetë shpresoja që askush të mos hyjë në sallon. - Do të mund ta lije atë gazetë dhe t'i mbledhësh lodrat pas Leonit! - m'u drejtua Fatmirja. - Mundem, nuk ka problem - i përgjigjem unë me butësi, sepse e di se çfarë pason kur përpiqem që ta zvogëloj goditjen që përgatitet. - Behar, si i ka rënë në mend vëllait tënd që t'i thotë diçka të tillë Leonit? Çfarë po mendon ai? Kush është ai që të vendosë se çfarë ekziston, e çfarë jo? Thirre menjëherë! - tha. (vijon) 


(Kosova Sot Online)