Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (1)

  • 13 January 2020 - 15:11
Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (1)

Dhe, kështu, shoqja ime, unë për pak sa nuk mbarova. Askush nuk dinte të më thoshte se e tëra ishte vepër dhe meritë e kunatës sime, Miradijes. Unë e di se ajo mezi pret të më heqë qafe, por nuk lejoj që të frikësohem kaq lehtë - thoshte me emocione kolegia ime, Minirja, derisa pinim kafe gjatë pauzës në dyqan. - Për fat, ajo më nuk jeton me ju. Më pate treguar se ajo tani ka hyrë edhe në punë, apo jo? - me gjithë fuqinë mundohesha që ta ndryshoja temën, duke shikuar me nervozizëm orën. Duke kuptuar se pauza kishte mbaruar, mora frymë lirshëm. Kishte 15 minuta që Minirja më kishte shurdhuar me tregimin rreth kunatës së saj, më saktësisht rreth aftësive të saj prej shtrige, kështu që më vinte për të vjellë. Miradijen e kisha parë vetëm një herë në jetë dhe, thënë sinqerisht, përpos bukurisë së madhe që kishte, ajo dukej si një femër e rëndomtë, një vajzë normale. Sido që të ishte, aspak nuk më interesonin imtësitë nga jeta e saj, sidomos jo llafet që, sipas meje, nuk kishin shumë të bënin me logjikën e shëndoshë.

- Po, po. Vetëm Zyrës duhet t'i falënderohem. Në të kundërtën, kush e di se çka tjetër do t'i binte ndërmend. Ja, për shembull... - Oh, Zot, a paska kaluar koha e pauzës, a? - thash kinse e dëshpëruar, duke u ngritur në këmbë nga paketa e sheqerit, ku isha ulur. - Më vjen keq që më duhet të të ndërpres, por mendoj se është koha t'i kthehemi punës - thashë duke dalë nga magazina. Përndryshe, Minirja ishte njeri i mirë, por prej se në një ndejë u njoftua rastësisht me atë fallxheshën e famshme, Zyrën, sikur ishte çmendur. Vazhdimisht fliste rreth shoqes së saj të re dhe "dhuntisë hyjnore" të saj, gjë që, për shkak të problemeve të mia, nga dita në ditë gjithmonë më nervozonte shumë e më shumë. Doja vetëm që kjo ditë tejet e gjatë e punës të mbaronte sa më parë, në mënyrë që të shkoja në shtëpi dhe të pushoja. Mjaftonte që të mendoja në të shtunën e kaluar, për ta ndier një shtrëngim në bark. Martesa e gjatë disa muaj nuk ishte e tëra sheqer dhe mjaltë, kurse bashkëshorti im Petriti dhe unë ishim shembull tipik për këtë... - Cila kravatë më rri më mirë me këtë veshje? - më pyeti Petriti atë pasditeje, derisa përgatiteshim për dasmën e shokut të tij më të mirë, Blerimit, duke mi qitur para syve disa kravata. Nuk kam nevojë të jem modeste e rrejshme, por më mirë është që të pranoj se burri im ishte ndër meshkujt e pak,të të cilit çdo gjë i rrinte për mrekulli. Me flokë të zi dhe në formë të mirë, ai e kishte fatin që, me pak mund, të dukej për mrekulli, bile edhe me veshje të shtëpisë. - Kjo me vija - i thash sa për të thënë diçka, e më pas përsëri u përqendrova te vënia e grimit. - Fitore! A mund të jesh pak më specifike?

Që të katër kravatat janë me vija. Ku ta di unë për cilën e ke fjalën? - më pyeti me habi. E dëgjova pyetjen e tij, por vendosa të mos i përgjigjesha. Duke vërejtur rrudhat e imëta nën sytë mirë të lyer, nuk ia dilja ta tejkaloja pasigurinë, e cila më kishte kapluar. - Ende të dukem atraktive, apo jo? - më interesonte ta dija. - Natyrisht se më dukesh! Përndryshe as që do të të merrja për grua. Pse më pyet? - ma bëri ai, i hutuar. - Të pash një mbrëmje, derisa shëtisnim në park, kur u ktheve për ta shikuar atë bionden e bukur, me fund të shkurtër - përfundimisht mu dha rasti që ta kritikoja për shkak të sjelljes së tij të pahijshme. - Jam unë ajo që më duhet të të pyes ku qëndron problemi - shtova me sarkazëm. Edhe pse e dija se nuk ishte as koha, e as vendi për një diskutim të tillë, thjesht nuk mund të heshtja. Xhelozia ishte më e fuqishme se unë. Ajo më kishte bërë për vete dalëngadalë, kështu që nuk mund ta injoroja. - Fitore, nuk kam as durim, e as vullnet për sulmet tua të xhelozisë. Nuk u bë fundi i botës nëse kam shikuar ndonjë femër tjetër. Sytë janë për të shikuar, e unë jam vetëm një mashkull i rëndomtë, apo jo? A mundesh vetëm të ngutesh pak? Nuk ka kuptim të vonohemi në dasmë - më tha me nervozizëm, duke rregulluar kravatën. Sytë mu mbushën me lot. Doja që Petriti të më përqafonte fort dhe të më thoshte se të gjitha këto i kisha imagjinuar vet. Se më donte dhe se nuk kishte nevojë t'i shikonte tjerat, as tani, e as më vonë. Në vend të kësaj, burri im u shikua edhe një herë në pasqyrë dhe, duke më thënë edhe një herë që të mos vonohesha, doli nga dhoma, i kënaqur me pamjen e vet. (vijon) 


(Kosova Sot Online)