Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (2)

  • 14 January 2020 - 15:11
Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (2)

Derisa po lëshohej shkallëve, e dëgjoja fishkëllimën e tij të hareshme. Kur pas disa sekondave e dëgjova edhe zërin e vjehrrës sime, më erdhi të qaj. Edhe pse më me dëshirë në atë moment do ta zhvishja fustanin, do të shtrihesha në shtrat dhe me jorgan mbi kokë do të zbrazja dhimbjen, që ishte mbledhur për tashmë disa javë në mua, e dija që një gjë e tillë nuk është e mundur. Blerimi ishte shoku më i mirë i Petritit. Kjo ishte nata e tij dhe e dija që nuk guxojmë që ta zhgënjejmë. Përkundër të gjithave, nuk mund t'i ndihmoja vetes. Fakti që Petriti im vetëm i shikon femrat e tjera më lëndonte më shumë sesa që dëshiroja ta pranoja. Ndoshta kam gabuar që vetëm pas disa muajve në lidhje, me gjithë kundërshtimin e prindërve të mi, vendosa që të martohem me të. "Petriti është gruar. Unë vetëm nuk dëshiroj që të jesh e pafat", më thoshte nëna, por unë nuk e dëgjoja. Me të vërtetë kam qenë e marrë kur kam menduar se mund ta ndryshoj, mendova unë, dhe duke i mbajtur lotët shkova poshtë.

- Sa bukur që dukesh - më tha vjehrra, kur shkova në dhomën e ditës. - Fustani është me të vërtetë i bukur, por, ndoshta do të ishte mirë që ta ngushtosh pak në mes - më tha duke ma rregulluar rripin. - Mua më duket shumë mirë kështu - i thashë, sepse komentet e tilla të vjehrrës sime ishin specialitet i saj. Nuk mund të them se ajo ishte një grua e keqe. Në të kundërtën. Na ndihmonte sa herë që kishim nevojë. Megjithatë, kishte diçka në të, një nevojë për t'i futur hundët ku nuk e ka vendin dhe të provojë që të kontrollojë gjithçka rreth vetes. Petriti ia lejonte një gjë të tillë, por unë në anën tjetër e kundërshtoja. Dëshiroja që unë dhe Petriti së shpejti do të mund t'ia lejonim vetes blerjen e një banese, përkundër faktit që vjehrra me zemërgjerësi na kishte ofruar nënkulmin e shtëpisë së saj, në mënyrë që më në fund ta fillojmë një jetë të pavarur. - Pra, çfarë po presim? - pyeta unë duke e shikuar Petritin. Edhe pse nuk ndihesha mirë, nuk munda të mos e vërej se sa tërheqës dukej dhe e dija që kështu i rregulluar do t'i tërheqë shikimet e femrave. Një orë më vonë, derisa unë dhe Petriti po vallëzonim në sallën ku po mbahej dasma, fillova të relaksohem. Kur dëshirova që t'i mbyll pak sytë dhe ta vendos kokën në krahun e tij, ndjeva se dikush është duke më shikuar.

E ktheva kokën ngadalë. Më pas i pashë sytë e kaltër të një femre të bukur, që po qëndronte në kënd me gotë në dorë dhe po i përcillte të gjitha lëvizjet tona. Kush është tash kjo? Shpresoj që të mos e vërejë Petriti, mendoja unë, duke e shtrënguar fort burrin tim. Për fat të keq, taktika ime e tërheqjes së vëmendjes së Petritit nuk dha rezultat. - Sara, a je ti? Nuk mund të besoj se je këtu - tha bashkëshorti im, duke u larguar nga unë. Shumë shpejt u gjend pranë bukuroshes së panjohur. Derisa po qëndroja e turpëruar në mes të podiumit të vallëzimit, nuk dija çfarë të bëja me veten time. Një pjesë e imja dëshironte që të shkoj pas tij dhe për çdo rast t'ia rikujtoj Petritit se është i martuar. Pjesa tjetër provonte që të më bind se jam duke e tepruar, dhe se ajo vajzë mund të jetë një shoqe nga fëmijëria. - Po të isha në vendin tënd, nuk do ta largoja shikimin nga ata - më tha një kushërirë e Petritit. Sugjerimi i saj ishte i mjaftueshëm që ta mbledh guximin dhe të shkoj te burri im, i cili, siç shihej po e gëlltiste me sytë e tij bashkëbiseduesen. - Oh, më fal e dashur. Krejtësisht të harrova - më tha i hutuar kur u afrova. Fjalët e tij bënë që të skuqem nga zemërimi. Si guxon të ma thotë një gjë të tillë, mendova unë. - Eja, njoftohu me Sarën, shoqen time nga fakulteti - më tha. - Sara, kjo është bashkëshortja ime Fitorja - më prezantoi duke buzëqeshur. E vërejta se ajo më mati nga koka deri te thembrat. Për të mos i mbetur borxh, edhe unë e bëra një gjë të tillë. Për fat të keq, qysh në shikimin e parë m'u bë e qartë se nuk mund të krahasohem me atë vajzë. Ishte jashtëzakonisht e bukur, kishte trupin më të mirë që kisha parë ndonjëherë, e duke u bazuar edhe në faktin që kishte përfunduar studimet, ishte edhe goxha inteligjente. /Vijon/


(Kosova Sot Online)