Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (4)

  • 16 January 2020 - 15:09
Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (4)

- Pra, mendon që Petriti ende e simpatizon atë vajzë? - më pyeti Minirja pak më vonë, duke e lëshuar para meje filxhanin me kafe, kur pa kurrfarë ngurrimi i tregova për dyshimet e mia. - Po, e simpatizon - ia ktheva me ironi. - Sytë i xixëllojnë sapo e shikon atë! Vetëm ta kishe parë se si u kuq sot kur i cingëroi telefoni. Jam e sigurt se ishte ajo! Mallkuar qoftë dita, në të cilën ajo vajzë e pacipë vendosi që të kthehet në Kosovë! - bërtita unë nga zemërimi. - A ke provuar që të bisedosh me Petritin? Po mendoj, ndoshta nuk është duke ndodhur asgjë, ndoshta vetëm po të duket se... - Minire, të lutem mos! Po t'i kishe parë në dasmë se si silleshin njëri me tjetrin deri në momentin kur u afrova unë, nuk do të flisje. E njoh mirë Petritin.

Dhe ajo në të cilën momentalisht jam më se e bindur është që nuk është indiferent ndaj asaj vajze. Nëse tashmë deri tani nuk e ka bërë, askush nuk mund të më thotë se nuk do të më mashtrojë me Sarën sapo t'i jepet rasti. Kjo është e tëra - i thashë duke e kthyer kokën në mënyrë që të mos i shohë lotët e mi. - Nëse me të vërtetë është ashtu, nuk të mbetet asgjë tjetër përveçqë të bisedosh me Zyrën. E di, ajo mund të të ndihmojë që ta kthesh jetën tënde sërish në binarë të duhur - më tha. - Mos u bëj qesharake. E di që nuk besoj në ato budallallëqe - i thashë unë e nevrikosur. - Po ta njihje, ndoshta do ta ndryshoje mendimin. Më beso, ajo është fallxhorja më e mirë dhe më profesionale në këtë vend. Është profesionale në të gjitha llojet e falleve. Por, nuk do të të bindi. Duhet vetë të zgjedhësh. Mua ajo më ka ndihmuar shumë. Mendoj se e kam diku vizitkartën e saj - shtoi Sara, derisa po e kërkonte në sirtar. Kur më në fund e gjeti, ngadalë e lëshoi atë në dorën time. Ajo ditë në punë m'u duk më e gjatë sesa zakonisht. Kësaj i kontribuoi shumë edhe nervozizmi si dhe kaosi gjithnjë e më i madh, që e ndieja në vete. Një pjesë e imja dëshironte që ta dëgjojë Sarën dhe t'i telefonojë menjëherë Zyrës, ndërsa pjesa tjetër, ajo më e arsyeshmja, me tërë fuqinë e kundërshtonte një gjë të tillë. - Edhe, a vendose? Do t'i telefonosh Zyrës apo jo? - më ndërpreu zëri i Sarës, derisa po e mbushja një raft të dyqanit pak para përfundimit të orarit të punës. - Nuk e di, nuk jam e sigurt... . - Mos u bëj e marrë Fitore. Zyra është një magjistare e bardhë, femër me aftësi që në secilin moment mund ta shohë të kaluarën, të tanishmen dhe të ardhmen tënde. Nëse je duke jetuar e rrethuar me energji negative, atëherë është mirë që ta dish një gjë të tillë me kohë apo jo? Mos u brengos, Zyra falë teknikave të saj do ta gjejë shpejt një zgjidhje për të gjitha problemet e tua - më tha ajo. - Mendon se me të vërtetë mund të më ndihmojë? Madje edhe për problemet martesore? - e pyeta unë. - Më beso, vetëm pas pak ditësh Petriti do të jetë vetëm i yti. E Sara? As që u bie në mend për të - më tha. - Në rregull. Do ta bëj. Edhe ashtu nuk kam çfarë të humbas. Do t'i telefonoj Zyrës qysh sonte - më në fund e mora vendimin, pas të cilit menjëherë u ndjeva pak më mirë. - Shumë mirë, por me të vërtetë, më dukesh disi e tmerruar. Mos më thuaj se ke frikë? Nëse dëshiron, mund të vij me ty. Në fakt, edhe unë kam punë me Zyrën - propozoi Sara, gjë të cilën menjëherë e pranova. Disa ditë më vonë, derisa të dyja po qëndronim para dyerve të mëdha të një ndërtese, zemra më rrihte shumë shpejt, ndërsa shuplakat më djersiteshin nga emocionet. - Fitore të lutem kthjellu.

Nuk je duke shkuar në pushkatim - më tha Sara, pasi që e vërejti nervozizmin tim. - Në rregull, por ti do të hysh e para - i thashë unë para se të hapej dera dhe të paraqitej Zyra. Më duhet të them se kur e pashë, të gjitha mendimet e mia në lidhje me fallxhoret dolën të jenë të gabuara. Në vend të një plake me sferë të kristaltë në duar, para meje po qëndronte një zeshkane jashtëzakonisht tërheqëse, e cila ishte vetëm pak vjet më e vjetër se unë. - Mirë se vini. Urdhëroni, hyni brenda. Shtëpia ime është edhe shtëpia juaj - tha duke buzëqeshur. Sapo hymë, m'u duk sikur kisha ardhur në një botë tjetër. Qysh në shikimin e parë mund të shihej se gjithçka ishte vendosur me shumë shije, por edhe me shumë para. /Vijon/


(Kosova Sot Online)