Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (5)

  • 17 January 2020 - 15:06
Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (5)

Më së shumti më impresionoi shatërvani i madh në dhomën e ditës. Me ujin i cili dilte nga ai, për t'u mbledhur më pas më poshtë, thjesht më la pa fjalë. O Zot, shtëpi modeste?! Po, si jo, mendova unë duke shikuar rreth e përqark. Edhe pse sipas saj, ajo tanimë kishte qenë në shtëpinë e Zyrës disa herë, dukej se edhe Minirja nuk mund t'ia shqiste sytë shatërvanit. - I mrekullueshëm. Me gjasë ka kushtuar një dreq e gjysmë - pëshpëriti ajo e mahnitur. - Po, por kjo tani nuk ka rëndësi, por fakti pse jeni këtu - bëri ajo me dorë, e unë nuk munda ta largoja përshtypjen se biseda rreth shtëpisë së saj të mrekullueshme nuk ishte temë aq e preferuar për të. Sikur të ndihej në siklet për ndonjë gjë.

Rreth një orë më vonë, derisa në kauçin e mrekullueshëm të Zyrës prisja me nervozizëm përfundimin e "seancës" së Minires, pas të cilës do të duhej të fillonte ajo imja, fillova ta pyesja veten athua më ishte dashur tërë ky cirkus. Edhe pse Zyra ishte e këndshme dhe mikpritëse ndaj nesh, në praninë e saj ndjeja njëfarë shqetësimi të çuditshëm, të cilin as që dija ta përshkruaja. Sapo fillova të mendoja që të largohesha nga aty, kur u hap dera e "dhomës së punës", e aty u panë Zyra dhe Minirja. Duke parë shallin e mëndafshtë rreth qafës së shoqes sime, e cila thuajse me adhurim gëlltiste çdo fjalë të Zyrës, përkundër nervozizmit që ndjeja, mezi arrita të mos ia krisja të qeshurave. - Vetëm bëj atë që të kam thënë. Mbaj mend, tri herë merre biberin me majë të gishtave, aspak më shumë.

Në këtë mënyrë përgjithmonë do ta largosh njëherë e mirë energjinë negative nga shtëpia jote, të cilën ta ka qitur ajo grua - sugjeronte Zyra. - Natyrisht, kam besim të plotë te ju. Ju falënderoj nga zemra - Minirja nuk pushonte së falënderuari. Duke kuptuar se më kishte ardhur radha, u ngrita me pasiguri në këmbë dhe u nisa pas Zyrës. - Nuk do të duhej të ishit kaq e shqetësuar. Për një parashikim kualitativ dhe preciz të fatit, duhet që të jeni e qetë dhe shpirti juaj të ketë qëndrim pozitiv. Kjo është hera e parë që shkoni te një fallxhore, apo jo? - më tha Zyra, duke më matë me sy sapo hymë në zyrën e saj, po aq luksoze sa edhe pjesa tjetër e shtëpisë. - E vërtetë - pohova unë, derisa ajo ishte duke ndezur qirinjtë. - Ku qëndron problemi? Dua të them, pse keni ardhur te unë? - më befasoi ajo me këtë pyetje.

Ndjeva një dëshirë të madhe t'i thosha se a nuk do të duhej vetë ajo alamet fallxheshe ta dinte këtë. Megjithatë, ia dola që të përmbahesha. Derisa Zyra qiti letrat e fallit në tavolinë, pash veten sesi, pak ngapakë e pash veten duke folur rreth Petritit dhe prirjeve të tij joshëse. Derisa më dëgjonte me vëmendje, ajo merrte dhe sillte disa letra. - Mirë. Të shohim… - u ndal duke marrë qëndrim dramatik. - Oh, jo. Nuk më vjen mirë që më duhet t'ua them këtë, por punën e kam të tillë dhe nuk dua t'ju rrejë. Shoh se keni të drejtë. Burri juaj pëlqehet shumë nga femrat. Njëra nga to ka ndikim të madh te ai. Do të thosha se e ka diçka nga gjaku - vazhdoi të fliste ajo duke shikuar kartat para vetes. - Kjo duhet të jetë nëna e tij. Jeton me ne - ia shpjegova, duke sjellë sytë. - Vetëm pak… Po, keni të drejtë. Në pyetje është një grua më e moshuar, e cila vazhdimisht jua punon prapa shpinës.

Nuk e di a e dini këtë? - më shikoi me vëmendje, duke pritur përgjigjen time. - Shikoni, nuk mund të them se vjehrra ime bën probleme, por është e vërtetë se shpesh futë hundët aty ku nuk duhet - i thash, pas çkaje ajo përsëri mori një letër tjetër. - Vetëtimë dhe ferr! Nuk do të doja t'ju frikësoja, por letra më thotë se ju do të keni edhe shumë probleme të tjera me të. Rëndësi të madhe ka që të mbeteni të fortë... - Por, unë nuk kam ardhur këtu për vjehrrën time. Ajo që më intereson është se çka do të ndodhë me martesën time, respektivisht, si ta kthej dashurinë e Petritit - e ndërpreva me padurim. - E dashur! Më duket se ende nuk kuptoni çka dua t'ju them. Çdo problem e ka rrënjën e vet.

Për të filluar diçka të re, duhet të mbaroni punët e vjetra. Sipas letrave që më janë hapur, me një siguri të plotë mund t'ju them se vjehrra juaj është një njeri shumë i keq dhe dyfytyrësh. Ju me të, nën të njëjtin kulm, jeni katastrofë e vërtetë, a më kuptoni? - më shikonte seriozisht. - A jeni plotësisht e sigurt për këtë? Dua të them, vjehrra kurrë nuk më ka dhënë arsye që të dyshoja… - Zemra ime. Ju nuk e kuptoni se çka janë në gjendje të bëjnë njerëzit shpirtligë. Do të bëj gjithçka që t'ju mbrojë. Herën tjetër do t'ju them saktësisht se çka duhet të bëni. A ju konvenon e enjtja pasdite? - më pyeti. - Natyrisht. Do të vij. Por, më tregoni, sa ju kam borxh? - e pyeta e hutuar, duke kërkuar kuletën në çantë. - Meqë sot nuk bëmë kushedi çka, seanca do t'ju kushtojë vetëm 10 euro - më befasoi me përgjigjen e saj. (vijon)

(Kosova Sot Online)