Roman dashurie: Vejusha (33)

  • 18 January 2020 - 15:11
Roman dashurie: Vejusha (33)

Kishte ditë kur nuk mendonte rreth Enverit, por ato ditë ishin aq të rralla dhe plot obligime, sa që nuk ia vlenin të përmendeshin. Në një rast, në internet, gjeti një artikull shkencor, të shkruar nga ai. Edhe kjo e bëri të ndihej keq. E dinte se si ai atje me siguri do të gjendej dhe do të martohej me ndonjë të huaj, sa për të pasur fëmijë, familje dhe gjithçka që me mua as që ka menduar se do t'i kishte. Sapo përfundoi me përgatitjen e darkës dhe u ul që të hante, dëgjoi zilen e derës. Ishte njoftuar me një piktore rreth të tridhjetave, e cila ishte vendosur në ndërtesë dhe me të kishte filluar që të shoqërohej. Ia mori mendja se kjo fqinje tani kishte ardhur për të biseduar. Por, kur e hapi derën, iu duk se ishte duke ëndërruar. Para saj qëndronte Enveri, i njëjtë si dy vjet më parë, vetëm pak më i lodhur sesa që e mbante mend. - Ti!? Çka po bën këtu?

- Erdha të të shoh. Nuk donte ta linte të hynte brenda, e dinte se kjo do të ishte njësoj sikur ta çelte plagën e cila sapo i ishte shëruar. Por, kishin kaluar dy vjet dhe, kjo ia kishte zbutur zemërimin. - Hyr… Ke bërë tërë atë udhë, nuk do të jetë e tepërt që të rrish pak. Ai hyri brenda dhe menjëherë e përqafoi. Ajo nuk kundërshtoi, por nuk ia ktheu me përqafim. Duart e saj i mbante poshtë, sikur të ishin të varura. - Lume, pse nuk më përqafon? - Nuk dua. - Nuk do, apo nuk ke nevojë? - Edhe njëra edhe tjetra. Ajo u largua, duke shkuar kah dhoma e ditës. Ai i shkoi pas. - Si je? - Nuk ke mundur të ma bësh ndonjë pyetje më të keqe. Përndryshe, mirë jam. Por, tani nuk e di çka ndjej. - Erdha... që të qëndroj këtu! Ajo e ngriti vetullën lart. - Njëmend? Epo, mirë atëherë! Zvicra nuk të pëlqeu? - Në fakt më pëlqeu shumë. Kushtet ishin ideale për një mjek. I kisha të gjitha, mësova shumëçka, fitova një mal me para. - Shihe, ti! Sa mirë! Vetëm një gjë nuk e kam të qartë: çka kërkon këtu?

- Ty, Lume! Të kërkoj ty! U dridh. Nuk donte t'iu besonte atyre fjalëve. - Vonë ke ardhur. - Nuk besoj se është vonë. E di se nuk je martuar. Më ka treguar dr Samiu. - Është e vërtetë se nuk jam martuar. - Atëherë, pse qenka vonë? - Për shkak se kam mbushur 42 vjet dhe për shkak se me ty kam përfunduar atë ditë kur më the se do të shkoje. E unë, budallaqja, mendoja se do të më propozoje fejesë. Ja, për këtë shkak është vonë. - A d.m.th kjo se nuk më do më? Ajo e shikonte. Donte që, me gjakftohtësi t'i thoshte se nuk e do më dhe t'ia bënte me dije se kishte qëndruar shumë në banesën e saj. Por, ato fjalë nuk i dilnin nga goja. (vijon)

(Kosova Sot Online)