Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (6)

  • 18 January 2020 - 15:16
Ngjarje e vërtetë: U trondita pas vizitës së fallxhores (6)

Atë natë Petriti u ngjit i tëri për mua në shtrat. - Oh, sa erë e mirë që të vjen. A do ta puthësh burrin tënd për natë të mirë? - më pyeti me lajka. - Pse? A harroi Sara të të puthë, a? - e pyeta me sarkazëm, duke dalë nga përqafimi i tij. - Çka? Cila Sarë, bre? Çka po thua?! Nga ajo ditë as nuk e kam parë, e as nuk kam folur me të - më tha ai. - Në fakt, as që ka rëndësi. A mund të më lësh të qetë? Jam tepër e lodhur - i thashë duke ia kthyer shpinën. Në bazë të ofshamës, kuptova se Petriti u ndie shumë keq nga kjo sjellje. Nejse, e ka merituar! Ai të më pështjellë me femra të tjera para hunde? Kurrë jo! - mendova me zemërim, duke i thënë vetes se, të mërkurën, nuk duhet të harroj që të kërkoj nga Zyra që të përqendrohet më shumë rreth raportit tim me burrin. Të enjten pasdite, saktësisht në kohën e caktuar, gjendesha para derës së Zyrës. Paksa u habita kur, pasi që i rashë ziles, derën ma çeli një mashkull i ri. Në fillim mendova se ai ishte i biri i saj, por sapo e hapi gojën, kuptova se nuk ishte. - Me siguri keni ardhur ta takoni Zyrën? Aty është. Ju pret në dhomën e punës - më tha ai duke buzëqeshur, pasi që kishte vërejtur hutinë time. Dhjetë minuta më vonë rrija ulur në karrige, duke shikuar fytyrën e shqetësuar të Zyrës. - Zemra ime, të them pa dyshim, se në rastin tënd në pyetje është magjia e zezë, as më pak e as më shumë. Shpresoj të mos i kesh thënë vjehrrës sesi do ta lësh burrin, apo diçka të ngjashme? - më pyeti. - Tanimë të kam thënë. Ajo grua është shpirtligë. Të ka bërë magji. Thënë shkurt, ka vendosur që të bëjë gjithçka që të të mbajë përgjithmonë me burrin, meqë ajo jeton më mirë kur është me ju - mbaroi ajo.

Edhe pse më me dëshirë do të buzëqeshja me kënaqësi, diçka në shikimin e saj më bëri që ta ndryshoja mendjen. Ndoshta me të vërtetë tërë fajin e kishte vjehrra, e gjoja brengosja e saj ishte vetëm mburojë, që unë dhe Petriti të mos kuptojmë se ajo merret me magji dhe se ka bërë marrëveshje me vetë djallin. Në fund të fundit, Petriti ishte i biri i saj. Ajo e kishte rritur dhe edukuar, duke e bërë njeri të tillë, sikur që është sot. Ndoshta as Petriti nuk është tërësisht fajtor. Edhe ai mund të jetë viktimë e asaj shtrige, nënës së tij, mendoja. Derisa e vraja kokën, duke menduar rreth pyetjes së Zyrës, përnjëherë mu rrëqeth trupi. Më ra ndërmend sesi javën e kaluar i kisha thënë vjehrrës se isha mërzitur nga gjithçka dhe se dua të iki sa më larg. O Zot, duket se Zyra me të vërtetë posedon fuqi të veçanta. Si kisha mundur të dyshoja në sinqeritetin e saj? - mendova, duke ia drejtuar asaj një shikim të mahnitshëm. - E pabesueshme. Si e ditët? - Paj, fallxheshë jam, apo jo? - m'u përgjigj duke rrudhur supet, e më pas mbylli sytë. Për disa sekonda qëndroi pa lëvizur, e më pas filloi të murmuronte diçka si vet me vete, për të filluar më pas ta tundte trupin, sikur të ishte në trans. - Shoh objekte të ndryshme në kuzhinën tuaj, të cilat i shërbejnë asaj si rekuizita për t'iu bërë që gjërat t'i shikoni me një sy krejt tjetër. Duhet t'i gjeni dhe t'i shkatërroni. Më së miri është që t'i gjuani në ujë. Sapo e hapa gojën, duke dashur ta pyesja se si do ta dija se për çfarë objektesh bëhej fjalë, kur ajo ma priti e para. - Mos u shqetëso, e dashur. Sapo ta pastrova energjinë me një teknikë të veçantë, kështu që, sapo t'i shohësh, do ta kesh të qartë.

Pa marrë parasysh se për çka bëhet fjalë, menjëherë gjuaji! Dhe, mos harro, vjehrra jote nuk duhet të dijë se ti e ke marrë vesh që ajo të ka bërë magji, sepse atëherë do të bëhej edhe më e rrezikshme - ma tërhoqi vërejtjen. - Më së miri do të ishte sikur të ta jepja një hajmali, si mbrojtje të përhershme. Kështu kjo femër e keqe kurrë nuk do të mund të të bëjë keq - më tha, duke më shikuar me seriozitet. - Në rregull. Bëjeni këtë, ju lutem - u përgjigja e frikësuar, duke mos menduar fare se sa do të më kushtonte ajo kënaqësi. Pasi që u ktheva në shtëpi, as që e shikova vjehrrën, e cila ishte duke fshirë diçka. Edhe pse kalova pranë saj pa i thënë asgjë, ajo mu drejtua me butësi. - Kam përgatitur bizele. Edhe juve jua solla ca, që të mos kesh nevojë të përgatisësh - shtoi duke buzëqeshur. Ah, shtriga plakë. Si shtirej se. Ajo mua ma paska përgatitur drekën?! Edhe atë, bizele? Kush nuk e njeh, shtrenjtë do ta blinte. Kushedi se çka kishte qitur aty, në mënyrë që të ma trulloste mendjen sa më parë. Por, do të të vijë haku Zyra ty, mendova dhe, pa iu falënderuar fare, shkova në kuzhinë. Sapo hyra në kuzhinë, mora enën me bizele dhe të tërën e derdha në guacë të WC-së. Më pas 2-3 herë e ngreha ujin, gjë që më bëri të ndihesha shumë më mirë. (vijon) 

(Kosova Sot Online)