Ngjarje e vërtetë: Nga kthetrat e nënës më shpëtoi vajza e varfër (2)

  • 21 January 2020 - 15:27
Ngjarje e vërtetë: Nga kthetrat e nënës më shpëtoi vajza e varfër (2)

Thuaj diçka të mençur! Pyete Punë fati diçka! Mos qëndro aty si hu gardhi! Derisa unë po vuaja, vajza po përgatitej që të largohej. - Janë qentë e tu? - e pyeta shpejt, pasi që kjo ishte gjëja e parë që më ra në mend. Menjëherë u zemërova me veten. Çfarë pyetje është kjo? Natyrisht që janë të saj, me siguri nuk i ka vjedhur! - Jo, për fat të keq nuk janë, më tha. - Unë vetëm kujdesem për ta. E shikova me habi, nuk e dija se a po tallej me mua. - Beba është e një plakë, ndërsa ky tjetri i një plaku. Pasi që ata nuk mund t'i shëtisin, unë u ndihmoj sipas nevojës. Me siguri që e shikoja ende me habi, sepse ajo vazhdoi me sqarimin. - Më pëlqejnë kafshët dhe kështu kam kombinuar të përshtatshmen me të dobishmen: jam në shoqëri të mirë, ndërsa edhe fitoj para. Por, paratë këtu nuk janë primare - shtoi shpejt. - Me të vërtetë më pëlqejnë kafshët, kështu që punoj në një shoqatë për kafshë të braktisura. Ajo jo vetëm që ishte e bukur, por edhe komunikonte me lehtësi shumë të madhe. Edhe pse nga natyra i mbyllur, i nxitur nga qasja e saj e thjeshtë fillova të flas edhe unë. - Edhe mua më pëlqejnë kafshët. Dëshira më e madhe e imja ka qenë të regjistrohem në veterinë. - Nuk është e mundur! Edhe ty? - më tha. - E pse nuk je regjistruar? - U regjistrova në Juridik. Ajo qeshi përsëri. - Këto nuk kanë edhe shumë lidhje njëra me tjetrën, apo jo? - Nuk kanë - u pajtova me të. - E, pse atëherë? Nuk dëshirova që t'ia tregoj të vërtetën se nëna më ka shtyrë që ta bëj një gjë të tillë, por megjithatë ia thashë. Kur përsëri filloi të qeshë, iu bashkëngjita edhe unë. Një gjë e tillë, me të vërtetë ishte qesharake, që një djali të rritur nëna t'i tregojë se me çfarë të merret në jetë! - Çfarë thua të dalim sonte për pije dhe ta vazhdojmë këtë bisedë? - pyeta duke menduar se jam me të vërtetë i marrë që e ftoj një vajzë, së cilës as emrin nuk ia dija. - Bën - më tha dhe menjëherë e largoi dyshimin tim. - Pasi që nuk u prezantuam, unë jam Leonora - më tha duke ma zgjatur dorën. Isha shumë i emocionuar si kurrë më parë. Në shtëpi më dukej se shkoja duke fluturuar, duke kënduar gjatë tërë rrugës.

- Edhe? Kush është ajo, Florian? - më pyeti nëna kur i tregova se jam duke dalë në takim. - Me siguri e ke takuar në fakultet. U përmbajta dhe nuk qesha. Vetëm po ta dinte se ku e kam takuar. Siç edhe më thoshte përshtypja e parë, Lea në secilin aspekt ishte një vajzë e veçantë. Ishte e bukur, e njëkohësisht modeste dhe e thjeshtë. Kur u takuam, më tregoi se prindërit e saj janë të varfër. Nëna i punonte në një fabrikë, ndërsa babai në pension të parakohshëm. Dëshironte që të studiojë, por familja e saj nuk kishte para të mjaftueshme për ta shkolluar. Mendonte se do të mund ta financonte studimin, duke punuar dhe me shpresë të madhe dhe me plot ëndrra kishte ardhur në kryeqytet. Për fat të keq, paga në butikun në të cilin punonte ishte shumë e vogël, saqë mezi ia dilte që me të t'i mbulonte shpenzimet. Edhe pse punonte edhe punë të tjera, studimet i duhej që t'i harrojë për një kohë. Megjithatë, siç tha, nuk kishte hequr dorë nga ëndrrat e saj. I dëgjoja fjalët e saj dhe nga momenti në moment po dashurohesha në të gjithnjë e më shumë. Kjo vajzë nuk ishte e bukur vetëm nga jashtë, por ishte edhe e vlefshme, e mençur, e ndershme, modeste.

Me një fjalë, ideale! Në fund të takimit e dita që pikërisht Lea ishte vajza, me të cilën do të dëshiroja ta kaloj jetën. Edhe unë i pëlqeva asaj. E vërejta këtë në mënyrën se si më shikonte. Problemi i vetëm ishte nëna ime. Si t'ia sqaroja asaj që nga të gjitha llojet e vajzave jam dashuruar në një vajzë të varfër. Kur pas disa daljeve pa obligime më në fund e mblodha guximin që t'ia shpreh dashurinë Leas, u gëzova shumë kur e kuptova që edhe ajo ndjente të njëjtën gjë për mua. Lidhja jonë ishte e butë, e mbushur me emocione të thella dhe mirëkuptime. Kur sërish biseduam për studimin tim, më nuk i qeshej. - U lumtë prindërve, por kjo gjë nuk ka qenë edhe aq e mençur - më tha, duke më shikuar me sytë e saj me ngjyrë të detit. - As vetë nuk e si se sa je me fat që ke mundësinë që të shkollohesh. Mos e humb. E dëgjoja me kujdes. Mendimi i saj ishte shumë i rëndësishëm për mua, sepse shumë herë isha bindur që Lea për të gjitha problemet e ka zgjidhjen e duhur. /Vijon/

(Kosova Sot Online)