Ngjarje e vërtetë: Nga kthetrat e nënës më shpëtoi vajza e varfër (2)

  • 22 January 2020 - 15:15
Ngjarje e vërtetë: Nga kthetrat e nënës më shpëtoi vajza e varfër (2)

Kjo është jeta jote dhe do ta jetosh ti, e jo nëna jote. Si mendon një ditë t'i përfaqësosh njerëzit dhe t'i mbrosh në gjykatë kur nuk ke vendosur me vullnet tëndin për atë profesion? E dëgjoja pa e kundërshtuar. Shumë mirë e dija që ka të drejtë, por çfarë mund të bëja? Ajo nuk e njihte nënën time. - Kurrë nuk është vonë, ende mund ta regjistrosh veterinën që të tërheqë aq shumë. Më pëlqente mbështetja e saj. Për herë të parë në jetë dikush ishte krejtësisht në anën time dhe e respektonte mendimin tim. Nuk kishte dyshim, Leonora për mua ishte dhuratë nga qielli. - Çka? Do të hiqje dorë nga juridiku? Dhe atë tani kur e ke regjistruar vitin e dytë? - bërtiti nëna me histeri kur një mbrëmje i tregova për qëllimet e mia. Në fakt, pas bisedave të gjata me Leonorën, kuptova që me të vërtetë nuk ka kuptim që ta shkatërroj jetën time vetëm për t'ua plotësuar dëshirat të tjerëve. - Kam menduar nënë dhe kam ardhur në përfundim që kështu është ë së miri. Përveç kësaj, edhe Leonora mendon... - Aha, kjo qenka arsyeja! - tha duke kërcyer nga vendi ku ishte ulur. - Leonora qenka arsyeja! Ajo, pra, qenka duke ta mbushur kokën me ato marrëzi.

E kam vërejtur që ke ndryshuar prej që je njoftuar me të. Por, kush është në fakt ajo? Pse nuk më ke njoftuar ende me të? Heshtja duke mos ditur çfarë t'i them. Në një gjë isha i sigurt, në atë moment ishte tepër e zemëruar dhe nuk mund t'ia thosha të vërtetën. - Dhe pse të këshillon të largohesh nga juridiku kur ajo edhe vetë studion? - vazhdoi me pyetje, edhe pse nuk kishte marrë përgjigje për të mëhershmen. - Ajo nuk është duke më këshilluar dhe ajo nuk është e regjistruar në juridik - i thashë më në fund. - Po a? E çfarë studion ajo? - më tha me zë të lartë. - A ka rëndësi çfarë studion ajo? - bërtita unë. - Me rëndësi është se unë nuk dëshiroj të bëhem avokat dhe ti nuk mund të ma imponosh dëshirën tënde! Natyrisht isha i gatshëm për reagim të bujshëm, por jo edhe në uraganin që më goditi. E dëgjova për një kohë bërtitjen e saj, e më pas, duke e parë se nuk mund ta qetësoj, dola nga shtëpia. - Kthehu! Kthehu menjëherë këtu! Ende nuk kam përfunduar me ty - e dëgjoja duke bërtitur, por nuk i ktheva. E vetmja për të cilën mund të mendoja ishte Leonora. U nisa në drejtim të butikut ku punonte. Vetëm ajo mund të më qetësonte tani. - Edhe, si kalove? - më pyeti me padurim sapo më pa. Isha shumë i tronditur që të flas në lidhje me të para të tjerëve. - Do të të tregoj më vonë. Kur të jemi vetëm. Një orë më vonë, kur e përfundoi punën, dolëm për kafe. Derisa i tregoja për bisedën, ndjeva sërish ngërçe në lukth. Leonora më shikonte me dhembshuri. - Mos u brengos, do të qetësohet ajo. Çdo gjë do të bëhet mirë, do ta shohësh - më ngushëlloi. Natyrisht pa sukses sepse ajo nuk e njihte nënën time siç e njihja unë. - Më njofto me të! - më tha Leonora duke m'i ndërprerë mendimet. - Ndoshta do t'ia dal që ta bindi që je ti ai që duhet të vendosë. - Jo, assesi! - i thashë unë. - Por, jam e sigurt që unë do të mund të bisedoj më lehtë me të - këmbënguli. E pranoj. Isha qyqar. Nuk guxoja t'i hem që nëna ime do të çmendej po të kuptonte se isha në lidhje me një vajzë e cila, sipas kritereve të saj, nuk është mjaftueshëm e mirë për mua. Megjithatë i premtova që do ta njoftoj me prindërit gjatë fundjavës.

Për ditë të tëra e prita momentin e duhur që t'i tregoj nënës për Leonorën, e atëherë të shtunën në mbrëmje e vërejta që është duke kaluar afati i fundit. - Pse mu tani po e sjellë atë vajzë në shtëpi? - më pyeti kur i thashë se do ta ftoj në drekë të dielën. - Mjaft befasi më ke bërë këtë javë, nuk kam nevojë edhe për një! Situatën e shpëtoi babai im. - Vetëm sille ti, biri im. Nëse i ke premtuar vajzës se do ta njoftosh me ne, natyrisht që duhet ta bësh një gjë të tillë. Me siguri do të më vinte më mirë që të mbetej sipas mendimit të nënës dhe të anulohej dreka e së dielës, por si do t'ia sqaroja këtë Leonorës? - Ti qenke pra ajo vajza që e ka ndryshuar birin tim aq shumë kohëve të fundit - tha nëna sapo e pa Leonorën. E pafajshme dhe naive, Leonora vetëm pohoi me kokë. U ulëm për të ngrënë drekë. Ndihmësja jonë shtëpiake e solli supën në tavolinë kur nëna ime ia drejtoi shikimin e saj të famshëm Leonorës. (vijon)

(Kosova Sot Online)