Roman dashurie: Punë fati (8)

  • 26 January 2020 - 15:06
Roman dashurie: Punë fati (8)

Për tashmë disa ditë nuk ke dalë. A është çdo gjë në rregull me të dashurin tënd? a - Pse po të intereson lidhja ime? - Normal që më intereson! Fakti që nuk të pyes asgjë nuk do të thotë se nuk brengosem për atë që ndodhë. Por, pres që nganjëherë edhe vetë të më tregosh ndonjë gjë, në mënyrë që të mos duket sikur po i fus hundët aty ku nuk e kanë vendin. - Do të takohem me të nesër. Ishte e sigurt që me këtë do ta shuante kureshtjen e nënës, por gaboi. -A je e lumtur me të? - Nënë, je duke më befasuar. -Më fal që po pyes, por disi më dukesh sikur gjithçka të duket njëjtë, sikur je indiferente në lidhje me faktin se a do të shkosh diku sonte apo jo. - Ashtu edhe është deri diku. Unë dhe Çuni nuk e kemi një lidhje që ofron hapësirë për ndjenja më të thella. -Pra nuk është e një karakteri të qëndrueshëm? -Nuk është.

-E a je e interesuar që të njihesh me dikë me të cilin do t'i kishe ato ndjenja? - Nuk e di. Pas asaj që kam përjetuar në lidhjen për të cilën kam menduar se do të zgjasë deri në fund të jetës, nuk jam e sigurt nëse do të dashuroj përsëri. Por, kurrë nuk dihet. Ndoshta edhe mua, sikur Gonës, më ndodh që ta takoj dikë dhe bota të më ndryshojë për pesë minuta. Qeshi hidhur e vetëdijshme se me sa ironi e tha këtë të fundit. Anita nuk do të binte në joshje të shkurtër të ndonjë konsumatori, e as që do të dashurohej në një person që fsheh informatat personale. Ajo nuk ishte e dashuruar në Çunin, e dinte një gjë të tillë. Por, ai në atë moment ishte mashkulli më adekuat, me të cilin e mashtronte vetminë. - Unë mendoj se do ta takosh dikë, të cilin do ta dashurosh. Zëri i nënës ishte i mbushur me vetëbesim, më saktësisht, tingëlloi sikur zëri i një fallxhoreje që përpiqet që të ndikojë në njerëz. -Nuk ka rëndësi, hajde të hamë darkë e t'i harrojmë ato marrëzira. Por nëna nuk ishte e interesuar për darkën. Duke e shikuar të bijën, me tonin e njëjtë i tha: - Do ta gjesh dikë që do ta dashurosh Anita. Vetëm jam e sigurt se para kësaj do të mundohesh shumë derisa ta kuptosh ose derisa ta meritosh dashurinë. -Do të thuash se unë nuk e meritoj dashurinë? Nëse dikush e meriton nënë, atëherë jam unë ajo, kam kaluar dy vjet me njeriun që zemrën time e mbante me rrahje. Së paku ty nuk kam nevojë të të tregoj se si duket një gjë e tillë.

Edhe ti e ke pasur një të tillë në shtëpi. Por e sheh, as ti nuk je dashuruar më. Pse atëherë më thua me siguri se do ta gjej unë? -Sepse ti e dëshiron dashurinë e një mashkulli. Kur vdiq babai yt, mua më ra një gur nga zemra, sepse isha në gjendje që të fle pa frikë dhe të mos mendoj se në çfarë kohe do të kthehet, në çfarë gjendje do të jetë dhe ku do të më godasë së pari. Unë as që kam menduar më për një lidhje të re. Por, ti dëshiron dashuri. Për këtë arsye edhe je me atë politikanin edhe pse di që lidhja nuk do të zgjasë. Thjesht nuk mund të pajtohesh me faktin që nuk ka dashuri të lumtura. Për këtë jam e sigurt se do ta gjesh, por së pari duhet të mësosh se si janë dashuritë e pafat për ta vlerësuar tënden. /Vijon/

(Kosova Sot Online)