Roman dashurie: Punë fati (9)

  • 27 January 2020 - 15:01
Roman dashurie: Punë fati (9)

- Nënë, mos fol marrëzira. Shumë mirë e di se çka është dashuria e pafat. Këtë e kam provuar në lëkurën time. Kam hëngër aq shumë dajak, saqë ta kuptoj se si është të jesh e pafat afër njeriut që e do. - Por, nuk e ke kuptuar si është kur nuk je e lumtur afër njeriut të cilin nuk e do. - Vetëm edhe kjo më mungon. Kur je me dikë të cilin nuk e do, aty as që bëhet fjalë për dashuri, apo jo? - Ndoshta ka ndonjë lloj tjetër të dashurisë... - Sot qenke disi filozofike, nënë. - Ndoshta. Por, jam e tillë meqë kam parë një ëndërr të çuditshme. Kur u zgjova, të gjitha këto që t'i thash, i kisha në mendje. - Çfarë ëndrre? - Nuk më kujtohet mirë, por e di se në gjumë të kam parë sesi rrije ulur nën një lis, e mbaje dikë në krahë dhe mundoheshe që të mos qaje. Ai dikush qeshte dhe të shikonte plot shpresë, por ti e kishe shikimin të drejtuar në largësi, duke shikuar dikë tjetër, dikë që qëndronte në një breg të largët duke të të pritur. - Broçkulla! Kjo ëndërr qenka krejt mjegullnajë.

- Ndoshta edhe është, Anita. Por, unë e kam përjetuar atë që ti përjetoje në ëndërr. Vuaje sepse nuk mund ta lije atë që të kish rënë në prehër, por zemrën ta kishte marrë ai që të priste. - E, çka bëra në fund? - Nuk e di... Vetëm më kujtohet se të jepja kurajë që të ngriheshe dhe të niseshe me tërë fuqinë tënde. - Nëna ime, mos ua vër veshin kaq shumë ëndrrave. Vazhduan që të hanin në qetësi, duke mos këmbyer asnjë fjalë tjetër derisa ranë për të fjetur, me ç'rast i uruan njëra-tjetrës natë të mirë.

KAPITULLI I PESTË

Qeshte me stilin e flokëve të Çunit, por nuk pushonte së vrapuari. Dolën në shëtitje rreth banesës së Çunit dhe aty i zuri shiu, e cila binte si sixhim. Shumë shpejt u lagën deri në palcë, prandaj filluan të vraponin, por stili i rregulluar i flokëve të Çunit shumë shpejt u bë objekt talljeje për Anitën. - Dukesh sikur të ka humbur paruka. Kur arritën te hyrja e ndërtesës së tij, Çuni e përqafoi dhe filloi ta gicilonte, duke e ditur se asaj nuk i pëlqente aspak një gjë e tillë. më kot ajo i thoshte që ta lëshonte. - Po ta kthej borxhin, që talleshe me flokët e mia. Në fund megjithatë e lëshoi, meqë për shkak të piskamës së saj, filluan të dilnin njerëzit në dritare, për të shikuar çka ishte duke ndodhur. - Shiko çka bëre! Tani të gjithë do ta dinë që politikani i cili banon afër tyre, i mundon dhe i gicilon vajzat e gjora. Derisa priste që ai ta gjente çelësin e derës, nga rreth 20 çelësa që i kishte në xhep, u kthye kah rruga në momentin kur autoambulanca me drita të ndezura ishte duke shkuar në pjesën jugore të qytetit. Në atë moment, rrugës duke ardhur ngadalë ishte një veturë e zezë, e cila sikur u ndal pak para saj. Ndriçimi i rrugës nuk ishte i mjaftueshëm që të shihej shoferi, por zemra filloi t'i rrihte më shpejt. Por, automobili ngadalë filloi të largohej dhe asaj iu kthye qetësia. Kur pak më vonë pinin çaj dhe ngroheshin afër oxhakut, Anita rikujtoi atë moment kur e kishte ndier frikën në palcë. - E, pse ti nuk ke sigurim? (vijon) 


(Kosova Sot Online)