Roman dashurie: Punë fati (10)

  • 28 January 2020 - 15:13
Roman dashurie: Punë fati (10)

KAPITULLI I GJASHTË

Mezi priste të nesërmen për t'u takuar me Gonën. - Më duhet të të pyes diçka. A je takuar mbrëmë, rreth orës nëntë me Valonin? - Jo, nuk jemi parë mbrëmë. Ai ka udhëtuar dje dhe do të kthehet pasdite, kështu që do të shihemi sonte. - E, ku ka shkuar? - Te vëllai. E, pse më pyet? - Gona, unë mendoj se ai nuk ka udhëtuar. Mendoj se të ka gënjyer. Unë dje e pashë në dyqan. - Qysh!? - Po, po. Njëqind për qind jam e sigurt se ai ishte. - Prit, prit! A e pe ti atë, a bisedove me të, apo vetëm t'u duk? - Nuk e pash mirë, por jam e sigurt se ai ishte. - Anita, ta dish se nuk është mirë që m'i thua këto fjalë. Nëse nuk je e sigurt, pse më bën merak? A dëshiron të më prishësh me të? Pse të pengon fakti që unë i kam punët mirë? Këtë nuk mund ta kuptoj. Gona vrapoi me lot në sy dhe shkoi në banjë, e Anita vazhdoi që ta shikonte e pafuqishme. Gjatë muajit të ardhshëm edhe dy herë pati ngjarje të pazakonshme, të cilat nuk mundi t'i ndante me Çunin, meqë kishte frikë se ai me të vërtetë do të mendonte se ajo ishte çmendur. Një herë shkoi te ai me taksi, e përtej udhe gjendej ai automobili i zi, i parkuar, i njëjti që e kishte parë atë ditë kur kishte rënë shi. Kur ajo doli nga taksia, automobili i zi u kthye mbrapshtë dhe u largua me shpejtësi.

Herën tjetër Çuni erdhi te ajo, por derisa e priste, pa një djalë sesi vraponte rrugës, zhdukej në një ndërtesë, e më pas i veshur krejtësisht ndryshe, duke dalë jashtë dhe duke e kaluar rrugën mu në momentin kur ajo hynte në automobilin e Çunit. Për fat, Çuni menjëherë e mbushi gazin, kështu që ai djali nuk arriti t'iu afrohej. Anitën e kapi frika.

Nuk mund t'i tregonte Gonës se çka i kishte bërë vaki, meqë Gona nuk donte të fliste me të nga ajo dita kur Anita i kishte thënë se Valoni nuk kishte qenë në udhëtim, por se e kishte parë në dyqan. Disa herë Anita ishte munduar t'i përmirësonte marrëdhëniet me të, bile edhe t'i kërkonte falje, por Gona nuk donte të kontaktonte me personin që ia prishte lidhjen. Anita ishte e sigurt se ajo i kishte treguar fije për pe Valonit dhe se ky i fundit kishte ndikuar që Gona ta ndryshonte qëndrimin për të keq ndaj shoqes, ndaj saj pra. Anitës i vinte keq për krejt këtë situatë, por më shumë kishte frikë, meqë ndjente se, së shpejti, do të ndodhte diçka shumë e keqe. Për këtë shkak edhe kalonte më shumë kohë me Çunin, nuk kërkonte nga ai që të shkonte te ajo, por vetë shkonte. Refuzonte ftesat e tij për të shëtitur dhe mundohej që sa më shumë ta mbante në shtëpi, meqë kishte përshtypjen se aty ai ishte më i sigurt sesa në rrugë. - E di, sikur të mos ishim të dy kështu liberalë, njerëz që nuk besojnë në martesë dhe në dashurinë deri në fund të jetës, atëherë moti do të ishim martuar. Ti je femër ideale për mua. Kohët e fundit ndihem se jam shumë më mirë kur kthehem në përqafimin tënd, sikur ky të ishte pushimi më i mirë për mua. Por, e kam ndjenjën se diçka ka ndryshuar edhe te ti. Më shumë kohë kalon me mua, e disi je edhe më e kujdesshme. Ajo distanca që e kishe vënë në fillim, tani është më e vogël. (vijon) 


(Kosova Sot Online)