Roman dashurie: Punë fati (16)

  • 02 February 2020 - 15:05
Roman dashurie: Punë fati (16)

Dy orë më vonë, rrinte me dy inspektorë në një zyrë të vogël të spitalit. I shikonte me indiferencë derisa i thoshin se ai krim kundër një politikani duhej të ndëshkohej. I bënin pyetje të ndryshme, por asaj mezi iu kujtua se çka ishin duke bërë në atë rrugë. Thjesht, sikur mendja e saj donte të harronte disa orët e fundit. - Zonjë, nuk jeni duke na ndihmuar shumë. E dimë se kjo ishte tronditje e madhe për ju, por ju lusim që të kujtoheni e të na thoni çdo gjë që do të na ndihmonte. Çuni do të mbetet pa një këmbë, e dikush këtë e ka planifikuar. Nga ajo distancë, që kanë shtënë, kanë mundur edhe ta vrisnin, sikur të donin, por është evidente se kanë dashur vetëm ta frikësonin, t'i bënin diçka që do të linte pasoja të përjetshme për të. - Një automobil i zi...

Ata u shikuan me kureshtje. - Çfarë automobili i zi? - Na përcillte. Edhe sonte e edhe ditëve tjera. E njoha. I ishte zgjidhur gjuha. Iu tregoi gjithçka që dinte, që kishte parë, ndier. Iu tregoi edhe për Valonin. Nuk mundte ta tejkalonte asnjë detaj. Në kokë i sillej mendimi se tërë këtë do të kishte mundur ta parandalonte, sikur t'iu kishte kushtuar vëmendje detajeve. Ishte evidente se inspektorët i besonin. Po, tani do t'i besonte edhe Çuni, por ishte vonë. Para tërë kësaj, ai kishte menduar se ishte paranoike. E, edhe vetë kishte pasur dyshime në këtë. Tani gjithçka ishte më e qartë. - Ai Valoni, apo si e quani, a keni edhe ndonjë të dhënë tjetër për të, në mënyrë që ta gjejmë? - Jo, nuk kam. Nuk ka as Gona. Ata i shkruan të dhënat rreth Gonës. Anita ua tregoi të gjitha, sikur ajo të ishte fajtore dhe tani të qiste në kurth bashkëpunëtorët. I duhej ta nxirrte nga vetvetja, meqë me të vërtetë ndihej fajtore. Pasi që inspektorët mbaruan me pyetje, iu falënderuan. - Si është ai? Nuk dinin çka t'i thoshin. - Nuk e dimë. Duhet t'i pyetni mjekët. Për ju më së miri është që të shkoni në shtëpi dhe të pushoni. Sapo të dimë diçka, do t'ju thërrasim. Dolën nga dhoma, e ajo u nis në kërkim të asaj infermieres së vjetër. Nuk e gjeti, por u ndesh në një mjek, i cili ecte me shpejtësi. - Më falni, unë jam dash... shoqja e Çunit. Më tregoni si është ai? Doktori e shikoi dhe e analizoi mirë. - Zonjushë, shkoni në shtëpi! Jeni lodhur tepër.

- Por, më duhet ta di si është. - Këtë nuk mund ta dijë ende askush. E, as ne mjekët. Jemi duke u përpjekur. Por, deri nesër nuk mund ta kemi asnjë prognozë. E, edhe sikur ta kishim, për shkak të hetimeve që janë duke u bërë, me siguri se nuk do të mund t'ua tregonim. Të gjitha informatat do t'i merrni nga policia. Ju shkoni, e pushoni. Çuni do të ketë nevojë për ndihmën tuaj. - Pse ai do të ketë nevojë për ndihmën time? Ajo e bëri këtë pyetje, meqë në zërin e doktorit sikur hetoi diçka. Mjeku e uli kokën dhe i tha me një zë të qetë: - Do ta ketë vështirë ai njeri kur ta marrë vesh se nuk mund të ecë. (vijon)

(Kosova Sot Online)