Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t’i besoja (4)

  • 06 shkurt 2020 - 15:15
Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t’i besoja (4)

 Vogëlushe, të adhuroj. Mezi pres që përfundimisht të bëhesh gruaja ime. Jam i sigurt se atëherë edhe kjo banesë do ta marrë shkëlqimin tënd. Sado që është e rregulluar mirë, shihet se i mungon dora e gruas, apo jo zemër? - e pyeti ai duke buzëqeshur. Për herë të parë prej se jemi në lidhje në kokën time cingëroi alarmi. - A je plotësisht i sigurt se një femër të mërzitshme, si unë, e dëshiron pranë vetes deri në fund të jetës? - e pyeta, duke u munduar që pyetjes t'ia jepja një karakter humoristik. - Cilën femër të mërzitshme? Çka ke, mori? Nuk njoh asnjë femër e cila do të ishte më e përkryer sesa ti. Je e re, e bukur, e rregulluar, e mençur, di të gatuash... Çka do të mund të dëshironte njeriu më shumë? - tha ai dhe ia plasi gazit. Nuk e di se a ishte për shkak të dyshimit tim, por kësaj here buzëqeshja e Orhanit mu duk disi e pasinqertë. Sikur donte të më bindte me dhunë që ne të dy sa më shpejt duhej të martoheshim. Por, me këtë rast, për fat të keq ai harroi ta theksonte një imtësi, për të cilën në atë moment do të jepja gjithçka në jetë. Atë se më do me të vërtetë dhe se, për këtë shkak, nuk mund ta paramendojë jetën pa mua. Mëngjesin tjetër, derisa përgatitesha në dhomën time për punë, Samirja trokiti në derë. - A je për kafe? Në fakt, dua të kërkoj falje. Mbrëmë mendova gjatë dhe kuptova se nuk kam të drejtë të përzihem në lidhjen tënde dhe të Orhanit. Nëse me të vërtetë e do atë njeri, atëherë të dëshiroj të gjitha të mirat - murmuriti, duke lëshuar shikimin. - Çdo gjë është në rregull, Samire. Edhe unë mendova shumë dhe kuptova se ti, në fakt, kishe të drejtë. Më beso, nuk ke pse të më kërkosh falje - iu përgjigja me të vutë. - Në fakt, kam plane dhe do të ishte e mirëseardhur këshilla jote. Me kafe, natyrisht - i thash duke i buzëqeshur, meqë ajo më shikoi plot shpresë.

- Kështu, kam vendosur që ta vë në sprovë besnikërinë e Orhanit, por kësaj here në mënyrën time. Nëse ai me të vërtetë më do, atëherë do t'i rezistojë sfidës, e nëse jo, atëherë sado që do të jetë e dhembshme, të paktën do ta di se ku jam - fillova, derisa pak më vonë në kuzhinë pinim kafe. - Më fal, por nuk jam e sigurt se të kuptova. Çka saktësisht ke ndërmend të bësh për këtë çështje dhe cili do të ishte roli im në tërë këtë mesele? - më tha Samirja duke më shikuar me habi. - Në fakt, tanimë kam një plan. Ty të kam paramenduar si mbështetje morale. Në fakt, nëse je ende e interesuar - shtova në heshtje. - Tani më duhet që të shkoj në punë. Do të të tregoj pasdite - i thash duke u ngutur dhe duke pirë kafen me nxitim. Përnjëherë saktësisht e dija se çka duhej të bëja. Në rrugë për në punë u ktheva në bankë, për ta parë gjendjen e saktë të llogarisë sime. Edhe pse shuma që ma treguan nuk ishte kushedi sa e madhe, e dija se ato para do të më dilnin mjaft për atë që kisha ndërmend ta bëja. Duhej vetëm ta gjeja një person i cili, për ato para, do t'i pranonte kushtet e mia. Atë ditë në zyrën e kontabilitetit, ku punoja tash e disa vjet, assesi nuk ia dilja që të përqendrohesha në punë. Më dukej se edhe Flutura, kolegia nga puna, me të cilën dikur e ndaja zyrën, e kishte vërejtur këtë. - A je mirë, shpirt? - më pyeti me dashamirësi, derisa tentoja të qartësoja mendimet duke pirë kafen time të tretë atë pasdite. - Po, vetëm më dhemb koka pak. Krahas tërë kësaj, sikur të mos mjaftonte, më duhej vetëm edhe të sëmuresha - iu përgjigja, duke bërë me dorë kah llogaritë e pakryera në tavolinë. - Hej, nëse ndihesh kaq keq, atëherë mund ta thërrasim atë të voglën. E di? Atë të renë, që erdhi dje - tha ajo, kur e shikova me habi. - Nuk e dija se kemi kolege të re - thash me habi. - Hm, thuhet se ajo vogëlushja është një kushërirë e largët e drejtorit. Dhe, a e di çka? Meqë obligimet e saj këtu shtrihen midis lyerjes së thonjve dhe përgjigjja e herëpashershme në telefon, në fakt nuk është e vështirë të konstatohet se këtu ka diçka të vërtetë - shtoi me zë të ulur, çka më bëri të buzëqeshja.

- Mirëmëngjesi, drejtori më çoi te ju. Shpresoj të keni punë për mua. - dëgjova të thuhej, pasi që u hap dera dhe aty u paraqit një bionde e gjatë dhe e bukur. - Më falni, nuk u prezantova. Jam Lulja dhe që nga dje kam filluar punën këtu - tha duke buzëqeshur, me ç'rast dolën në pah dhëmbët e saj të bardhë. - Arbnorja, më vjen mirë. E, sa i përket punës, jam e sigurt se do të gjejmë diçka - ia ktheva me buzëqeshje. (vijon)


(Kosova Sot Online)