Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t’i besoja (6)

  • 08 shkurt 2020 - 15:29
Ngjarje e vërtetë: Më mashtronte me këdo, por unë vazhdoja t’i besoja (6)

Nëse deri atëherë edhe isha e tensionuar, dëshpërimi im u plotësua kur të nesërmen, gjatë pauzës, në zyrë hyri Lulja e tëra e entuziazmuar. - Hej, a je vetëm? - më pyeti duke shikuar përreth. - Supozoj se nuk do të të pëlqejë tepër kjo që do të ta them, por marrëveshja është marrëveshje, apo jo? - filloi ajo, me çka më shkaktoi një dhembje të fortë në lukth. - Mbrëmë, pas orarit të punës, shkova te Oki. Gjeta një arsyetim, të cilin ai e besoi - vazhdoi ajo e entuziazmuar, duke fërkuar duart. - E... si po mendon? - arrita të thosha unë. - Shumë thjesht. Të mos e zgjas, më ftoi të hyja brenda, më ofroi pije dhe kaluam gati dy orë duke biseduar, e më pas thirre ti. Shoqe, më duket se gjërat janë duke shkuar shumë më lehtë sesa që kam menduar - ma sqaroi ajo, e pasi që pa ofendimin në fytyrën time, e zbuti paksa muhabetin. - Por, natyrisht, kjo ende nuk d.m.th. asgjë. Nëse më kupton se çka dua të them …

- Në rregull është, mos ta ndien - i thash duke u dridhur edhe pse më me dëshirë do të bërtisja me zë nga sikleti që ndjeja. - A, po! Harrova të të tregoj se të shtunën do të shkojmë në kinema. Në fakt, më së pari në darkë, e pastaj në kinema, por kjo nuk ka aq shumë rëndësi … - Qen bir qeni! E mua më dërdëlliti rreth njëfarë karantine - nuk u durova pa thënë. - Shiko, nëse dëshiron, unë mund të heqë dorë - tha ajo e shqetësuar, pasi që vërejti lotët në sytë e mi. - As në ëndërr! Vazhdojmë deri në fund.

Por, herën tjetër të lutem mos mi trego detajet, OK? - mezi arrita t'i thosha. - Natyrisht, më fal - më tha ajo me dhembshuri. Ajo m'i dha edhe disa fotografi, ku shihej tradhtari duke e përqafuar me pasion Lulen. Fakti që gjatë tërë kohës paskam qenë e verbër, përkundër dy syve në ballë, më nervozonte më së shumti. Derisa "i dashuri im" Orhani shkonte lule më lule, duke mbledhë nektarin, unë e gjora iu besoja me naivitet rrenave të tij. Ishte koha e fundit që ta ndërprisja rolin e budallaqes. Pas gjysmë ore qëndroja para derës së banesës së Orhanit, me fotografitë në dorë. - Hej, e dashur, kah dole ti? A nuk do të duhej të ishe ende në punë? - më pyeti pasi që ma hapi derën. - Dola pak më herët. Për fat Lulja, përndryshe kolegia ime e zyrës, mund të më zëvendësojë në çdo aspekt - nuk u durova pa e therë paksa. - Lulja? - më tha ai, gjoja i hutuar, derisa në sy i shihej shqetësimi. - Shpresoj se nuk të shqetëson shumë? Sapo e përgatita çajin. A e do një? - u mundua që ta ndërronte temën. - Jo, more! Ajo nuk më shqetëson aspak. Për dallim nga disa-disa, ajo është krejt në rregull - iu përgjigja duke ia ngulur sytë. - Mirë, de! Nëse dëshiron mundemi që të dalim të gjithë një ditë, në darkë. Dua të them, shoqet tua janë edhe shoqet e mia - filloi të dërdëlliste. - Nuk do të ketë nevojë për këtë. Ti e njeh atë tanimë shumë mirë, e nëse ke harruar, ja ku i kam dëshmitë - i thash, duke gjuajtur para tij zarfin me fotografi. Derisa ai i tmerruar shikonte fotot, unë përfundimisht u binda se bëra atë që duhej ta bëja tash e shumë kohë më parë. - Arbnore, shiko! Ajo femër për mua nuk ka kurrfarë rëndësie... - Sikur as unë, apo jo? Hiqmu qafe Orhan. Më nuk dua të të shoh kurrën e kurrës - i thashë dhe u largova. Tani, disa muaj më vonë, në lidhjen e re, ndihem sikur të kisha lindur për herë të dytë. Përfundimisht kuptova se dashuria e vërtetë nuk është vetëm të japësh, por edhe të marrësh. Ndoshta Meritoni nuk është aq i pashëm sa ishte Orhani, por me butësinë dhe kujdesin e tij, nga dita në ditë ma bënte me dije se si ai ishte mashkulli i vërtetë për mua. Edhe pse Orhani vazhdoi një kohë të më thërriste pa ndërprerë, unë nuk ia hapja telefonin. Thjesht, nuk kisha më çka t'i thosha.

Lidhja jonë i takonte së kaluarës dhe doja që gjërat të mbeteshin ashtu. Motra ime, Samirja, ishte tepër krenare kur pa se sa shumë kisha ndryshuar. Edhe pse në fillim ma pa për të madhe për mënyrën sesi e kisha zënë Orhanin me pelë për dore, më pas u pajtua se ajo ishte mënyra më e mirë e mundshme. E, Lulja? Ndoshta tingëllon çuditshëm, por sot e kësaj dite ajo është shoqja ime më e mirë. Sikur të mos ishte ajo, me gatishmërinë e saj që të më ndihmonte, me gjasë ende do të isha viktimë e një lidhjeje të keqe, për këtë shkak do t'i jem falënderuese deri sa të vdes për atë që bëri për mua. (FUND)


(Kosova Sot Online)