Ngjarje e vërtetë: Si tentoi vjehrri të më dhunonte (1)

  • 13 February 2020 - 15:17
Ngjarje e vërtetë: Si tentoi vjehrri të më dhunonte (1)

- Met, a me të vërtetë të duhet t'i gjuash rrobat gjithandej në shtëpi? - e pyeta me nervozizëm, pasi që pash se mashkulli i jetës sime, në vend se në shportën e rrobave të palara, pallton e tij të lagur e kishte lënë në dhomë të ditës. Ai sapo ishte kthyer, nëpër shi, nga ndërrimi i natës në spital dhe, duke qenë se një ditë më parë kisha pastruar shtëpinë me themel, nuk mund ta toleroja një sjellje të tillë. Derisa ai, me pallton në dorë, mezi ecte, duke tërhequr këmbët zvarrë, në drejtim të banjës, nuk më brente aspak ndërgjegjja. Gjithmonë kam qenë pedante dhe, përkundër asaj që, qysh në takimin e parë, ishte e qartë se Meti kishte një qëndrim tjetër në lidhje me këtë gjë, bëja gjithçka që edhe te ai ta krijoja ndjenjën e pastërtisë dhe rendit. - Më fal, nuk e bëra me qëllim. Nuk ke nevojë menjëherë të zemërohesh - më tha paksa i prekur, pasi u kthye nga banja. Pasi vërejta sa i lodhur ishte, zemërimi im, sikur edhe shumë herë më parë, filloi të zbutej.

- Natë e mundimshme, a? - e pyeta me zë të butë, duke ia shprishur flokët. - Goxha shumë, por kur mendoj më mirë, mendoj se megjithatë, më ka mbetur edhe pak fuqi. Më vonë edhe ashtu na duhet të merremi vesh se ku do ta presim Vitin e ri - më tha duke bërë shaka dhe duke më tërhequr kah vetja. Nuk vonoi shumë dhe buzët tona u bashkuan në një puthje epshore dhe ndjeva sesi, përkundër zemërimit fillestar, por edhe problemeve me lukth, edhe këtë mëngjes do të përfundoja në krahët e tij. Pak më vonë, derisa të këputur nga lodhja, por të lumtur, rrinim të përqafuar në shtrat, Meti përsëri e përmendi çështjen e pritjes së Vitit të ri. - E di se nuk të pëlqen aq shumë, por "të mitë" na kanë thirrur në darkë. Dua të them, nuk kemi nevojë të rrimë tepër gjatë atje. Njoftohuni mirë, më pas do të hamë darkë, e tani mund të shkojmë tutje. Jam i sigurt që nëna dhe babai nuk do të zemërohen për këtë - shtoi ai. - Nuk e di, nuk jam e sigurt. Ndoshta është më mirë të presim edhe pak - u mundova të shpëtoja, meqë thënë sinqerisht, nuk më pëlqente aspak ideja që natën më të "trentë" të vitit, ta kaloja në një bisedë kurtuazie me prindërit e Metit. - Nuk ke nevojë të vendosësh menjëherë. Ka ende kohë deri atëherë, por... Me të vërtetë, për mua do të kishte rëndësi të madhe të vije me mua dhe të njoftohesh me prindërit e mi. Fundja, ne nuk do të jemi mysafirët e vetëm në darkë. Nëna i ka ftuar edhe disa miq, kështu që... - u ndal ai në siklet, duke pritur përgjigjen time. - A kam alternativë? Edhe ashtu, koha është që të njoftohemi - thash duke ofsharë, disa sekonda më vonë. - Faleminderit, e dashur! Por, kjo nuk është e tëra. Çka thua që, më vonë, të shkojmë në një ndejë te Niku, kolegu im i punës? Aty do të jenë të gjithë shokët e repartit, me kostume dhe me të dashurat e veta. Ma merr mendja që do t'ia kalonim për mrekulli - insistonte ai, derisa përfundimisht lëshova pe edhe një herë. Pasi që më puthi i ngazëllyer, u kthye në krah dhe fjeti menjëherë. Derisa e shikoja frymëmarrjen e tij të njëtrajtshme, ndjeja sesi më kaplonte një dashuri e zjarrtë. Metin e kisha takuar rastësisht në spital, ku kisha shkuar ta vizitoja një kolege të punës. Pas një aksidenti të lehtë të trafikut, Valbonës i duhej që të qëndronte pak në spital.

Derisa isha duke ecur shkallëve lartë, me një qese me pemë në njërën dhe me lule në dorën tjetër, dëgjova një zë që më erdhi nga prapa. - Më lejoni t'ju ndihmoj. Jeni duke vizituar dikë? - më pyeste një mashkull leshzi i veshur me rroba të mjekëve, derisa ma merrte qesen nga dora. Kur shikimi im ndeshi në atë të tijin dhe kur pash sytë e tij inteligjentë, të kaftë, ndjeva sesi kisha filluar të skuqesha. - Po, kësi... e kam shoqen këtu, diku... - fillova të belbëzoja. - Nëse ma thoni emrin e saj, jam i sigurt se mund t'ju ndihmoj. Më falni, nuk u prezantova. Jam Meti, njëri nga mjekët - tha ai. - Valbona - thash e shushatur. - Më vjen mirë, Valbona - tha ai, duke ma zgjatur dorën. - Jo, jo! Quhem Merita. Unë jam Merita - vazhdova të flisja si e përgjumur, derisa duart na u bashkuan. Pasi që pash se ai mi kishte ngulur sytë, kuptova se tani ishte ai që nuk kuptonte send. - Do të doja sikur të përcaktoheshit njëherë e mirë - më tha ai, paksa i shqetësuar. - Unë jam Merita, e Valbona është shoqja ime, të cilën kam ardhur ta vizitoj - përfundimisht ia dola t'ia shpjegoja situatën. (vijon) 


(Kosova Sot Online)