Ngjarje e vërtetë: M'i mori mendtë me pamjen e tij të bukur (1)

  • 18 February 2020 - 15:16
Ngjarje e vërtetë: M'i mori mendtë me pamjen e tij të bukur (1)

Edhe pse urrej t'ia pranoj këtë vetes sime, kur kthehem dhe e analizoj martesën tonë, më bëhet e qartë se, në fakt, kurrë nuk ishim përshtatur në shtrat. Të gjitha ato ofshamat dhe "fishekzjarrët" që përshkruhen në romanet e dashurisë, për mua kanë mbetur plotësisht të panjohura. Duket se shkëndija e magjisë nuk ka ekzistuar kurrë te ne. Kisha një parandjenjë të fortë se Nexhi fshehurazi masturbonte, por përkundër kësaj, e doja dhe jetoja me shpresë se gjërat do ta merrnin të mbarën. Një pasdite, kur isha duke u kthyer nga puna në shtëpi, e gjeta me supe të mbledhura, sesi rrinte ulur pranë tavolinës. Para vetes kishte një shishe birre, e në bazë të pamjes së tij, mund të konstatoja se ajo nuk ishte birra e tij e parë atë ditë. - Hej - u habita kur e pash në shtëpi, në atë pjesë të ditës. - Gjithçka në rregull? - Çfarë rregulli, more - më tha me zë të keq. - Ata idiotët më pushuan nga puna! - Por, pse? - e pyeta me dhembshuri. Menjëherë më erdhi ta përqafoja dhe ta ngushëlloja, por meqë e dija se atij nuk i pëlqenin sjelljet e tilla, vetëm ia qita dorën në krah. - Më caktuan t'i ruaja ato ndërtesat në periferi të qytetit. Mbrëmë plasi një zjarr dhe dy ndërtesa u shkatërruan. I thirra zjarrfikësit dhe bëra krejt çka munda, por më kot. Ai e piu një gllënjkë birrë. - Më thanë se nuk kisha reaguar mjaft shpejt. Paramendo! - E, si u shkaktua zjarri? - e pyeta e tmerruar. - Ku ta di unë? Nuk e di! - u shfry ashpër në mua dhe, duke u ngritur nga karrigia, doli nga dhoma. Biseda mbaroi me kaq.

Pas pushimit nga puna, Nexhi filloi të mbyllej në vete gjithnjë e më shumë. As përpara nuk është se qante hallet me mua, por tani më dukej edhe më i largët dhe më i çuditshëm. Mundësia e vetme që të mësoja diçka për të kaluarën e tij, ishte kur ai dehej. Atëherë i zgjidhej gjuha dhe mund të merrja ca informata të shkurta rreth të kaluarës së tij. Sa iu përket prindërve të tij, për ta nuk fliste as kur ishte i dehur. - Më kanë braktisur kur kam pasur dy vjet dhe më kanë lënë te gjyshja dhe gjyshi - më thoshte me zemërim, sa herë që e pyesja. - E sa të mallkuar ishin gjyshi dhe gjyshja, vetëm ta dije! Sidomos gjyshi! Kjo ishte tërë ajo që dija për fëmijërinë e tij, derisa një ditë në shtëpinë tonë nuk erdhi një mysafir i paftuar. - Ky është kushëriri im, Maliqi - ma prezantoi Nexhi djaloshin të cilin e gjeta në dhomën tonë të ditës. - Miki - më tha ai, duke ma zgjatur dorën. Ishte leshverdhë, me sy të çeltë dhe me gjatësi mesatare trupore. Aspak nuk ngjante me Nexhin. Pasi që Miki u largua, Nexhi më tha në besim: - Ai ka nevojë për ndihmën tonë. E kanë liruar me kusht. - Pse, çka ka bërë? - e pyeta, e nervozuar në që shtëpi kishim një ish të burgosur. - Asgjë. Ndonjë vjedhje të vogël, a diçka të ngjashme - më tha duke rrudhur supet. - A ka pasur të lënduar me atë rast? - unë vazhdoja të insistoja. - Nuk e di. Dhe, mos më bëj më pyetje të marra! Më pas u bë e rëndomtë t'i gjeja Mikin dhe Nexhin duke biseduar. Një ditë, nuk u durova pa e pyetur burrin, se a kishte filluar të kërkonte ndonjë punë. Në fakt, kishte kohë që ai nuk e kishte përmendur këtë temë. - Natyrisht se jam duke kërkuar punë. Para ca ditësh e dorëzova një lutje në polici! - më tha ai kryelartë. - Shumë mirë. Por, a mendon se, me përvojën që ke, ke gjasa të të punësojnë aty, a? Këtë nuk do të duhej ta thosha, meqë ai u nervozua pa masë. - A budalla po të dukem, a? - Jo, çfarë budallai, more? - u nguta që t'ia largoja atë mendim. Desha t'i thosha se megjithatë, nuk ishte i kualifikuar që të punonte në polici, por megjithatë heshta. Dy javë më vonë, derisa isha duke e përgatitur darkën, Nexhi më tha me krenari se kishte gjetur punë. - Ku? Kur do t'ia nisësh? - e vërshova unë me pyetje. Isha e lumtur, meqë nuk e kishim lehtë të jetonim me një rrogë.

- Gjeta punë si sigurim në një klub nate, e sonte do të filloj të punoj! - Oh, ky është një lajm i mirë! - thash duke rrahur duart. - Jam kaq krenare me ty. I zgjata duart që ta përqafoja, por ai u largua. Pasi që Nexhi shkoi në punë atë mbrëmje, e unë mbeta në shtëpi vetëm me Mikin, kuptova se kisha rastin unik që të mësoja diçka më shumë rreth burrit tim. Maliqi dhe unë ishim duke shikuar TV-në, kur unë vendosa ta pyesja. - A jeni rritur bashkë ti dhe Nexhi? - Po, mund të thuhet kështu - më tha ai, duke u mbështetur më mirë në kolltuk. - Nexhi ishte fëmijë i çuditshëm. Ndoshta për shkak se prindërit e braktisën derisa ishte fare i vogël. Por, as prindërit e mi nuk ishin shumë më të mirë. Im at dhe babai i tij janë vëllezër. (vijon) 


(Kosova Sot Online)