Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë me pamjen e tij të bukur (4)

  • 20 February 2020 - 15:11
Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë me pamjen e tij të bukur (4)

Kur u ktheva në shtëpi atë pasdite, në dhomën e ditës e gjeta Nexhin, duke biseduar me një njeri të panjohur. Frika, të cilën e kisha ndrydhur gjatë tërë ditës, mu kthye sërish. - Inspektori është duke hetuar zjarrin në klub - më tha me gjakftohtësi Nexhi. - Unë jam duke i ndihmuar që ta zgjidhë këtë rast, apo jo, inspektor? Inspektori fërkoi me dorë fytyrën e tij të madhe, me rrudha dhe buzëqeshi i habitur. - Po, po. Çdo informatë është e mirëseardhur - tha, e më pas shtoi: - Sapo po i thosha burrit tuaj se zjarri ishte shkaktuar me qëllim. - A e dini, ndoshta, kush është zjarrvënësi? - mezi ia dola të thosha. - Po - mu përgjigj ai, duke e drejtuar shikimin kah Nexhi. - Besojmë se bëhet fjalë për një amator. Zjarri është shkaktuar me benzinë. Profesionisti do ta bënte këtë në një mënyrë më të sofistikuar. Dukej sikur ai thoshte se si zjarrvënësi ishte budalla dhe me atë rast shikonte reagimin e Nexhit. - Pse thoni kështu? - tha burri im, duke brofur në këmbë. Ndjeva një dhembje të madhe në bark dhe një tension në dhomë. Me qëllim që ta zbusja pak këtë tension, u përzjeva në bisedë. - Dëgjova se si e përshkruanin psikologët kryesin e veprës. - Po, me gjasë mirë e kanë përshkruar - pohoi inspektori me një të tundur të kokës. - Problemi më i madh është se ai, me gjasë, do ta shtojë veprimtarinë e vet. Piromanët gjithmonë e bëjnë një gjë të tillë. Për një moment mbretëroi një heshtje e rëndë, të cilën e theu Nexhi.

- Inspektor, shpresoj se do ta zini keqbërësin - tha ai duke shkuar deri te dera. Inspektori u ngrit dhe ma zgjati dorën, duke më përshëndetur. - Ne do të shihemi përsëri - më tha ai, duke e rritur kështu edhe më shumë supozimin tim, se ai dyshonte në Nexhin. Më së keqi ishte se atë dyshim e kisha edhe unë. Muajt në vijim kaluan shumë shpejt. Përkundër tempit të përshpejtuar në punë, përpiqesha që t'i përcillja rregullisht gazetat, për të mësuar më shumë rreth zjarreve të shkaktuara me qëllim. Nexhi disi ia doli që ta mbante punën, e klubi i natës u rinovua dhe sërish ia nisi punës. Unë në ndërkohë kisha filluar ta kritikoja veten që kisha dyshuar në të. Me gjasë ka qenë rastësi shpërthimi i zjarrit në vendin e tij të punës, mundohesha ta bindja veten time. E, më pas, një ditë, Miki përsëri erdhi te ne. - Tung, njerëz! Erdha unë! - tha ai, sikur të ishte kthyer nga pazari, e jo nga burgu. - A mund të rri disa ditë te ju? Dukej sikur Nexhi kësaj here nuk ishte i entuziazmuar nga kjo ide, por megjithatë pranoi dhe Miki menjëherë u vendos në kolltukun e dhomës tonë të ditës. Disa ditë më vonë, derisa Vlera dhe unë ishim duke drekuar, ajo fishkëlleu duke e shikuar gazetën. - Shih ti! Përsëri zjarr! Nejse, kësaj here më i vogël, por megjithatë... Ndjeva sesi më therte zemra. Jo, more, kjo nuk mund të kishte lidhje me Nexhin, mundohesha ta largoja frikën. E, më pas ndodhën edhe zjarre të tjera. I fundit i fundit ndodhi në një shtëpi pleqsh dhe dy nga banorët e kësaj shtëpie ishin në gjendje të vështirë shëndetësore, për shkak të tymit. Pasi që, pas leximit të këtij lajmi, isha duke u kthyer në shtëpi, i gjeta Mikin dhe Nexhin duke e komentuar zjarrin me entuziazëm. Bisedonin për këtë temë, sikur të flisnin për ndonjë film të mirë. Unë ua thash mendimin tim rreth asaj teme, por pasi që ata nuk reaguan, u zemërova dhe shkova në kuzhinë.

Desha që ta pija një gotë ujë, kur dëgjova vazhdimin e bisedës së tyre. - Dhe, kështu thua ti? Pleqtë ikën si të pakrye, apo jo? - dëgjova Mikin duke thënë. - Ende jo, por me gjasë do të ikin shumë shpejt, meqë iu janë mbushur mushkëritë me tym. Por, as ky nuk do të ishte ndonjë dëm - iu përgjigj ftohtë Nexhi. - A të kujtohet sesi ne, kur ishim fëmijë, shkaktonim tërë ato zjarre, duke u argëtuar si mos më mirë? Në dhomë mbretëroi një atmosferë e rëndë. Prisja ta dëgjoja përgjigjen e Nexhit, por ajo nuk dëgjohej. Atëherë vërejta se më dridhej dora, me të cilën kisha kapur gotën. Atë natë mezi më mori gjumi. Në kokë më silleshin fjalët e fundit të Mikit dhe situata e rëndë që u shkaktua më pas. Gjumi më zuri pak para agimit. Të nesërmen në punë më priti Vlera e shqetësuar. - Ka ardhur njëfarë polici - më tha me nervozizëm, duke kërcitur gishtat. - Thotë se dëshiron të flasë me ty. Zemra më rrihte si e marrë, derisa isha duke shkuar në zyrën ku më priste inspektori. Fytyra e tij kësaj here mu duk edhe më e rrudhur, sesa kur e pash herën e kaluar. Ishte evidente se ishte shumë i shqetësuar. (vijon) 

(Kosova Sot Online)