Roman dashurie: Punë fati (36)

  • 22 February 2020 - 15:19
Roman dashurie: Punë fati (36)

Mendonte, por krejt çka arriti t'i binte ndërmend ishte frika sesi Çuni do të reagonte nëse fotot e saj duke u puthur me vëllain e tij do të bëheshin publike. - Alo? A u morëm vesh? - Kur? - A ju konvenon nesër, diku në qendër, në ndonjë kafene? - Do t'i sillni fotografitë? - Natyrisht.

KAPITULLI I NJËZET E TRETË

Në kohën e dakorduar ajo rrinte ulur në kafene dhe me nervozizëm përziente sheqerin e kafes. Shikonte përreth, duke pritur atë gazetar të poshtër, i cili ia doli që ta bindte për intervistë. Por, i ishte dashur që të pranonte, sepse sikur të publikoheshin fotot nga teatri, atëherë kjo do të ishte gjëja më e keqe që Çuni kishte mundur ta merrte me mend, por edhe vetë ajo. Vetëm për Milotin ishte e sigurt se kjo gjë as që do ta mërziste fare. Ai do të tërhiqej në qytetin e tij në bregdet, duke harruar shumë shpejt skandalet e "shehrit të madh". Dera e kafenesë u hap dhe Anita zgurdulloi sytë. Nuk mund të besonte se kë ishte duke e parë. Aty qëndronte Valoni, me vijat e ashpra të fytyrës së tij, i dashuri i zhdukur i shoqes së saj, i dyshuari. Instinktivisht u ul, duke mos dashur që ai ta vërente, duke menduar që menjëherë t'i thërriste inspektorët, përkundër asaj se rasti tanimë ishte mbyllur. Në atë moment Valoni u kthye kah ajo dhe buzëqeshi. Kjo e befasoi edhe më shumë, sepse dikush si ai do të duhej të ikte nga Anita, e jo t'i çaraveshej para hundëve.

Edhe më keq, ai u nis në drejtim të saj. - Tung, Anita. Nuk dua të të drejtohem me "ju". Në telefon më duhej, sepse nuk e dije se ne të dy njihemi. - Kush... kush je ti? - A më paske harruar, a? Nc-nc! Unë mendoja se shoqja do të të fliste për mua dhe se, për këtë shkak, do të të kujtohesha. Si e kam atë? Ai fliste aq lirshëm, sikur të ishin miq, që nuk ishin takuar kaherë, kështu që tani kujtonin ditët e kaluara. - Ajo është shumë mirë. Por, nuk po kuptoj ti pse je këtu? - Nuk mund të besoj se ende nuk e ke të qartë. Por, të kuptoj megjithatë. Përkundër të gjithave, ti ke përjetuar një stres dhe tronditje nga ngjarjet e ditëve të fundit dhe nuk e ke të lehtë të mendosh. Unë jam Valoni, isha në lidhje me shoqen tënde, të cilën e kisha njoftuar kur kisha ardhur te ti, në shtëpinë e mallrave... - E di, e di! Nuk kam harruar asgjë! Por, nuk e kam të qartë se çfarë lidhjeje ke ti me profesionin e gazetarit? - Shiko, unë në fakt nuk quhem Valon, por Gëzim, por kjo nuk ka rëndësi. Mund të më quash Valon, nuk më pengon. Unë jam gazetar.

Detyra ime ishte që të merrja sa më shumë vesh rreth lidhjes tënde sekrete me Çunin. Më saktësisht, isha caktuar që të zbuloja aferat e dashurisë së politikanëve. Kishim marrë vesh se një punëtore, shitëse, ishte duke u takuar me Çunin, e unë erdha, për të parë se kush mund të ishte ajo. Në fillim ndesha në kolegen tënde, e cila ma bëri të ditur se do të mund të më shërbente jo vetëm si burim i informatave... E, kur të pashë ty, kuptova se ti ishe ajo që kërkoja. Por, shoqja jote megjithatë më dha informata të rëndësishme. (vijon) 


(Kosova Sot Online)