Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë me pamjen e tij të bukur (6)

  • 22 February 2020 - 15:24
Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë me pamjen e tij të bukur (6)

Kur përsëri i hapa sytë, ndjeva djegësinë e tymit në hundë. Nën duar ndjeva një gjësend të butë. Ai ishte tepihu. Në kokë ndjeja një dhembje të padurueshme. Instinktivisht mendova se më duhej të ngrihesha, por tentimi im i parë për ta bërë një gjë të tillë, ishte i pasuksesshëm. Duke qëndruar ende e shtrirë, përfundimisht kuptova se ku gjendesha. Isha në dhomën tonë të gjumit. Duke mbledhur edhe atomin e fundit të energjisë, disi ia dola që të shkoja deri te dera. Kur përfundimisht ia dola që ta kapja bravën, pashë se dera ishte e mbyllur me çelës. D.m.th. ky ishte ai plani për të cilin flisnin Nexhi dhe Miki. Ata donin të më vrisnin. Ia dola disi të drejtohesha mirë, duke ndier se si tymi gjithnjë e më shumë depërtonte në dhomë. Duke u kujtuar se, në raste të zjarrit, më shumë njerëz vdesin nga tymi, sesa nga zjarri, fillova të dënesja, plotësisht e pafuqishme.

Mu në momentin kur ndjeja se si ishte duke më rënë të fikët, në derë dëgjova një trokitje. Dikush filloi fort t'i mëshonte derës dhe ajo, në një moment u hap. Krahas disa policëve, aty pashë edhe inspektorin, të cilin tanimë e njihja. M'u duk sikur ta kisha parë ndonjë engjëll. Nuk vonoi shumë e pashë veten në autoambulancë. Inspektori rrinte ulur pranë meje. - Mos flisni - më tha, pasi që pa se isha duke u munduar të thosha diçka. - Ata... Nexhi dhe Miki... - mezi ia dola të thosha. - Shshshsht, mos flisni - më tha sërish ai. Të nesërmen inspektori erdhi për të më vizituar në spital. Me atë rast më tha sesi ishte shqetësuar, kur nuk e kisha thirrur. - Bëra disa xhiro rreth ndërtesës tuaj e më pas vendosa të prisja derisa burri juaj të shkonte në punë. Sapo ai doli, nga banesa filloi të dilte tym. Atëherë m'u bë e qartë çdo gjë. Krejt kjo mesele ishte aq e tmerrshme, saqë ishte vështirë të besohej. Burri im ishte përpjekur që të më vriste, me qëllim që t'i fshehte krimet e tij. - Nuk jeni ju personi i parë që ai mundohet ta vrasë - më tha inspektori. - Hetimet kanë nxjerrë në pah se, derisa ishte fëmijë, burrin tuaj e kishte keqtrajtuar gjyshi i tij.

Për këtë shkak ai nuk mund t'i duronte pleqtë, për këtë shkak i kishte shkaktuar ato zjarre nëpër shtëpitë e pleqve. Natyrisht, psikologët do të thoshin se ai vazhdimisht donte ta vriste gjyshin e tij. - E tani, çka? - e pyeta. - Që të dy janë në burg. Miki është një hajn xhepash, por për shkak të pjesëmarrjes në tentimvrasje, do t'i kalojë disa vite në burg. E, burri juaj... ai do të qëndrojë shumë më gjatë në burg. Ankthi mori fund. Përfundimisht mund të merrni frymë lirshëm! Kjo ishte e vërtetë: ankthi kishte marrë fund. Por, megjithatë, pasojat mbetën. Edhe sot e kësaj dite, kur kanë kaluar disa vjet, shtangem e tëra kur dëgjoj për ndonjë zjarr të shkaktuar me qëllim. Përpos kësaj, më nuk i duroj meshkujt e bukur. Pas Nexhit, ende nuk kam pasur lidhje tjetër. Por, kur dikur të vendosi t'ia fal zemrën ndonjë mashkulli, ai me siguri nuk do ta ketë pamjen e një ylli të Hollivudit! Fund


(Kosova Sot Online)