Ngjarje e vërtetë: Ata më shfrytëzonin, por fajin e kisha vetë (3)

  • 25 February 2020 - 15:26
Ngjarje e vërtetë: Ata më shfrytëzonin, por fajin e kisha vetë (3)

- Ka kohë që nuk kam parë femër më të bukur - filloi të më vardisej ai me fraza të njohura. - Shumë shpejt do ta ndërrosh mendjen, kur të dëgjosh se prapa meje kam një martesë të dështuar - i thashë sepse nuk më pëlqeu ajo qasje e tij prej kapadaiu dhe, në një moment, i rashë pishman që e pranova ftesën e tij për pije. - Jam i lumtur që të paska dështuar martesa. Sikur të të mos dështonte, nuk do të kishte kuptim të rrija këtu, e të bisedoja me ty - u përgjigj ai. Punonte si avokat në një zyrë të njohur. Ishte beqar, i dhënë pas punës dhe, mund të them, i magjepsur me mua. Më thoshte se isha zana e tij, engjëlli personal dhe se gjithmonë do ta falënderonte Zotin që më kishte takuar. Ma kushtoi vëmendjen maksimale, më njoftoi me shoqërinë e tij, ku më prezantoi me entuziazëm. Më blinte dhurata të shtrenjta, më thoshte fjalë romantike, bënte gjithçka që të më bënte për vete. Dhe, ia arriti. Pas një viti të lidhjes, më ofroi martesë. - Egzona, a je e sigurt se me një njeri të këtillë dëshiron ta kalosh jetën? Njëherë ke gabuar. Mos e përsërit edhe një herë atë gabim. Mendo mirë - më thoshte babai. - Unë e dua atë, a nuk kupton? - vazhdimisht thosha se dashuria ishte gjëja më e rëndësishme në jetë.

- Edhe burrin e parë e ke dashur, por dashuria nuk të bëri grua të lumtur. Martesa nuk duhet të zgjasë vetëm një sezon. Mendo sikur ky të ishte vendim për tërë jetën tënde. Avniu është tip narcisoid, ai e do vetëm vetveten - thoshte babai rreth të përzgjedhurit tim të ri. As pas këtyre fjalëve nuk kisha kuptuar me seriozitetin e duhur këshillat e tij qëllimmira. Mendoja, ai është i gjeneratës së vjetër dhe ka harruar sesi është kur je i dashuruar. - Mos u mërzit, baba. Martesa ime e dytë do të zgjasë përjetë - mundohesha ta siguroja. Avniu ma bleu fustanin më të shtrenjtë të nusërisë në qytet. Dasmën e bëmë në hotelin më luksoz, me shumë krushq. Isha tepër e lumtur, e bindur se burrë më të mirë nuk mund të ketë. Për muaj të mjaltit shkuam në Egjipt. Ai ishte njohës i mrekullueshëm i historisë. Kudo që shkonim, femrat nuk ia ndanin sytë atij. E dija se shumë femra ma kishin lakminë dhe se, me gjithë dëshirë, do të donin të ishin në vendin tim. - Më duket se je xheloze - më tha një mbrëmje, derisa rrinim në ballkonin hotelit. - Po - pranova unë. - Nuk duhet të brengosesh. Femrat nuk më interesojnë - më tha ai. - E unë, a nuk jam femër?- përgjigjja e tij më habiti për pak. - Ti je gruaja ime. Ti je femra e vetme në jetën time dhe kështu do të mbesë përjetë - më tha ai. Unë i besova. Kaluam një muaj të mrekullueshëm të mjaltit edhe pse rrallë ishim intimë. Kjo më habiste, por nuk i jepja rëndësi të madhe. Jeta e përbashkët në banesën e tij të madhe po ashtu ishte e mrekullueshme. Avniu, kur ishte në shtëpi, ishte bashkëshort i përkryer. Problemi i vetëm ishte se ai ishte në shtëpi shumë rrallë. Ai shpesh vinte nga udhëtimet zyrtare, rrinte duke punuar deri natën vonë, bile edhe flinte në zyrë. Zemërohesha pse ai punonte kaq shumë, sidomos pasi që kishim gjithçka për një jetë komode. Kur i bëja vërejtje, ai më thoshte se nuk mund t'i humbte klientët dhe se as atij nuk i pëlqente që ishte vazhdimisht në punë, por se nuk ka mundësi tjetër. Përkundër asaj që nuk kisha asnjë arsye për të dyshuar në besnikërinë e tij, njëfarë krimbi më brente dhe nuk më linte rehat.

Një mbrëmje, vonë, pa paralajmërim shkova në zyrën e tij. Ishte evidente se ai dhe miqtë e tij as që mendonin se mund të shkonte ndokush. I pashë të përqafuar plot epsh. Sa nuk më ra të fikët kur kuptova se çka ishte duke ndodhur. - E dashur, nuk është ashtu si duket - Avniu u largua nga partneri i tij dhe, ashtu lakuriq, vrapoi drejt meje. Nuk arrita të largohesha, por kur mu afrua, e shtyva me dorë. - E, si qenka atëherë?! Mos vallë jeni duke bërë eksperimente shkencore, ë? Burrin e paskam homoseksual! Tani i kam të qarta shumë gjëra. Për këtë nuk dëshiron të jesh intim me mua. - Mos u shqetëso, gjithçka do të rregullohet - më thoshte ai. Mu desh kohë derisa munda të largohesha. Nuk e lejova të vinte me mua, e as që doja të shkoja në banesën e tij. Tërë natën bredha ashtu, pa cak, nëpër qytet, e herët në agim i rashë ziles së shtëpisë së prindërve. - Nuk kam ku të shkoj - thash duke qarë, kur babai ma hapi derën. - Hyr. Çka ka ndodhur? - Avniu paska të dashur - iu thash me sytë plot lot. - E tani, çka do të bësh?- u interesua nëna. - Do të ndahemi. Çka mund të bëj tjetër? - A të kam thënë? - babai filloi menjëherë me kritika, por nuk ma ndaloi qëndrimin në shtëpi. (vijon) 

(Kosova Sot Online)