Ngjarje e vërtetë: Ata më shfrytëzonin, por fajin e kisha vetë (6)

  • 28 February 2020 - 15:12
Ngjarje e vërtetë: Ata më shfrytëzonin, por fajin e kisha vetë (6)

Ditën tjetër, Blerimi po më priste në restorant me një buqetë trëndafila të kuq. - Me siguri se të vjen keq për atë që më ka ndodhur me Visarin? - po i thosha unë atij. - Nuk jeni ju për keqardhje. Ti je një femër e bukur dhe shumë interesante. Nuk ekziston ndonjë arsye për të më ardhur keq. Se Visari nuk kishte ditur të të çmojë, është problemi i tij. Trëndafilat nuk janë dhuratë për një grua të kriminelit, as nuk t'i dhuroj si inspektor. Lulet ia kam blerë gruas e cila më duket shumë e dashur dhe e pëlqej shumë - tha ai. - Blerim, më mirë largohu nga unë. Për mua ngjiten vetëm rastet e dështuara. Isha në martesë me një alkoolist dhe një homoseksual, në lidhje me një kriminel. Kjo më shumë se gjithçka të tregon se çfarë femre jam unë. Sikur të isha e mençur në shtëpinë time nuk do të fshiheshin armë. Nuk dëshiroja t'ia zgjoj shpresat e rrejshme por as të paraqitesha si një viktimë e pafajshme, të cilën të gjithë e shfrytëzojnë. E vërtetë është, të gjithë meshkujt më kanë shfrytëzuar në mënyrën e vet, por asnjëri nuk më ka shtyrë të martohem me dhunë. Unë isha ajo që kam vendosur. - Të gjithë ne bëjmë gabime. Me dikë mësojmë, me disa tjerë nxjerrim një fund të trashë, por të gjitha këto na mësojnë diçka. Si të kanë përjetuar meshkujt me të cilët ishe dikur kjo është punë për ata. Unë të përjetoj në mënyrën time.

Më pëlqen. Edhe unë jam i shkurorëzuar. E di fare mirë si është të kesh një martesë të dështuar. Nëse kemi gabuar dikur, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të njihemi më mirë. Nuk po kërkoj menjëherë të martohesh me mua. Është koha ta vërtetojmë nëse jemi apo nuk jemi për njëri-tjetrin - më tha. Atëherë nuk e dija si t'i përgjigjesha, por nuk mund ta refuzoja. Vazhdonim të dilnim së bashku. Visari doli në gjyq. Kam dëshmuar gjithçka që kishte ndodhur në shtëpi. Pos meje, policia dhe prokuroria kishin gjetur shumë fakte. Është dënuar dhe dërguar për një pushim të gjatë në burg. Njëherë e kam vizituar. Më duhej ta dëgjoja nga goja e tij pse më kishte tradhtuar dhe shfrytëzuar. - Ishe një pre e lehtë - mu përgjigj përmes një buzëqeshje cinike. Në këto momente mallkoja veten se isha kaq naive. Askush nuk më shtyri ta vizitoja. Përveç kësaj, nuk ishte i ndershëm të më tregonte pse ma kishte bërë një gjë të tillë. Pa ndjerë fijen e ndërgjegjes lëshova kabinën e vizitave dhe u largova. Edhe pse nuk e kisha fare të lehtë se isha në lidhje me një kriminel, i cili armët i kishte fshehur në shtëpinë time, atëherë isha shumë e lumtur pse kishte ndodhur një gjë e tillë. Sikur policia të mos e kishte vënë re, kush e di ku do të isha sot dhe çfarë do të më duhej të duroja. Blerimi ishte personi i parë i cili nuk ngutej të më propozonte. Ishim bashkë katër vite rresht. Ardita dhe ata që i njihnim talleshin se si do të plakemi së bashku, por nuk do të martohemi. Por një të premte mbrëma, Blerimi më tha: - Do të dëshiroja që nesër të shkojmë në pushim.

- Nesër? E pamundur. Kam një marrëveshje me koleget. Pasdite shkojmë për kafe. Të kam thënë. A mos ke harruar? - u çudita si më propozoi të shkojmë në pushim kaq për ngut. - Mendoj se pushimi do të ishte i mirëseardhur. Anuloje takimin me koleget, të lutem - më përgjëronte. Nuk ishte mësuar me ndryshime të planeve, por më në fund pranova ofertën e tij. Ditën tjetër më dërgoi në hotel, ku më priste ofiqari si dhe disa nga miqtë tonë më të mirë. Ishte kjo një befasi e shkëlqyer. - Të gjitha këto i ke organizuar për mua? - isha tepër e lumtur. - Vetëm për ty. E dashur, ekziston vetëm edhe një problem - më tha, ndërsa mua zemra sa nuk po më dilte nga vendi. - Çfarë problemi?- pyeta me zë, derisa me vete po mendoja nëse është e mundur të më ndalojë diçka që më në fund të jem e lumtur. - Nuk e di, a dëshiron të martohesh me mua - më tha dhe ra në gjunjë para meje. Në dorë po i shkëlqente një gur i bardhë në rrethin plot me ar. Të gjithë kishin drejtuar sytë kah unë. - Asgjë më bukur nuk mundem të imagjinoj. Po, dua të bëhem gruaja jote - u përgjigja. Blerimi më vuri unazën, e më pas u puthëm. Disa minuta më pas lidhëm kurorë. Edhe pse gjithmonë kam besuar në dashuri, kërkimi im zgjati paksa më gjatë. Për fat, dashuria ime shkëlqeu. Atij që beson në dashuri, ajo kurdoherë do t'i trokasë në derë. /FUND/

(Kosova Sot Online)