Ngjarje e vërtetë: M’i mori mendtë mua, por edhe babait (5)

  • 14 March 2020 - 12:13
Ngjarje e vërtetë:  M’i mori mendtë mua, por edhe babait (5)

Kaltrina ishte bërë e tëra vesh dhe ishte shumë e interesuar. - Hëm, ndoshta në të ardhmen do të keni nevojë edhe për një psikolog – tha me zë të ulët. - Gjithmonë kam qenë e prirë që të analizoja gjithçka dhe çfarëdo, e sidomos njerëzit dhe sjelljet e tyre, kështu që ky profesion për mua do të ishte përzgjedhja më e mirë. - A do të besoje sikur të të thosha se kjo është pjesë e planit afatgjatë të babait? Relaksimi, meditimi, programet antistres, masazhet, për të gjitha këto ekziston një kërkesë e madhe. Dhe, nuk më habit kjo, meqë koha në të cilën jetojmë sjell me vete edhe nevojën për relaksim, por edhe për biseda psikologjike. Po, kemi folur për këtë jo fort moti... - Po, e vërtetë – tha ajo duke menduar, e unë kisha ndjenjën sikur asaj ishte duke i lindur ndonjë ide e madhe. - Atëherë më duhet që të mundohem t’i kryej studimet sa më parë që të mundem, e nëse do të jetë e nevojshme, do ta kryej edhe ndonjë kurs për masazh “shaitsu” – tha si në shaka, por edhe gjysmë seriozisht – që të mund të paraqitem në konkursin e babait tënd. I thuaj që të më pres pak. - Kam frikë se ai do të lodhet duke pritur, duke qenë se ti je në vitin e parë – e ngacmova pak. - Shpresoj të kesh gjykuar në bazë të pamjes sime, e jo të mendjes – më tha e ofenduar. - Sipas pamjes, natyrisht – thashë paksa i hutuar. - Unë jam absolvente. Në kryeqytet kam ardhur me një qëllim.

Nuk do të marr gjithmonë bursë, e bursën do ta marr vetëm derisa të kam nota të mira, më kupton? Unë, në fakt, nuk kam prindër që të më financojnë. Buzëqeshi me atë buzëqeshjen e mrekullueshme, të cilës nuk mund t’i bëja ballë, duke tejkaluar kështu hutimin dhe sikletin tim gjithnjë e më të madh. Në atë moment e paramendoja se si do ta shihja çdo ditë në punë dhe do ta kisha në afërsi. Nuk mundja aspak të paramendoja se ajo, me atë bursë të vogël, mund ta mbajë veten duke bërë punë të herëpashershme. Me të vërtetë, nëse te ne do të ndihet ndonjëherë nevoja për psikolog, Kaltrina do të jetë e para në listën e kandidatëve. E dija se ajo do t’i pëlqente edhe babait tim. Vazhduam që të bënim muhabet në atë ambient të këndshëm. I thash që të vinte ndonjëherë në banesën time. I propozova darkë dhe takim. Nuk më tha se do të vinte, por nuk më tha as se nuk do të vinte. Mori letrën ku ia shkrova adresën, duke buzëqeshur me gjysmë goje.

Afroheshin festat. Qysh para një jave ishte dashur të shkoja në shtëpi, por edhe më tej e shtyja këtë udhëtim, duke pritur me durim ardhjen e Kaltrinës, e cila nuk vinte assesi. Nuk më telefononte, e unë isha përbetuar se nuk do ta thërrisja i pari. Ia kisha dhënë kartëvizitën. Diku kisha lexuar, e isha bindur edhe vetë nga përvoja, se te femrat nuk është mirë të bësh turr, meqë me këtë sjellje arrin efektin e kundërt. Pa marrë parasysh sa në siklet isha, kisha vendosur të prisja që ajo të vepronte e para. Erdhi edhe festa e madhe. Isha i shtrirë në shtrat, me të gjitha shpresat e venitura, sikur kapitenit kur i fundoset anija. Më kthjelli zilja e telefonit. - A je mirë? – më pyeti i brengosur babai. - Mirë jam, mirë! Ja, isha duke përgatitur valixhet – e rrejta. - Sonte të presim për darkë – më tha ai shkurt, duke mos më lënë hapësirë për manipulime. Ai iu jepte rëndësi të madhe këtyre adeteve dhe mbledhjeve familjare, sidomos me rastin e festave. Donte ta vazhdonte traditën të cilën e kishim pasur derisa ishte nëna gjallë. - Do të vij – i premtova babait. Kisha disa provime këtyre ditëve, prandaj edhe u vonova, por shpresoj të mos më ketë ikur asgjë. Paradhoma e madhe në vilën tonë familjare ishte e mbushur me atmosferë festive. Fëmijët e vëllait vraponin nëpër shtëpi, e babai im me kënaqësi evidente shikonte djalin e tij të madh, renë dhe nipat. - Ndoshta edhe ti, deri vitin e ardhshëm, do të krijosh familje – më tha, duke e kthyer kokën kah unë, me atë buzëqeshjen dashamirëse në fytyrë. - Do të doja ta prisja atë moment që edhe ti të rehatohesh dhe të krijosh familje, sikur vëllai yt – nuk u durua pa e shtuar pjesën e fundit të fjalisë.

- Ndoshta – thash disi mistershëm, meqë në atë moment mendja më shkoi te Kaltrina. Kjo shtëpi e madhe edhe ashtu ishte tepër e shkretë dhe tepër e madhe për babanë tim. Llukmani kishte bërë shtëpi të veten më larg, jashtë qytetit. Kështu kishte kërkuar gruaja e tij, mendoj se ai e kishte dëgjuar tepër shumë gruan, duke ia plotësuar çdo kërkesë. Prej se ishte martuar, ai kishte humbur çdo personalitet të vetin. I gjori! D.m.th. mua më kishte mbetur të rrija me babanë. Nuk mund ta lë vetëm, e besoj se edhe ai shpreson që, kur të jetë plakur edhe më shumë, të jetë dikush afër tij. U ngrita dhe hodha shikimin nga dritarja, kah rruga e ndriçuar. Frynte herë pas here një erë, që vinte nga ana e lumit. I lakonte pemët. Thjesht, dimri nuk kishte mëshirë. (vijon)


(Kosova Sot Online)