Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (12)

  • 15 March 2020 - 16:11
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (12)

Lulja i kishte treguar gjithçka, duke mos lënë anash asnjë detaj të vetëm, asnjë fjalë që ajo dhe Iliri e kishin shkëmbyer. Shpresa po e dëgjonte me kujdes, po shikonte lëvizjet e Luljetës dhe kur në fund u tha gjithçka, as nuk lëvizi fare nga vendi. Ndërsa që Luljeta ishte e befasuar me një reagim të tillë, të shoqes së saj temperamente. Ka pritur se ajo do të eksplodojë nga të qeshurat, se do t'i shtrojë pyetje që do t'ia prishin rehatinë, se do të bëjnë shaka sa të munden. -Dhe? Çfarë ke për të thënë? Shpresa edhe më tutje po e vëzhgonte shoqen e saj dhe po heshtte. -Ose je duke fjetur me sy të hapur ose unë kam folur me një gjuhë të huaj, të cilën ti nuk e kupton, ndërsa që tani po e pret përkthimin. Për atë Zot, Shpresa thuaj diçka. -A je dashuruar në atë Ilmiun? -Ilirin.

Emrin e ka Ilir. -Sido që të jetë. A je e dashuruar? -Natyrisht se nuk jam dashuruar. Prej nga doli kjo tani? -Sikur të mos ishe dashuruar, ky nuk do të ishte ndonjë tregim interesant. Dikush të ka trokitur në derë e ti më pas i ke bërë petulla. Sipas mendimit tim asgjë e veçantë. Por, unë mendoj se ai të ka verbuar dhe tani nuk e ke idenë si do të nxirresh nga e gjithë kjo. Luljeta u skuq. Një perceptim i tillë nga Shpresa nuk vjen në shprehje, pothuajse ka tejkaluar kufijtë e mirëkuptimit. Ajo vetëm dëshironte ta dinte çfarë Iliri dëshiron nga ajo dhe si të rregullohej. -Nuk jam dashuruar. Është absurde. Me siguri se ai është dhjetë vite më i ri se unë. -A e di ai sa vjeçare je ti? -Jo, nuk kemi folur për një gjë të tillë. Ta thashë se herën e parë kur ishim takuar më kishte quajtur teto.

Më pas nuk përmendëm gjë. Besoj se është i vetëdijshëm se jam më e moshuar se ai. -E di e dashura ime, duhet ta frenosh veten para se të përplasesh për ndonjë shtylle. Nuk është puna aty se ai djalosh është më i ri në moshë sesa që je ti, edhe vetë e di se mua më pëlqejnë meshkujt më të ri në moshë. Puna është se thjesht nuk je një lloj i femrës që ai do ta dëshironte. -Si po mendon ashtu, lloj i femrës? -Thjesht, nuk je. Më shikon mua? Unë jam ai lloji i femrës, të cilën djemtë e rinj e ëndërrojnë, pasi që dukem më e re dhe më e freskët. Pëlqej seksin e çmendur, si dhe aventurat, por edhe jam e martuar. Unë nuk jam një lloj i femrës që duket si 'nënë'. Kjo je ti. Kur të shikon njeriu së pari fillon të mendojë sa shumë ke nevojë për burrë, e më pas të pranojë. Për atë djalosh, t'i je tepër e mirë, e moralshme dhe e mençur, më beso.

Sikur ai të dëshironte diçka më shumë, tashmë do ta kishte provuar, nuk do t'i ngulte sytë në film gjatë gjithë natës. Lulja u lëndua, por nuk guxonte ta shfaqte atë lëndim, pasi që mori atë që kërkoi. Dëshiroi që pikërisht Shpresës t'ia thoshte fshehtësitë e saj me Ilirin, sepse dëshironte një mendim të sinqertë. Por, nuk dëshironte ta pranonte se pikërisht Shpresa po mendonte ashtu. -E çfarë mendon ti, se një djalosh i ri dhe shumë i bukur do të vinte tek unë dy herë rresht? Pse do të vinte? Pse nuk e shikoi filmin me një femër tjetër, por me një plakë si ty? Lulja mendoi se me këto fjalë, fare pak e kishte zbritur Shpresën në tokë, por kishte gabuar, sepse ajo i a bëri me dorë dhe filloi të qeshte. /vijon/

(Kosova Sot Online)