Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (13)

  • 16 mars 2020 - 14:51
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (13)

Mos më thuaj se nuk e di pse erdhi te ti dy herë! Me të vërtetë do të dyshoj në inteligjencën tënde. - Nuk e di. Me të vërtetë nuk e di. - Po për shkak të ëmbëlsirave, po për çka tjetër?! Lulja u ndie sikur ta kishin goditur fort në kokë. - E dashur Luljeta. Të kam thënë se ti je tip mamaje. Thjesht është e këndshme që të shtrihesh në shtratin tënd, të hash ëmbëlsirat tua dhe të kënaqesh. Edhe pse, në rastin tënd, unë nuk do ta përjashtoja as një mundësi tjetër... Shpresa e kapi mjekrën duke u bërë sikur mendonte, derisa Luljeta u përkul me trup kah ajo. - Cilën, Shpresë? - Shiko, ndoshta ai djalosh është i pastrehë. Ndoshta nuk i ka kushtet elementare për të jetuar, prandaj shpreson që mund të rrijë te ti për një kohë të caktuar. - Kjo nuk vjen në shprehje! Më ka treguar se jeton në shtëpi, me prindërit. - Ai të ka thënë kështu, por ku mund ta dish se nuk të ka rrejt? Ndoshta as që quhet Ilir, bile. Kushedi, mund të jetë ndonjë kriminel i rrezikshëm, i cili dëshiron të ta marrë banesën. Sikur të isha në vendin tënd, menjëherë do ta ndërprisja çdo kontakt me të. Pasi që shkoi Shpresa, Lulja ra në depresion. Gjithçka që deri tani kishte menduar për Ilirin, kishte qenë romantike dhe e bukur, edhe pse e paqartë. E tani, çdo gjë kishte marrë një dozë të mashtrimit të tmerrshëm në vetvete. I duhej t'ia pranonte vetes se, në njëfarë mënyre, ishte dashuruar në Ilirin, apo të paktën, në tregimin të cilin e kishte krijuar në mendjen e vet. Kur të njëjtën ditë, rreth orës tetë e gjysmë cingëroi telefoni fiks, ajo nuk e ngriti dëgjuesen.

E, kur cingëroi celulari, e diti se ishte Iliri ai që e thërriste. Por, nuk u lajmërua. E kapi frika që ai mund t'i vinte në derë, ashtu papritmas, sikur që bënte rëndom. Për këtë shkak ra më herët për të fjetur, i fiku të gjitha dritat dhe vendosi që, qysh nesër, ta realizonte planin dhe ta harronte Ilirin, e ai ta harronte këtë. Kjo pjesa e dytë i dukej më lehtë e realizueshme.

Kapitulli i tetë

Të nesërmen i anuloi të gjitha orët që i kishte planifikuar, duke i shtyrë për një javë. Bëri tërë ato telefonata, duke thënë se i duhej urgjentisht të shkonte në një seminar. Natyrisht, askush nuk e bëri të madhe këtë ndryshim, meqë Lulja ishte një mësuese tepër e mirë. Në fund i thirri edhe prindërit dhe iu tha se, në mbrëmje, do të mbërrinte te ta. Ata u befasuan, meqë vajza e tyre kurrë nuk merrte vendime të shpejta, por meqë i kishte marrë malli për të, nuk i bënë pyetje të tepërta. Ajo më pas thirri një agjenci dhe rezervoi biletën e autobusit për pasdite. (vijon)

(Kosova Sot Online)