Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (15)

  • 18 mars 2020 - 15:13
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (15)

Dëgjoi zërin e automobilit, por e kishte injoruar, u kthye anash sa për të mos qenë në rrugë. Por, kur u kthye automobili, u duk se ngadalësoi dhe po e përcillte. U kthye dhe me kureshtje shikoi shoferin, se si "Mercedesi" me ngjyrë të zezë, me tabela të huaja, kishte xhama të errët dhe nuk shihej gjë nga brenda. Ishte dashur të kishte frikë, por ishte krejt e sigurt se në qytetin e lindjes askush nuk ia do të keqen. Kështu që kishte pritur që automobili t'i ofrohej krejt afër dhe që xhami i shoferit të ulej poshtë. Ashtu edhe ndodhi. Në rrugën me pak ndriçim, së pari u dukën dhëmbët, të bardhë si bora, e më pas sytë fituan edhe ngjyrën e kaltër si qielli. Nuk kishte mundur të gabonte, do ta njihte atë buzëqeshje. -Valdrin! -Përshëndetje, Luljeta. Ai ishte personi i vetëm, i cili kurrë nuk e kishte përdorur nofkën e saj dhe e thërriste në emër të plotë, gjë të cilën ajo aspak nuk e pëlqente. -Prej nga ti? -Jam në pushim këtu. Nuk e di nëse ke dëgjuar se vëllai im i vogël po martohej gjatë kësaj vjeshte, kështu që kam ardhur të njihem me kunatën time. E ti? A nuk je në kryeqytet? -Kryesisht jam. Edhe unë kam mbërritur dje, erdha këtu për pushime.

-Je e bukur si gjithmonë, vetëm se tash je më pak e vetëdijshme në krahasim me kohën kur ishte adoleshente. Atëherë askush nuk mund të dilte në krye me ty. U skuq. I kishte kujtuar disa gjëra, për të cilat turpërohej dhe për të cilat gjëra pyeste veten, nëse me të vërtetë i kishte bërë. -Tash jam ndryshe. -Po vërehet. A je e disponuar të shkojmë për ndonjë pije. -U bë vonë Valdrin. Nuk ishte e sigurt pse e refuzonte, por e dinte se është e rrezikshme t'i kujtojë shpirtrat e dikurshëm, të cilët kurrë nuk dëshironte t'i kujtonte.

-E kam ditur se do të thuash kështu. Disi gjithmonë kam mundur t'i parashikoj fjalët dhe reagimet tuaja, sikur kam mundur të futem në kokën tënde. -Do të thotë se isha e parashikueshme?-Vetëm kur në pyetje janë fjalët dhe reagimet, por kur ndjenjat ishin në pyetje, aty kisha mangësi. Kjo ishte një goditje e drejtpërdrejtë në të kaluarën. Që të dy ishin të vetëdijshëm se për çfarë po flisnin, por asnjëri prej tyre nuk guxonte ta bënte pyetjen e duhur. Lulja kishte vendosur të heshtë. Vetëm dëshironte të mbërrinte në shtëpi, të hidhet në shtrat dhe të zhytet në gjumë. Takimi me dashurinë e parë dhe të fundit nuk i bëri mirë, ishte një lojë sarkastike e ardhmërisë. -Nëse nuk dëshiron që sonte të shkojmë diku, a je e disponuar të dalim nesër? Me të vërtetë është budallallëk ta shmangim njëri-tjetrin. Gjithçka e jona ka përfunduar para trembëdhjetë viteve. Por, nuk mund të thuash se nuk ishte argëtim dhe kënaqësi, nëse jo dhe bukur.-Nuk e di Valdrin. Për krejt këtë nuk kam dashur të mendoj, kështu që ndjenjat i kam në një dollap, të cilin nuk e hap dot. -Dhe, ke frikë t'i hapësh tani?-Ashtu disi. -Të premtoj se nuk do të flasim për të kaluarën. Do të flasim për të tashmen, do të tregojmë barsoleta apo ndonjë marrëzi tjetër. Por, me të vërtetë dëshiroj që të dal me ty për një pije. /vijon

(Kosova Sot Online)