Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (5)

  • 22 March 2020 - 16:51
Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (5)

Më nuk po humbja frymën pas prekjes së saj. E kam respektuar, madje edhe e kam dashur në një mënyrë të veçantë. Ajo është nëna e fëmijëve të mi, bashkëshortja ime, gruaja e cila ishte pranë meje, edhe për të mirë, edhe për të keq, psikiatri im dhe miku im më i ngushtë, përmes së cilës diskutoja problemet e punës. Po, mendja ime tani ishte pushtuar nga një grua tjetër. Kjo tjetra ishte Myrvetja, e cila ma kishte pushtuar mendjen e po ashtu edhe ma kishte turbulluar atë. Isha në atë fazën e jetës, kur trupi im kishte filluar të zgjohej. Nuk dëshironte trupi im që ta shikonte edhe atë, edhe gruan time. Doja t'u rezistoj viteve dhe moshës. Kohëve të fundit, pa marrë parasysh nëse dëshiroja unë apo jo, Myrvetja ishte gjithnjë në mendjen time. Tash e tri ditë nuk ishte në punë, e më mungonte aq shumë.

Kush e di nëse djaloshi i saj i vogël ishte shëndoshur? Nuk po shoh asgjë të keqe nëse e vizitoj dhe pyes rreth shëndetit të tij. Jam shumë e sigurt se do t'i vijë mirë, nëse shkoj dhe e vizitoj. Me një qese plot me bonbone dhe çokollata në njërën dorë dhe me një arushë lodër të vogël në dorën tjetër, po qëndroja para derës së saj dhe po prisja që ajo ta hapte derën. Kur e hapi derën, mezi u durova të mos e përqafoja. M'u duk se ende kishte humbur në peshë, por m'u duk se edhe vetë ajo ishte e sëmurë. - Zotëri Denis - më tha ashtu e befasuar - prej nga ti këtu? - A bën të hyj brenda? - e pyeta. - Po, natyrisht se mundesh - për një moment u habit dhe u shtang - mos ma zini për të madhe, pasi që banesa nuk është e rregulluar. E di, pranë këtyre fëmijëve, si dhe shumë kërkesave mezi pres të arrij, përderisa tash tri ditë e natë po përballemi me temperaturën e fëmijëve. Po shikoja përreth.

Pas shkurorëzimit ka huazuar këtë banesë të vogël, që më parë mund të thuhet se është garsoniere, që ishte më shumë se e ngushtë. Dhoma e ditës ishte edhe dhoma e gjumit, pasi që kauçi i saj mund të shtrihej gjatë natës për të fjetur ajo me fëmijët e saj. Një kuzhinë tejet e vockël, e po ashtu edhe banja ishin krejt pasuria e saj, ashtu thoshte ajo. Një hapësirë e tillë ma përkujtonte dhomën studentore e jo një banesë familjare. Me të vërtetë nuk e dija se situata ishte kësisoj. Menjëherë m'u kujtua hapësira që e kam unë, që qëndron ashtu e zbrazët, por bashkëshortes sime i dhuron mjaft punë në mirëmbajtje. Çfarë më duhej gjithë ajo hapësirë, po mendoja me veten time? Nuk është mirë të kesh tepër, por kjo nuk mjafton. Por, së paku ajo nuk po ankohej. Vlera e saj në sytë e mi po rritej. - A mund t'ju shërbej me kafe? - më pyeti lehtë duke thyer qetësinë, e cila kishte mbretëruar menjëherë pasi që unë isha futur brenda. - Me gjithë dëshirë, faleminderit. E vërejta se po dëshironte të më ofronte disa keksë, nga një pako që tashmë e kishte hapur, e më pas shumë shpejt e kishte mbyllur.

Me siguri ishte e zbrazët. - Myrvete, po mendoja - kam mbetur pa fjalë, pasi që nuk po më kujtohet fjalimi që e kam përgatitur. - Po? - Pasi që sonte jam i lirë, po mendoja të ftoja të dalim për darkë. Përsëri u skuq. Kjo skuqja e saj përsëri kishte filluar të më shqetësonte. Vallë mos kam propozuar diçka të keqe? Ndoshta po ngutem. - Si po mendoni? - më pyeti në vend se të më përgjigjej. - Ashtu thjesht, mendoj se e meriton një darkë të mirë në një restorant të mirë. Me dëshirë do të dërgoja në darkë - mora guximin dhe i thashë. - Shikoni, mendoj se një propozim të tillë duhet t'ia bënit bashkëshortes suaj - më refuzoi me gjakftohtësi, thuajse më freskoi me një gotë ujë të ftohtë akull. U bllokova në fjalë. Tash unë po ndieja gjakun, derisa po rridhte në fytyrë, ndërsa fytyra më kishte ndryshuar edhe ngjyrën. - Myrvete, të lutem, mos u lëndo, me këtë ftesë nuk po mendoja asgjë të keqe, jemi shokë. - E qartë, por para së gjithash ju jeni shefi im. Dikush tjetër këtë do të mund ta keqinterpretonte.

Nuk jam e sigurt nëse është në rregull. Heshta, sepse në thellësi të shpirtit po e dija ku po dërgonte e gjithë kjo. E dinte edhe ajo, nuk ishte më fëmijë, por që të dy vendosëm të bëhemi 'budallenj' dhe ta luajmë atë lojë. - Në rregull, në fund të fundit keni të drejtë. Ka kohë që nuk kam dalë, ndërsa ftesa juaj më lehtëson. Por, kjo nuk do të jetë e mundur sonte. Fëmijët janë tepër të vegjël dhe nuk mund t'i lë vetëm. Nëna ime vjen gjatë javës së ardhshme, kështu që kam planifikuar t'i dërgoj fëmijët te ajo për disa ditë. Atëherë do të jem e lirë. Natyrisht, nëse ftesa jote vlen deri atëherë - më shikoi me një shikim djallëzor. - Mund të pres - thashë ashtu i mbushur përplot me shpresë dhe huti. Nga ajo ditë, më shumë po fluturoja sesa që isha me këmbë në tokë. Çdo mendim imi ishte përmbushur. E kuptova se isha dashuruar. Në shtëpi edhe në punë isha i mbushur me gaz dhe me lumturi, thuajse nuk isha personi që isha dikur. /vijon/

(Kosova Sot Online)