Roman dashurie:Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (20)

  • 23 March 2020 - 15:03
Roman dashurie:Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (20)

Shpresa, do të mendoj se ti kurrë nuk je e kënaqur kur unë jam e lumtur. Valdrini nuk është rrugëdalje, meqë ende nuk jam e sigurt se çfarë lidhje dëshiroj me të. E Iliri thuajse më ka dalë tërësisht nga koka. - Nuk të besoj. E, tani më duhet të shkoj. Burri im ka filluar të sillet çuditshëm, kur nuk jam për një kohë të gjatë në shtëpi, ai doemos thyen diçka, apo m'i shqyen rrobat në orman. Tanimë jam e sigurt se ai është çmendur, por më duhet që të këshillohem me ndonjë psikiatër para se të ndërmarr hapa më të mëdhenj. Lulja filloi të shqetësohej.

- A je e sigurt se ty nuk do të të lëndojë? - Ai? Jo, bre. Ai është maçok i butë kur unë jam afër tij. Shkova, dëgjohemi këtyre ditëve dhe - mos bëj ndonjë marrëzi. Kështu është kur me vite të tëra nuk interesohesh për meshkuj, e më pas përfundimisht vijnë dy sish edhe atë tërësisht të ndryshëm. Pasi që mbeti vetëm dhe filloi t'i lante enët, Luljeta filloi të mendonte shtruar rreth fjalëve të Shpresës. Me të vërtetë fati kishte bërë të që t'i imponoheshin dy meshkuj krejtësisht të kundërt, në të njëjtën kohë, e ajo që ishte më interesante, sikur të mos ishte Iliri, ajo me gjasë as që do të shkonte në qytetin e lindjes, kështu që, me gjasë, nuk do të takohej fare me Valdrinin. Thjesht, nuk dinte çka të mendonte, por gjithsesi donte ta kishte një mashkull afër vetes. Ai mund të ishte vetëm Valdrini, kurrsesi Iliri. Disa ditë pas kthimit nga qyteti i lindjes erdhi një djalë me një buqetë të madhe të luleve dhe trokiti në derën e Luljetës. Në fillim mendoi se ishte fjala për ndonjë gabim, por kur lexoi emrin e vet në zarfin e vogël, në mesin e trëndafilave të verdhë, kuptoi se ishte duke i ndodhur diçka për çka kishte lexuar vetëm në romanet e dashurisë. E falënderoi djaloshin, e më pas nxori letrën nga zarfi i vogël dhe e lexoi atë.

"Ëmbëlsirat që bën ti padyshim se janë më të shijshme se sa që janë të bukura këto lule, por unë nuk jam kuzhinier, prandaj më duhet të mjaftohem me kaq. Nuk e di ku u zhduke këtyre ditëve, por tash vonë kalova nëpër lagjen tënde dhe pash se e kishe dritën e ndezur. E di se je aty, prandaj nëse nuk ke asgjë më të mençur për të bërë, më thirr, të paktën sa për të ma dëgjuar zërin. Iliri". Nuk e dinte a të qeshte, a të qante. Ky djalosh me të vërtetë kishte stil, dinte si ta godiste zemrën e femrës mu në qendër, e përpos kësaj, ishte edhe plot sharm. Në fillim injoronte mendimin që ta thërriste, por me kalimin e kohës, filloi që të bindej se nuk do të ishte e hijshme nëse, të paktën, nuk do t'i falënderohej për lulet. (vijon) 


(Kosova Sot Online)