Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (6)

  • 23 March 2020 - 15:06
Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (6)

 Çka u bë me ty, Denis? - më pyeti Ema, e më pas filloi të zemërohej. Më njihte më mirë se sa që unë e njihja veten. Një mbrëmje më thirri që të bisedonim shtruar. - Nga ti pres që të jesh i sinqertë, Denis - filloi pa u vonuar. - Ti e di se të njoh, ndoshta më shumë sesa që ti e njeh vetveten dhe, ka kohë që, pa fije dyshimi, e di se me ty diçka nuk është në rregull. - Nuk kuptoj, për çka e ke fjalën? Çdo gjë është në rendin më të mirë - fillova të bishtnoja. - Nuk është asgjë në rregull! E di se nuk është - tha ajo. - Do të ta them troç: a ke të dashur? E shikova i tronditur. - Jo! - i thash automatikisht. - Çka të bie ndërmend, se!? - Kjo nuk më ra ndërmend tani, për këtë ka kohë që mendoj. Tridhjetë vjet me ty, janë më shumë se mjaft për të thënë me siguri se më nuk je duke u sjellë normalisht dhe në përputhje me moshën që e ke.

- Po, a? E çka është normale sipas teje? Çka të mungon duke jetuar me mua? - fillova të mbrohesha, duke mos e lënë të më bënte pyetje të tjera, por duke filluar unë me të miat. - O, i dashur, nëse filloi me listën time, tërë nata nuk do të na mjaftojë - tha me neveri. - Të gjitha i ke - i thash, i bindur në saktësinë e fjalëve të mia. - Në aspektin material, mendon? Po. Nuk mund të ankohem, por kam humbur diçka shumë më të vlefshme se sa këtë shtëpi, kjo pishinë dhe të tjera. Të kam humbur ty, Denis. Nuk të gjej më. Gjithnjë më ikën. - Ja ku jam, i tëri dhe i bëri - u mundova ta ktheja bisedën në shaka. - Personi më i rëndësishëm për ty je ti vetë. Fëmijët dhe mua as që na sheh. Je i dashuruar në imazhin tënd në pasqyrë. A më do, sado pak, bile?! - A do të rrija në këtë martesë për tridhjetë vjet, sikur të të mos doja?! - ia thash këtë pa më bërë syri vër. A jam i marrë unë? Çka është duke ndodhur? Më tha se krejt këto ishin vetëm shprehi, se jetoja mirë me të, meqë ajo ishte bërë kuzhinierja ime, shërbëtorja, se një jetë e tillë në fakt, mua më shkonte për shtati. Kjo nuk ishte larg të së vërtetës. Më pas filloi edhe me të dhënat statistikore, se si gjatë gjashtë muajve të fundit vetëm tri herë kishim qenë intimë dhe sesi ajo nuk mund të duronte më. - Prano se e ke një tjetër dhe se mua nuk më do! - vazhdonte të insistonte ajo. - Nëse vazhdon kështu, të jesh e bindur se nuk do të më duhet tepër për ta gjetur ndonjë! - i thash kësaj here me të vërtetë i nervozuar. - Më nuk e di çka të mendoj - ma ktheu me zërin në vaj - jam duke dhënë gjithçka nga vetvetja, e ti vetëm sa më largohesh gjithnjë e më shumë. - Gabon - i thash në mënyrë ambivalente. Do të doja që ajo të mos ngulte këmbë aq shumë. Kështu, ma ngjallte ndjenjën e fajit. Do të ishte më mirë sikur të ndreqej më shumë, të buzëqeshte më shumë. Në vend të kësaj, ajo punonte dhe pastronte si zezake dhe vazhdimisht ishte e lodhur.

- Krejt i ka fajet puna ime - u mundova ta qetësoja. Ma mori mendja se më besoi. Me kaq biseda jonë mbaroi. Pasi që ramë në shtrat, kësaj here ishte ajo që ma qiti dorën rreth belit, por unë nuk isha në disponim dhe isha i lodhur. Më duket se ende pa e qitur kokën në jastëk, më kishte zënë gjumi. - Dje i çova fëmijët te nëna - më tha të hënën Myrvetja si veç, hajt ashtu, derisa ishim duke e pirë kafen e mëngjesit. Zemra filloi të më rrihte më shpejt. Atë mbrëmje e ftova në darkë në një restorant jashtë qytetit, pasi që i thash gruas se si kisha një darkë zyrtare, duke mos i treguar as ku, e as me kë. Ajo ishte mësuar me këtë dhe nuk iu dha rëndësi të madhe fjalëve të mia. Pas asaj, pasuan edhe disa darka të tjera, gjithherë në vende të ndryshme. Kujdesesha që të përzgjidhja vendet më pak të frekuentuara. Nuk doja që të takohesha me dikë të njohshëm, meqë në atë rast do të më duhej ta shpikja ndonjë arsyetim. Myrvetja sa vinte e bëhej më e relaksuar dhe më e hapur. Ajo distanca dhe shtangia fillestare tanimë ishte zhdukur. Kur isha afër saj, ndihesha më i ri dhe gjithnjë e më i dashuruar. Nuk më joshte vetëm me trup, por aty kishte edhe diçka më të thellë, gjë që gati sa më frikësonte. Mendoja sesi me të vërtetë isha zënë në kurthin e dashurisë. Kjo nuk ishte e ngjashme me tradhtitë e mia të mëparshme. Vetëm një muaj pas takimit tonë të parë u bëmë edhe dashnorë. As vetë nuk më kujtohet se çka i kisha thënë, si e kisha paraqitur veten viktimë të keqtrajtimit nga gruaja dhe si një njeri të etur për dashuri dhe butësi. Isha i gatshëm të bëja dhe të thosha çdo gjë, vetëm që ajo të bëhej e imja. Isha humbur i tëri. Do t'i them Emës se gjithçka ka marrë fund me martesën tonë. Jam i sigurt se edhe ajo do ta pranojë këtë. Grindjet midis nesh ishin bërë tepër të shpeshta, e bashkë me to edhe akuzimet dhe bërtitjet. (vijon)

(Kosova Sot Online)