Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (21)

  • 24 mars 2020 - 15:04
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (21)

Sapo e kapi telefonin, kur ai cingëroi. Në anën tjetër ishte Valdrini. I thoshte sesi i mungonte, sesi do të mundohej që sa më parë t'i shkonte afër, sesi ishte duke menduar vetëm për atë që kishte ndodhur midis tyre, sesi tani ishte i sigurt se kishin gabuar kur nuk e kishin vazhduar dashurinë e tyre të rinisë... Pasi që mbaroi bisedën me të, Lulja më nuk kishte fuqi që ta thërriste Ilirin. I dukej se një gjë e tillë do të ishte njëfarë tradhtie ndaj njeriut me të cilin para disa ditësh kishte bërë dashuri. E vendosi shportën me lule në një kënd të dhomës dhe donte që ta harronte sa më parë. Tani ishte më shumë për variantin e sigurt, sesa për aventurë, e Iliri nuk mund të ishte asgjë më shumë sesa një aventurë, bile ndoshta as edhe aq.

KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

Valdrini nuk erdhi në kryeqytet ashtu sikur që kishte premtuar - pas një muaji. Por, e thërriste çdo ditë e thërriste, apo me mesazhe mundohej që ta mbante të përtërirë dashurinë e tyre. Lulja ndihej sikur jetonte në rrena, kishte dashuri dhe premtime, por vazhdonte të jetonte vetëm. Asnjëherë më parë nuk ishte ndier aq e vetmuar, sa ato ditë. Mezi mbaroi orët e veta, e vetëdijshme se edhe atë verë do të kishte shumë përsëritës, të cilëve do të duhej t'ua përshpejtonte ritmin e punës. Në fillim të qershorit Shpresa kishte shkuar me burrin "jashtë shtetit". Kështu kishin vendosur ta quanin udhëtimin e tyre, gjatë të cilit do të mundoheshin që t'i rregullonin raportet e çrregulluara familjare, apo, përndryshe, të ndaheshin. Kur Lulja e pyeti çka donte të ndodhte, Shpresa vetëm kishte dredhur kokën, me flokët kaçurrela: - Dua që ai të mbytet në ujë, në mënyrë që të mos kam zgjidhje tjetër, pos të mbetem vejushë. As pajtimi, e as shkurorëzimi nuk janë zgjidhje e duhur. Lulja pyetej se a ishte Shpresa temperamente në gjendje që ta ngufaste burrin e saj. Tanimë kishte mbërritur vapa e korrikut.

Atë të diele Luljeta kishte hequr të gjitha perdet dhe kishte filluar t'i pastronte dritaret. Këndonte me gjysmë zëri këngën e një autori të panjohur, e cila krejt rastësisht i kishte ardhur në kokë. Për disa çaste kishte dalë në tarracë, kureshtare për të parë se a kishin dalë fqinjët në shëtitje, apo ende ishte herët për një gjë të tillë. Por, poshtë pa një njeri të cilin menjëherë e njohu. U përkul mbi rrethojë që ta shikonte më mirë Ilirin, i cili ishte mbështetur në një veturë, lakuriq shokë e përpjetë, bisedonte në telefon. Mund të bënte be se ai ishte duke pritur ndonjë vajzë, por u ndie e ofenduar që ai në asnjë mënyrë nuk kishte tentuar të arrinte te ajo, përpos me ato lulet. Donte ta shihte të dashurën e tij, prandaj edhe vazhdoi të qëndronte në tarracë. (vijon)

(Kosova Sot Online)