Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (7)

  • 24 March 2020 - 15:10
Ngjarje e vërtetë: Si e lashë gruan për një femër më të re (7)

Doja që Myrvetja të më përkiste në tërësi, që të përkujdesesha për të dhe për fëmijët e saj. Doja që t'ia merrja me qira një banesë të denjë dhe t'i largoja fëmijët nga ajo banesë e ngushtë, njëdhomëshe. Ajo meriton më shumë. Në kokën time ekzistonte vetëm ajo dhe mu ajo kishte bërë që të zhdukeshin pa gjurmë tridhjetë vjet të martesës sonë. - Ema, dua të bisedoj me ty - iu drejtova atë ditë gruas sime pas një lufte të gjatë me vetveten dhe pasi që kisha marrë vendimin përfundimtar. Ajo nuk mu përgjigj, por vazhdoi me renditjen e enëve të palara në enëlarëse.

- Kam menduar gjatë dhe mendoj se, për ne të dy, ndoshta do të ishte më së miri sikur të ndaheshim për një kohë. Ma hodhi një shikim pyetës. - A nuk mendon se edhe ashtu, ka kohë që jemi të ndarë? - Po, pajtohem se jemi. Mu për këtë shkak, për një kohë të caktuar do të vendosem në një banesë me qira dhe, pasi që të kalojë një kohë, do të vendosim se çka të bëjmë më tej. Ti dhe fëmijët qëndroni në shtëpi. - Faleminderit shumë, sa zemërgjerë që je - më tha ajo me sarkazëm. - Por, a do të jesh vetëm në atë banesë? - më pyeti papritmas. Mu morën mendtë. Çka nëse ajo kishte marrë vesh se tanimë e kisha marrë banesën me qira, e Myrvetja me fëmijët kishte 15 ditë që jetonte në të. Natyrisht, nuk i thash se punëtores sime ia kam gjetur një banesë më të madhe, të cilën edhe ia kisha paguar. Nuk e di as vetë se çka mendoja në ato raste dhe si kisha ndërmend të arsyetohesha, sikur ajo ta merrte vesh. Por, ajo nuk mund ta merrte vesh këtë. banesa gjendej në pjesën tjetër të qytetit. - Natyrisht, vetëm do të jem - i thashë me një zë aq të qetë, sa që edhe vetë u befasova. Do të shkoj qysh këtë fundjavë, më duhet të mendoj për të gjitha - i thash edhe një herë. Shumë shpejt u ktheva në anën tjetër, duke parë vetëm shkarazi pamjen e pikëlluar të Emës. Bëja jetë të dyfishtë. Kisha një grua "me letra" dhe një dashnore në banesë. Vendimin për të kërkuar shkurorëzim e kisha ngrirë për momentin. Isha i lumtur, i plotësuar, i dashuruar. Ema sikur u zhduk bashkë me shtëpinë tonë, me gjithçka. Për një kohë të caktuar nuk më mungonte asgjë. Çdo ditë në përqafimin e ngrohtë të Myrvetes për mua ishte festë. Vetëm në mbrëmje, pasi kaloi një kohë, kur ajo dhe fëmijët e saj flinin, në kujtime më vinin gruaja dhe fëmijët, duke më kërcyer në kokë dhe duke më goditur në tru, sikur ndonjë çekiç. Ishte kjo ndërgjegjja e cila kishte filluar të më brente gjithnjë e më shumë. Ndoshta doja që ndokush të më "zgjonte". Zilja në derë nuk pushonte së rëni.

Disa herë pa ndërprerë, e më pas disa herë me turra. Kush ishte duke luajtur kështu? E hapa derën. Aty ishte Ema. Mbeta si i goditur nga rrufeja. - Në djall gjithçka, Denis. Ajo shtëpi pa ty është tepër e zbrazët. Dua që të kthehesh në shtëpi. Mjaft më me inat dhe me krenari të marrë. Në zemrën time më nuk ka vend për gjëra të tilla. Na mungon të gjithëve. Ia preva udhën, që të mos hynte brenda, pasi që ajo tentoi ta bënte një gjë të tillë. - Si? Qysh më gjete? - belbëzova unë. - E di tash e një kohë të gjatë që je duke jetuar këtu. Të ka parë një shoqe imja derisa ktheheshe nga puna, por e kemi respektuar vendimin tënd që të jesh vetëm. Çka ke? Pse u shqetësove? A mendove çka të bësh, përfundimisht? - filloi të më pyeste tani, e shqetësuar dukshëm. Mendimet filluan të më endeshin andej e këndej në kokë, duke kërkuar një zgjidhje, nga një situatë e cila, ishte evidente, ishte pa zgjidhje. Ishte e diele. Myrvetja ende ishte në gjumë, e fëmijët e saj gjendeshin në kuzhinë, duke ngrënë flluska misri me qumësht, të cilat ua kisha përgatitur unë. Fillova të djersitesha. (vijon)

(Kosova Sot Online)