Ngjarje e vërtetë: E dinte se e mashtronte burri, por vazhdonte me rrena (1)

  • 26 March 2020 - 15:12
Ngjarje e vërtetë: E dinte se e mashtronte burri, por vazhdonte me rrena (1)

Kjo zyrë, të cilën e ndaj me tri kolege, sikur nga dita në ditë është duke u bërë gjithnjë e më e vogël, e rastet me regjistratorë, gjithnjë e më të mëdhenj. Ma zen frymën ajri me dezodorantë të llojllojshëm, por sidomos fytyrat e mrrolura dhe shikimet qëllimkëqija të kolegeve, të shoqeve të deridjeshme. Situata është e tillë, sa që seriozisht jam duke menduar që ta lëshoj punën dhe t'ia nis biznesit tim, privat. Megjithatë, nuk mund ta bëj këtë, meqë kam përgjegjësi ndaj familjes, e fati i biznesit të ri privat do të ishte i pasigurt. Këtë situatë të padurueshme do të mundohem ta zgjidhi në një mënyrë tjetër. Ka disa vjet që në këtë zyrë punojmë ne të katërtat, bashkëpunojmë, zhvillojmë raportet kolegjiale, bëhemi shoqe të mira. Që të katërtat ne jemi të martuara dhe kemi fëmijë, gjë që paraqet një temë të pashtershme të bisedave miqësore. Gjatë tri viteve të fundit, sipërmarrja dy herë ka pushuar nga puna tepricën e punëtorëve, kështu që ne që kemi mbetur, kemi më shumë obligime, e gjithnjë e më pak kohë për t'u shoqëruar. Kështu, Diellza, Merita, Hava dhe unë kishim filluar që të shoqëroheshim gjatë fundjavës. Të paktën një herë në muaj, të dielën pasdite, takoheshim në qytet për të pirë kafe.

Burrat tanë dhe kolegët e tjerë nga puna, nuk e kishin të qartë sesi nuk na ishte mërzitur më kjo rutinë. E ne, gjithnjë kishim se për çka të bisedonim dhe kurrë nuk arrinim t'i kryenim temat e nisura. Mendimet tona për shumëçka janë shumë të ngjashme, shpesh edhe identike. Ia besonim njëratjetrës sekretet tona dhe nuk kishte nevojë të thoshim "nuk do të doja që këtë t'ia thuash dikujt tjetër". E ngushëllonim veten në lidhje me grindjet bashkëshortore, apo kur fëmijët na bënin probleme. Mendoja se nuk kishte sekrete midis nesh. Në atmosferën e tendosur, e cila mbretëronte së fundmi në kompani, u paraqit në derë kolegu Blerim nga zyra komerciale: - Tung, vajza, si jeni sot? - na u drejtua me hare, si gjithmonë. Dallimi ishte te ne, kështu që asnjëra nga ne nuk reagoi. - Çka keni, more? A ka vdekur dikush, a? Nuk mund të besoj që te ju të mbretërojë një heshtje e këtillë. Sytë i mbani vetëm te kompjuteri... heeeej, a ju ka rënë sistemi, a? - E di ti mirë se çka kemi, respektivisht çka kam, pse shtiresh si i marrë? - ia ktheu Diellza. Ajo ishte e njohur për tonin e saj grindës, e bile edhe agresiv, por në fund gjithçka e kthente në shaka. Por, jo edhe kësaj here. - E, Selvie, ti gjithmonë ke qenë normale. Të lutem, më trego se çka ka ndodhur. A po falimentojmë, a? - m'u drejtua Blerimi i mjerë pas sulmit të Diellzës. - Jo, bre! Kemi disa probleme tjera. Hajt, shihemi më vonë. Na lër tani të qeta - iu përgjigja unë, duke mos kuptuar as vetë sesi ia dola ta ruaja qetësinë. Kësaj here ndërhyrjen e Diellzës e kisha përjetuar seriozisht. Më parë, ndërhyrjet e saj të ashpra, të cilat i zemëronin kolegët e sipërmarrjes, ne femrat e zyrës i konsideronim qëllimmira. Sikur ajo ja, është vetëm e sinqertë dhe ka guxim që ta thotë atë që e mendon, e ne... kush na ka faj pse gjithmonë duam të jemi të sjellshme?! - Burri im është aq i pakujdesshëm, sa që nuk e di çka do të bëj me të! Sa e sa herë e kam lutur që, kur të ngrihet në këmbë, ta ofrojë karrigen te tavolina, por ëë!, thash një mëngjes, derisa pinim kafen. - E ai i imi shkakton vërshime në banjë, e çdo ditë bën dush. Athua pse nuk e mban më mirë atë dush të shkretë? - shtoi Merita. - Sikur burri im të bënte dush çdo ditë, por i vjen era përç! - tha Hava - E fëmijët çka kishin bërë dje, seee! - E, shoqet e mia, kush u ka faj? Që nga dita e parë duhet dresuar, sikur qenin, a macen e shtëpisë. Sikur Liridoni im do të ishte më i mirë sikur të mos e kisha futur në "fallak" që ditën e parë - tha Diellza, burri i së cilës me të vërtetë ishte shumë i rregullt dhe i disiplinuar. - Çka po thua, moj?

E, çka është ai "fallaku"? - e ndërpreu Merita kureshtare. - "Fallaku"?! Turqit dikur i lidhnin njerëzit me kokë teposhtë, dhe ua rrihnin këmbët. Që t'iu shkonin mendtë në krye! Nëse burri nuk të dëgjon, duhet t'ia bësh me dije se nuk do t'i bësh të hajë, nuk do t'ia hekurosësh këmishët, nuk do ta fshish shtëpinë, e për seks as që do të flitet! Kur ajo i thoshte këto gjëra, ato dukeshin aq të thjeshta. Thoshim me vete, si nuk na kishte ra ndërmend një taktikë e tillë? - Kur unë tentoj ta bëjë një gjë të tillë me burrin tim, ai nuk më flet me ditë të tëra, e unë nuk mund ta duroj një situatë të tillë. Nuk dua të jetoj në një atmosferë të rëndë - Merita sërish insistonte që të mësonte diçka, kurse Hava dhe unë, që ishim më moti të martuara, prisnim fundin e kësaj bisede. (vijon)

(Kosova Sot Online)