Ngjarje e vërtetë: E dinte se e mashtronte burri, por vazhdonte me rrena (2)

  • 27 March 2020 - 15:15
Ngjarje e vërtetë: E dinte se e mashtronte burri, por vazhdonte me rrena (2)

- Te Jehona ka diçka që te ju nuk ka. Kurrë nuk mund t’ia qëlloni se për çka e kam fjalën. Më duhet t’i mbyll sytë dhe ta paramendoj një dëshirë. Kurrë nuk kam qenë në atë qytet. - Shko bre ku të duash, pse po arsyetohesh? – me zërin e saj të çjerrë, Diellza ia doli që të na e prishte të gjithave disponimin. - Uh, m’i marrësh të ligat! Pse do të të arsyetohesha ty? Çka të gjeti, pashë Zotin... - Nejse, kërkoj falje! Më ka kapur uria! Ti ia nise të flisje për atë vend të mrekullueshëm, kështu që... Edhe një herë kërkoj falje – tha ajo duke na shikuar me një shikim të pafajshëm, kështu që ia falëm dhe harruam çka tha. I bashkova dy ditë të pushimit të vjetër vjetor me fundjavën dhe shkova aty ku kisha vendosur. Ishte për mrekulli.

E gëzova Jehonën dhe vetveten, e shpresoj edhe burrin tim. Për shkak të ndjenjës se i ishim mërzitur njëritjetrit, prisja përmirësim në martesë, pas kthimit, sesi do të na merrte malli për njëri-tjetrin. - Shiko, Jehona, ky njeriu nja dhjetë metra para nesh është krejt si Liridoni, burri i shoqes sime, Diellzës, e do të mund të thuhej edhe miku im – u befasova ditën e fundit duke shëtitur, një ditë para se të kthehesha në shtëpi. - Përshëndete, pra – tha Jehona, duke e përshpejtuar hapin. - Lëre, lëre! Nuk do të vrapojmë pas tij. Edhe nëse është ai, me të mund të rri edhe në shtëpi. Lëre, lëre! Burri me të vërtetë u gëzua kur u ktheva në shtëpi. Ashtu si edhe kisha parashikuar. Ma pranoi se, dy ditët e para pa mua kishte kaluar për mrekulli, e më pas kishte filluar ta ndiente mungesën time. Përnjëherë kuptova pse Liridoni ishte një bashkëshort aq i mirë. Ai shpesh udhëton zyrtarisht për një a dy ditë, ndonjëherë edhe gjatë tërë javës, prandaj është normale që gruaja i mungon dhe, më pas, ia plotëson dëshirat. I gëzohesha shkuarjes në punë. Do të bisedoja me shoqet rreth asaj që kisha parë. *** Biseduam gjerë e gjatë, e ato më dëgjonin disi të përmbajtura, pa asnjë fije entuziazmi. Në fund iu drejtova Diellzës: - Eh, të të pyes diçka. Ku ishte burri yt dje? Fytyra për një çast i mori një ngjyrë të kuqe, kërceu nga karrigia, duke filluar të bërtiste: - Ishte aty ku ishe edhe ti! Edhe sot është atje! Shko e vërtetoju! Mundesh edhe ta fotografosh me atë xhadinë! – tha duke dalë nga zyra dhe duke e rrapëlluar derën. Merita filloi të qante, mua më dridheshin gjunjët nga shoku, kurse Hava më tregoi çka kishte ndodhur dje.

Pasi që kishte biseduar me telefon me vëllain e saj që jetonte në atë qytetin ku isha unë (nuk dua t’ia përmend emrin, sepse nuk është me rëndësi), kishte ardhur Blerimi nga zyra komerciale dhe e kishte pyetur Diellzën a ishte Liridoni i saj atje. Ajo kishte reaguar sikur tani, me të vetmin dallim që e kishte nxjerrë atë jashtë zyrës. E thirra Blerimin për kafe gjatë pauzës, jashtë vendit të punës. - Më trego, të lutem, pse të urren aq shumë Diellza? Veç mos më thuaj se nuk e di! - E, kë nuk e urren ajo? – tha ai, duke u munduar që të nxirrej. - Mos ma pështjell. Ti e di se ne jemi shoqe të mira dhe se unë duhet t’i ndihmoj. A e sheh sesi është bërë. Ajo i bërtet çdokujt, por kjo gjë është normale, por kur të sheh ty, humb e tëra. Ndoshta ti e di ndonjë sekret të saj, me të cilin e shantazhon? Nga ajo që më tha sot ajo, mund të konstatohet se Liridoni e ka një dashnore diku tjetër. A di ti diçka rreth kësaj? - Di. E di qëmoti. Kurrë nuk i kam thënë asgjë rreth kësaj. Sot vetë shpërtheu, pa arsye. Unë vetëm e ngucja me fjalë, kur kaloja kah zyra juaj. Herë-herë i thosha “uh, sa keq që bie shi. Me gjasë atje, në atë qytetin e bukur është mot i mirë”. Herëve të tjera këndoja në vete ndonjë këngë për atë qytet. - Nuk mund të besoj! Si mund ta bëje një gjë të tillë?! Po ti e paske keqtrajtuar me paramendim, more! - E ajo? Si mund të sillet aq keq me mua? Vazhdimisht më shet mend, kinse më jep këshilla! - Ju jeni si fëmijët, bre! Duhet të bisedoni haptazi. Tregoji se e di, por se nuk do t’i tregosh askujt, nëse ajo do të fillojë të sillet mirë. E ne, as që kemi biseduar ndonjëherë, kupton? - Mirë, mirë – tha Blerimi duke ma zgjatur dorën. (vijon) 


(Kosova Sot Online)