Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (26)

  • 29 March 2020 - 14:44
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (26)

Kur Iliri shkoi për ta marrë, sikur e dinte se çka e mundonte, aq mirë ishte veshur për atë rast. - Është shumë absurde të veshësh minifund, të cilin unë përndryshe e adhuroj kur e shoh te e dashura. Por, kur shkohet për të ngrënë, nëse ke veshur minifund, atëherë të shikojnë të gjithë dhe nuk mundesh të relaksohesh. Ajo buzëqeshi, por vetë me vete kuptoi atë që donte t'ia thoshte Iliri. I duhej t'i blinte disa minifunde. Të paktën nga ata që arrijnë deri në gjunjë. Ata dolën në qytet, ku të ulur para një lokali të ushqimit të shpejtë, prisnin atë që kishin porositur. Iliri me qëllim mbushi porcionin e vet me lloj-lloj shtesash, për t'ia bërë me dije se për çka e kishte fjalën. Në fillim mezi arriti t'i kapërdinte kafshatat e para, meqë kishte kujdes si e kafshonte bukën, që të mos i dilte keçapi anash. Por, shumë shpejt kuptoi se kjo gjë ishte e kotë, prandaj u përkul përpara dhe e kafshoi bukën ashtu si duhet. Ai ia dha një buzëqeshje të ëmbël, e edhe ajo shumë shpejt u mësua me ndjenjën se ishte duke ngrënë bukë në rrugë, se nuk mërzitej aspak që kalimtarët, derisa ecnin, ua hidhnin nga një shikim kureshtar.

Ndihej më e re, më e lumtur, e nata e nxehtë verore, e zbukuruar me zhurmat e herëpashershme të automobilave bënte që Lulja ta harronte atë dallimin në moshë dhe që Ilirin ta shikonte si të dashurin, me të cilin kishte dalë në takim të parë. Pasi që hëngrën edhe kafshatën e fundit, ai propozoi që të shkonin diku tjetër, për të pirë diçka. - Është një kafene e mrekullueshme pak më larg, në qendër. Aty bëhet një atmosferë e trentë dhe jam i sigurt se do të të pëlqejë. As që i shkonte ndërmend të refuzonte. Tek ajo ishte ngjallur njëfarë shpirti i vajzës nga provinca dhe ishte e gatshme edhe për aventurat më të mëdha me këtë mashkull jashtëzakonisht interesant. Por, pasi që hynë në kafenenë me ajër të rëndë, me plot njerëz, me gota dhe tym gjithandej, dëshira e Luljetës për aventura sikur u shua përnjëherë.

Arritën disi deri te tavolina të cilën e kishte rezervuar Iliri, e ai në çdo hap ndalej për t'u përshëndetur me të pranishmit. Meqë ajo shkonte pas tij, atëherë edhe asaj i duhej që të ndalej derisa ai përshëndetej me miqtë e tij dhe bënte ca shaka që i kuptonin vetëm ata. Tani përsëri ndihej e humbur. Sikur të kishte rënë nga Marsi, drejt e në këtë kafene. (vijon) 


(Kosova Sot Online)