Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (27)

  • 30 March 2020 - 15:08
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (27)

Ajo që është më së keqi, dukej se të gjithë ata që e njihnin Ilirin, me përqeshje shikonin përcjellësen e tij të re dhe, përkundër asaj se nuk thanë as edhe një fjalë të vetme, fytyrat e tyre dhe disa grimasa shprehnin habi. Tani më nuk ndihej aq e re, meqë e dinte se qëndrimi i saj vinte në pah tërë vitet që i kishte. Pasi që arritën deri te tavolina e tyre dhe pasi që u ul në karrigen e ngushtë, jo të rehatshme, Luljeta u ndie e pikëlluar. Muzika ia shurdhonte veshët. Ishte e atij lloji i cili nuk i pëlqente fare, me përsërite të fjalëve dhe ritmit dhe me bas tepër të zëshëm. - Si të duket? Ishte evidente se Iliri kënaqej në atë ambient. Ishte i buzëqeshur dhe nuk mund të rrinte i qetë në karrige, kurse Lulja për shkak të tij, nuk mund ta thoshte të vërtetën - sesi ky vend ishte një dështim komplet sa i përket asaj. Për këtë shkak, mezi arriti që ta bënte një buzëqeshje të zorit dhe i tha: - Interesante është.

Kamerieri u afrua, prandaj Iliri porositi dy pije, duke mos e pyetur fare Luljetën mos donte diçka tjetër. - Më fal që porosita pa të pyetur, por unë jam udhëheqësi i kësaj mbrëmjeje, prandaj duhet të luash sipas muzikës sime. - Në rregull. Ai ktheu shikimin disa herë si papagall, dhe në mënyrë analitike shikonte andej-këndej. Ajo e ndiente atë shikim në vetvete edhe pse mundohej që të shikonte në një drejtim tjetër. - Më duket se ty këtu nuk të pëlqen aspak. Ajo u rrëqeth, pasi që u zu në rrenë. - Jo, me të vërtetë më pëlqen. Nuk është mu ashtu si më pëlqen mua t'i kaloj netët, dhe kurrë nuk do të shkoja në kafene me shoqet, por megjithatë, ky vend e paska një hijeshi të veten. - Unë megjithatë jam i bindur se ty nuk të pëlqen aspak ky vend dhe se tani je mazohiste, që duron e duron, që të mos më çosh në rr.s. Ajo pa se nuk kishte mundësi më që ta fshihte mendimin e vet. Iliri e lexonte si libër. - Ke të drejtë. Këtu është një katastrofë e vërtetë. Plot tym, muzika është si në ëndrrat më të këqija, karrigia është bërë për vajza thatanike, e unë e kam përshtypjen se të gjithë të pranishmit e kanë të qartë se unë nuk e kam vendin këtu. Iliri qeshi nga zemra.

- Kështu edhe ma merrte mendja! Por, vendosa të të sillja këtu, thjesht për të ta bërë me dije se ka edhe shije të tjera, njerëz dhe interesime të ndryshme. Mua kjo kafene më pëlqen në mëngjes, kur të zgjohem vij këtu dhe e pi një kafe duke e lexuar gazetën. Por, vetëm lajmet sportive. E di, tani është kampionati... - Po, po! Por, mesa pashë, ty të njohin të gjithë këtu. - Natyrisht. Unë jam njeri i shoqërueshëm, këtë mos e harro kurrë. Kamerieri përsëri i ndërpreu duke ua sjellë pijet. (vijon)

(Kosova Sot Online)