Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (30)

  • 02 April 2020 - 15:17
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (30)

Lulja mund ta merrte me mend një Milaim të gjatë, të bukur, të zhveshur shokë e përpjetë, sesi zgjeron duart, pështynë anash dhe bën budallallëqe. Kjo ishte qesharake, por i duhej që të përmbahej, që të mos e ofendonte Shpresën. - Ke vendosur që të shkurorëzohesh? - Ende jo. Megjithatë, kjo tani është vështirë. Ti e di se unë bëj një jetë të mirë, meqë ai ka para. E, po të ndahemi, ku do të mbesja unë? Të paktën, të kishim pasur para, e ai ta paguante alimentacionin. Kështu, mesa e njoh çfarë egoisti është, nuk do të më jepte as për bukë, sikur të ndaheshim. Më duhet ta mbush mend, me çdo kusht. Do të më kujtohet diçka. E te ti, a ka ndonjë gjë të re? Si po shkon dashuria në distancë? Lulja nuk ishte duke menduar rreth Valdrinit, prej asaj që kishte ndodhur një natë më parë. Thuajse kishte harruar se ai ekzistonte. Tani Shpresa e kthjelli, kështu që filloi ta pyeste veten se sa e sinqertë ishte që, atë që ndiente ndaj Ilirit, ta fshihte nga Valdrini. - Funksionon si gjithmonë. Flasim, shkruajmë. Sipas të gjitha gjasave, ai do të vijë në gusht. - Çdo muaj ai të thotë se do të vijë. E dashur, kësaj i thonë “Duke pritur Godonë”. - Kjo edhe ashtu nuk ka rëndësi. Diçka tjetër është duke ndodhur, Shpresa... I tregoi sesi e kishte kaluar natën paraprake, duke e ditur më parë se kjo nuk do të pritej mirë nga shoqja. Por, përkundër kësaj, ajo fliste me entuziazëm, sikur më të mos ishte duke e fshehur se ishte e dashuruar.

- E di se do të më thuash se kjo është gabim, por unë nuk mund të përmbahem më. Le të zgjasë sa të zgjasë. Ai më bën më të re, më të gëzuar, më bën ndryshe. Shpresa për një moment nuk tha asgjë. - Ke të drejtë. Kjo lidhje nuk ka perspektivë. Do të përfundojë ashtu si ka filluar. Por, kënaqu derisa mundesh. Çka të ha palla? E nëse ai Valdrini ndodh të vjen, atëherë mund të përcaktohesh për një variant më serioz. Lules nuk i pëlqyen fjalët e shoqes, meqë ato e bënë të dukej si një femër pa moral, e cila “kënaqet” me këdo dhe sa herë që mundet, por vendosi të mos i thoshte gjë. - A dëshiron të më ndihmosh për një gjë me rëndësi? Shpresa pohoi me kokë, duke pritur çka do t’i thoshte shoqja në vazhdim. - Dua ta bëj një shoping të madh. Dua ta përtërijë gardërobën nga koka e deri te këmbët. Sapo dëgjoi fjalën “shoping” Shpresa sikur u zgjua nga gjumi. - Natyrisht se po! Më trego, çka të intereson? - Nuk e di. Minifundet.

Diçka më moderne dhe rinore. Dhe, para se Luljeta ta përfundonte fjalinë, Shpresa kërceu në këmbë. - Po shkoj në shtëpi, që të rregullohem. Më shiko në çka ngjaj, sikur të më ketë përtypur lopa. E më pas do të vij të të marr dhe të dalim në shoping. - Prit mori, nuk është e thënë të shkojmë bash sot. Nuk është aq urgjente. - Jo, jo, urgjente është. Kam frikë se, më vonë, do ta ndërrosh mendjen. E unë, më pas, nuk do të mund t’ia falja vetes që kisha lënë të kalonte ai moment magjik , në të cilin ti kishte shprehur dëshirën për ndryshime. (VIJON) 

(Kosova Sot Online)