Ngjarje e vërtetë: Alkooli ishte ai që na e shkatërroi familjen (1)

  • 02 April 2020 - 15:20
Ngjarje e vërtetë: Alkooli ishte ai që na e shkatërroi familjen (1)

Nuk e di si u njoftuan, u dashuruan, u martuan dhe si iu lindi vëllai im, Besniku e, një vit e gjysmë më pas, edhe unë, por prej se di për veten time, prindërit e mi gjithmonë janë grindur. Dy ishin arsyet kryesore për grindjen e tyre: babai ishte alkoolist dhe xheloz deri në pafundësi. Për shkak të xhelozisë së tij, nëna, e cila më parë kishte punuar si kameriere, nuk guxonte të punësohej. Ata ishin martuar të ri. Sapo kishin mbushur nga 20 vjet. Edhe pse nuk mund të thuhet se ishte si manekinet nëpër revista, nëna ime ishte femër e bukur, me flokë të gjata, të verdha dhe me sy të kaltër. - Nuk do të punosh më nëpër kafene, që të të vardiset çdo mashkull të cilit ia dërgon pijen – më kujtohen fjalët të cilat babai, i cili përndryshe punonte në një pompë të benzinës, ia kishte thënë nënës.

Derisa isha e vogël dhe nuk kuptoja gjë, më pëlqente që nëna ishte në shtëpi, e Besniku e unë me të. D.m.th, asokohe fëmijët nuk i dërgonin në çerdhe. Ishte një kohë tjetër ajo. Sot ka shumë gra që nuk punojnë dhe, prapëseprapë, i dërgojnë fëmijët në çerdhe. Kështu, unë dhe vëllai im Besniku e kalonim kohën duke lozur, varësisht nga moti, herë në shtëpi, e herë në një park, aty afër shtëpisë. Por, ishim goxha të vetmuar. Për këtë shkak ma merr mendja që edhe u bëmë kaq të afërt, meqë e kishim vetëm njëri-tjetrin. Krahas kësaj, nënën e adhuronim, meqë, sa herë që mundte, na e plotësonte çdo dëshirë. Më vonë, pasi që u rrita, kuptova se familja ime ishte e varfër. Babai, në fakt, thuajse gjysmën e rrogës e çonte në alkool. Përkundër kësaj, për shumicën e dëshirave tona, nëna ia arrinte të gjente zgjidhje. Para se të martohej, ajo kishte kryer një kurs të rrobaqepësisë, prandaj qepte rroba për gratë e qytetit, krahas një pagese minimale. Kur nëna filloi të merrej me rrobaqepësi, më kujtohet se u pata hidhëruar me të, meqë prej atij momenti, ajo nuk kishte edhe aq shumë kohë për ne. Por, nëna mundohej që tërë punët e rrobaqepësisë t’i kryente natën, derisa paradite merrej me ne, e pasdite klientët i vinin për të bërë prova. Por, më kot, meqë babai, sikur që thash më parë, pinte dhe shpenzonte gjithnjë e më shumë. Fati në fatkeqësi ishte se ne jetonim në një shtëpi jo aq të madhe, të cilën nëna e kishte trashëguar nga gjyshja. Në fakt, nëna ime herët kishte mbetur jetime, prandaj e kishte rritur gjyshja. Më kujtohet edhe kur nëna i thoshte babait ta meremetonte shtëpinë. - Nuk kam kohë për gjëra të tilla. E ti, e di mirë se do të doje që në shtëpi të kishim sa më shumë punëtorë, e të pështjellësh me ta, apo jo – i thoshte babai. Kjo nënkuptonte që nënës i duhej vetë ta gëlqeroste shtëpinë, bile edhe të bënte ndonjë meremetim, aq sa mundej.

Edhe në ato pak raste kur e kishim ftuar ndonjë mjeshtër, kjo kishte ndodhur vetëm derisa babai ishte në shtëpi. Derisa mjeshtrit punonin, babai rrinte ulur dhe bëhej kinse lexonte gazetën. E, në fakt, përcillte me bisht të syrit çdo lëvizje të mjeshtërve dhe nënës. Ai ishte edhe rrenacak. Dinte të shkonte në kafene dhe të thoshte se vetë i kishte bërë të gjitha. E kishte rregulluar shtëpinë, kishte gëlqerosur... Derisa ishim fëmijë, unë dhe Besniku kurrë nuk e kishim parë detin me sy. Pushimet verore i kalonim te familja e babait në fshat. Gjyshja dhe gjyshi na donin tepër, e ata e donin edhe nënën tonë, për të cilën thoshin se ishte duke u përkujdesur mirë për ne. Dhe, ata gjithmonë e qortonin babanë, pasi që ai e kalonte natën në kafene dhe kthehej në shtëpi në orët e hershme të mëngjesit, i dehur tapë. - Sa fëmijë të mirë që ke, e ti, rrugaçi njëherë, tërë rrogën e çon në raki, në vend që të kursesh e t’i çosh diku për pushime. Nuk na vjen aspak keq që i sjell fëmijët këtu, por ata fëmijë janë, kanë dëshirë ta shohin një herë bile, detin me sy – e kritikonte gjyshi babanë. Meqë gjyshi ishte i vetmi person të cilit babai ia kishte frikën dhe e respektonte, pas kritikave të tij, babai i ndihmonte në punët e arave dhe çdo gjë dukej në rregull. Por, kjo nuk zgjaste shumë. (vijon)


(Kosova Sot Online)