Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (31)

  • 03 April 2020 - 15:06
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (31)

KAPITULLI I PESËMBËDHJETË

Po të njëjtën natë, Iliri mezi e kishte njohur femrën e re, e cila ishte futur në makinën e tij. -Uau! Çfarë magjie është kjo? Prej nga ti në fustan? Lulja e dinte se një pyetje e tillë do të pasonte, prandaj edhe kishte ushtruar se si do të përgjigjej në një pyetje të tillë. -I kam dhe unë momentet e shkëlqimit. -Ta dish se është dëm pse më parë nuk ke veshur fustan. Ke këmbë të mrekullueshme. Buzëqeshi, e lumtur, pasi që Shpresa e kishte bindur të blinte gjithçka që kishte nevojë. Atë natë kishin shkuar për një darkë të lehë në një restorant peshku. Të nesërmen kishin shkuar në kinema, ndërsa që ditën tjetër kishin kaluar pranë një lumi. Ditët po kalonin thuajse nuk kishin datë, ndërsa që Lulja nga dita që niste ishte gjithnjë e më e dashuruar. Po mungonte vetëm fakti pse Iliri nuk po e përcillte më deri te banesa, dhe pse ai nuk po shfaq dëshirën të jenë më shumë sesa vetëm shokë. Pyeste veten, nëse ajo është fajtore apo ishte pajtuar me faktin se të qenët vetëm shokë është më e mira për ta. E, ajo po digjej nga dëshira për puthjen e parë.

Ajo do ta priste atë çdo mbrëmje, e më pas do të shtrihej në shtrat, duke shtruar pyetjen, pse nuk është? Diku aty nga gjysma e muajit gusht, Iliri kishte treguar se të nesërmen do të shkojë në det. Ishin ulur në parkun në qendër të qytetit dhe po hanin akullore dhe sikur një zë nga qielli, ai po shpaloste planin e tij, derisa Lulja nuk e kishte idenë. Kishte kafshuar buzën, duke ndaluar kalimin e trillimeve të këqija, që po i silleshin nëpër mend. -Prej nga ashtu papritur? -Tek unë kështu janë punët. Unë nuk bëj plane paraprakisht. Gjithmonë punoj ashtu, sipas rastit. Dje më kanë ftuar disa miq që janë në det, se atje është mirë dhe po kënaqen.

Kështu dje isha deri te mjeshtri për një ndryshim dhe kontroll në veturë, ndërsa që nesër, herët në agim do të nisem për rrugë. Lules iu duk se ajo po fliste me veten e saj. -E, po mirë atëherë. Të dëshiroj kënaqësi dhe argëtim. -Faleminderit. E ti? Këtë vit nuk ke planifikuar asgjë? Nëpër kokë po kalonin thirrjet e Valdrinit, të cilave nuk po u përgjigjej, e nuk po i përgjigjej as në porositë e dërguara, pasi që ai kishte thënë se brenda një jave do të vijë dhe do ta dërgojë në det. Tash iu duk se ishte budallallëk. Ajo nuk po dëshironte të shkonte me një mashkull tjetër, sepse dëshironte të ishte me Ilirin, përderisa ai kaq lehtë kishte marrë vendim dhe ia kishte kumtuar lajmin se të nesërmen po nisej për në det. /vijon/


(Kosova Sot Online)