Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (32)

  • 04 April 2020 - 16:36
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (32)

Nuk e di. I kam disa plane, por më duhet të pres që të kalojnë afatet e gushtit për provime, për shkak të fëmijëve, të cilët i mësoj. Për mua, më së miri është fillimi i shtatorit. Iliri vazhdoi të hante akullore, derisa Luljeta e la të vetin anash. Ishte e zbraztë dhe e dëshpëruar. Iu kujtuan fjalët e Shpresës, sesi çdo gjë do të kalonte shpejt, ashtu sikur që kishte filluar. - Sa do të rrish? - Nuk e di, sa të më rrihet. Ti e di se unë nuk kam obligime, mund të rri atje dy ditë, apo një muaj. Nuk besoj se do të vij para 1 shtatorit. Tani Luljeta ishte e bindur se, nga inati, sapo të arrinte në shtëpi, do ta thërriste Valdrinin. Shpresonte që, të paktën para ndërtesës, do ta puthte dhe, me këtë, do ta linte një shpresë për të ardhmen, nëse donte ta kishte një të tillë me të. Por, përsëri mori një puthje në faqe, të tillë sikur që merrte çdo herë, sa herë që ndaheshin, midis faqeve dhe buzëve. Kjo nuk ishte një puthje e "rrëshqitur", por ishte mënyra e Ilirit për t'i puthur shoqet.

- Do të jemi në kontakt, apo jo?! Hajt, me shëndet! Sapo hyni në banesë, e thirri Valdrinin. Mezi arriti ta qetësonte, meqë ai ishte zemëruar tej mase, për shkak se nuk e kishte thirrur gjatë tërë kësaj kohe. - Më beso! Doja t'i thirrja prindërit e tu, që të sigurohesha se je mirë. - Më fal, kam qenë disa ditë te shoqja, ajo ka probleme me burrin, kështu që mu desh që 24 orë në ditë t'i ofroja mbështetje. - Nëse është kështu, atëherë në rregull. Bile, në një moment mendova se mos ishe duke më evituar. Ajo mendoi sesi Valdrini ishte një mashkull tejet me vetëbesim. - Unë do të vij më 23, do të jem aty rreth pasdites. Mendoj të pushoj paksa, e në mbrëmje të shkojmë në det. - Në det? - Po, po. Verë është. Do të ishte turp sikur të mos shkonim në bregdet. Nga mendimi se do të mund të gjendeshin në një plazh me Ilirin, e kapën rrëqethjet. Çka sikur të gjenden në të njëjtin qytet?! - Miqtë e mi kanë një shtëpi në bregdet. Më kanë ftuar që të shkoj. Çka mendon ti? Luljeta nuk mendonte asgjë, meqë ishte e bindur se ishte duke u xhiruar nga kamera e fshehtë. Aq shumë rastësi filluan t'i dukeshin të tepërta. - Valdrin, në bregdet do të jemi me tepër njerëz, kurrë nuk do të kemi qetësi. Më shumë dua që të shkojmë diku në bjeshkë, diku ku është më qetë, ku do të jemi vetëm, që sërish të njoftohemi dhe të kënaqemi. Në anën tjetër pasoi një heshtje e tendosur, por e shkurtër. - Po, kur të mendoj më mirë, ke të drejtë. Ne nuk shkojmë në pushime për t'u çmendur. Neve na duhet vetmia, e këtë nuk do ta kishim në bregdet. Nuk jemi unë dhe ti duke e ndërtuar lidhjen, që të kemi nevojë për marrëzira të ndryshme. Ne jemi në prag të marrjes së vendimeve të mëdha, për diçka të përhershme. E, për një vendim të tillë, duhet ambienti i gjelbër, i freskët, qetësia... E dashur, gjeniale je. A mund të na e rezervosh ndonjë hotel në bjeshkë? (vijon)

(Kosova Sot Online)