Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (33)

  • 05 prill 2020 - 13:54
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (33)

 Atëherë na i rezervo biletat, të themi... për të 24-tin! - E, për sa ditë? - Unë mund të rri 15 ditë, por mendova të rrimë në bjeshkë 10 ditë, e më pas, për pesë ditë të rrimë te ti, në banesën tënde. Kështu do të mund t’i kompletonim dokumentet që të duhen ty për të ardhur te unë, në Gjermani. Ajo u rrëqeth nga këto plane të mëdha, pjesë e të cilave ishte edhe vetë. Por, kur mendonte për Ilirin dhe për mosshqetësimin e tij i cili e ofendonte, atëherë inatosej dhe mund të premtonte gjëra të cilat përndryshe nuk do t’i premtonte kurrë. Megjithatë, e vetëdijshme që këtu nuk do të duhej të rrinte me Valdrinin, se këtë mund ta merrte vesh Iliri, nëse do të vinte papritmas, e përdori tërë sharmin e saj që ta bindte Valdrinin që pjesën tjetër të pushimit ta kalonin në vendlindjen e tyre, e jo në kryeqytet. Mori frymë lirshëm pasi që ai pranoi. Por, pasi që e mbylli telefonin, iu duk sikur kjo verë e kishte humbur tërë lezetin. Kapitulli i gjashtëmbëdhjetë Shkuarja e saj dhe e Valdrinit në vendlindje doli të ishte më e komplikuar sesa që kishin menduar. Së pari, ai e ndryshoi datën e nisjes për një ditë, e më pas iu prish vetura në mes të rrugës, prandaj iu desh që të prisnin gjashtë orë derisa mjeshtri nuk e rregulloi prishjen. Prej se kishte shkuar, Iliri i ishte lajmëruar vetëm një herë edhe atë me anë të një mesazhi me të cilin ia bënte me dije se ishte duke u kënaqur.

Ajo nuk iu përgjigj. Pasi që ajo dhe Valdrini u vendosën, çdo gjë disi mori kahje normale. Gjatë ditës shëtisnin, e në mbrëmje dilnin për darkë. Kur ktheheshin në shtrat, Luljeta mundohej ta jepte më të mirën nga vetvetja. Ajo kishte filluar t’i vërente vetitë e reja të Valdrinit, për të cilat nuk kishte ditur se ekzistonin. P.sh., ai ishte tepër i preokupuar me duart e veta. Çdo gjysmë ore i lyente me një krem të yndyrshëm. Po ashtu, ai vendoste tepër parfum edhe atë në pjesët e trupit ku askush nuk vinte parfum. Ishte tejet tekanjoz sa i përket ushqimit dhe numëronte kaloritë sikur të ishte manekine. Ishte i ngathët. Nuk kishte asnjë befasi me të cilën do ta habiste, por Lulja kuptoi se pas Ilirit të mrekullueshëm ishte duke pritur tepër shumë nga ky burrë i pjekur.

Që ditën e tretë të pushimeve ajo vendosi t’i përkushtohej kësaj lidhjeje, meqë ishte koha e fundit që të lidhej me dikë dhe t’ia fillonte jetës së përbashkët. Nuk e dinte a e donte Valdrinin, apo vetëm i pëlqente ndjenja se ishte e mbrojtur. Sido që të ishte, nuk i pëlqente t’i analizonte tepër mendimet e veta. E qetësonte veten me mendimin se, çdo lidhje tjetër me Ilirin, vetëm do t’i sillte dhembje dhe kaos. E, derisa ishte me Valdrinin, mund të relaksohej pa e lodhur kokën se çka do të ndodhte nesër. Për këtë shkak mundohej maksimalisht që të dashurit të vet, të cilin përfundimisht e kishte zgjedhur, t’ia ofronte tërë butësinë e një gruaje. (vijon)

(Kosova Sot Online)