Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (36)

  • 08 April 2020 - 15:28
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (36)

Ky nuk ishte edhe një reagim i pritur. Tanimë e shihte veten duke vrapuar dhe duke ndjekur një taksi, derisa ai i zemëruar do të largohej me veturën e vet. - Nuk do të kthehem në shtëpi derisa ta marr vesh se çka është duke ndodhur në jetën tënde, që nuk më lejon të jem afër teje. Kjo ishte më e qartë dhe më e kuptueshme. - Ilir, të thash se nuk do të të tregoj. Kuptoje këtë si të duash. - Jo, jo! Nuk mundet kështu! Je duke u sjellë si e marrë. Unë nuk e kam merituar një sjellje të tillë. Mezi prisja të të shihja kur u ktheva nga deti, e ti në fillim më evitoje, e tani më thua se nuk duhet të të thërras më. Me të vërtetë mendoj se është rendi të më tregosh cila është arsyeja e një sjelljeje të këtillë. - Ilir, mos... Papritmas buzët e tij u bashkuan me të sajat.

Ajo u mundua që të largohej, por duart e tij të forta e kishin kapur për koke dhe e detyruan ta pranonte puthjen. Kur e lëshoi, ajo ishte e hutuar dhe dridhej e tëra. - Pse... pse ma bëre këtë? - Ashtu, më erdhi... - Nuk mund të më puthësh hajt, ashtu... vetëm pse të teket. - As ti nuk mund të më braktisësh mua vetëm pse të është tekur ashtu. E dinte se duhej t’ia jepte një shpjegim. - Nuk shoh se ku na çon kjo... ky shoqërim i ynë. Është absurde. Ti je shumë më i ri se unë, e ke njëfarë jete tënde, shoqërinë tënde, mënyrën tënde se si ta kalosh kohën. Unë jam një grua e tërhequr, e cila përkujdeset që ta ketë shtëpinë e pastër dhe të ketë ushqim të shijshëm. Nuk jam aktive, as interesante, kam komplekse nga kohët e kaluara. Thjesht, është habi që unë dhe ti arrijmë të komunikojmë, bile, e lëre më diçka tjetër. - Lule, je duke thënë dokrra, sa që as ti nuk i kupton. Unë nuk mërzitem fare që ti je më e moshuar, nuk mërzitem fare që jemi të ndryshëm, e aq më pak që paske komplekse. Unë nuk të shoh kështu.

Ti për mua je një femër misterioze, që më josh për së tepërmi, por të cilën nuk kam guxuar ta prek, meqë kisha frikë se do të talleshe me mua, axhaminë. Nuk mendoja se do të ishe e gatshme të hyje në lidhje me dikë që sapo ka mbaruar shkollën e mesme, fiton para në mënyrë ilegale, nuk paguan tatim, si dhe tymos marihuanë ndonjëherë me shokët. - Unë ty nuk të shoh të tillë. Ti për mua je diçka e jashtëzakonshme në jetën time. Si një dritë tepër e fortë, të cilën nuk mund ta mbaj në duar. - Dëshiron të thuash se... kam shanse te ti? Ai ishte duke iu afruar, i gatshëm çdo moment që ta përsëriste puthjen. - Mos, Ilir! - Mos, çka?! Ai ishte duke iu afruar gjithnjë e më shumë. - Ti... dëshiron të më puthësh. - Jo, unë vetëm dua të të bëj ty që të më puthësh. Ajo e shikoi për një çast. Më pas mbylli sytë dhe iu dorëzua. (vijon)

(Kosova Sot Online)