Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (46)

  • 20 prill 2020 - 15:37
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (46)

Pas dhjetë ditësh të kaluara në Dyseldorf, kuptoi se kurrë nuk kishte qenë më e vetmuar sesa atëherë, bile as gjatë tërë këtyre viteve që i kishte kaluar e izoluar nga të gjitha ngjarjet e rëndësishme në kryeqytet. Valdrini punonte gjatë tërë ditës, e në mbrëmje ishte aq i lodhur, sa që e zinte gjumi para TV-së. I dinte tri gjuhë, por si për inat, asnjëra nga ato gjuhë nuk ishte gjermanisht, kështu që nuk kuptonte asgjë dhe nuk mund të bisedonte me askënd tjetër. Kishte kaluar një muaj dhe ajo ende nuk kishte gjetur punë. Ia kishte përmendur Valdrinit këtë çështje, por ai vetëm kishte buzëqeshur, sikur të mos ishte me rëndësi dhe kishte thënë:

- Pse po ngutesh? Jam unë këtu, kemi se me çka të jetojmë! E, asaj i dukej vetja si personi më i padobishëm në botë dhe se inteligjenca e saj disi ishte duke u shkrirë nga dita në ditë. Pas tre muajve hipi mbi peshore dhe pa se kishte shtuar tetë kilogramë. Me mërzi konstatoi se, për herë të parë në jetë, i ishte paraqitur celuliti. Fytyrën e kishte disi të pashprehje, e i dukej edhe se ishte zbehur, i ishin paraqitur disa njolla dhe se, gjithnjë e më tepër kishte filluar të dukej si gjermane. Valdrini vazhdonte që të vinte i lodhur nga puna, prandaj as që vërente se Lulja ishte duke u shkatërruar në çdo aspekt. Muajin e pestë konstatoi se kishte filluar të fliste vetë me vete. Iu duk se kishte filluar të çmendej. E, më pas thirri Shpresa. - Hej, shoqe, qysh je? A ke vendosur përfundimisht kur do t'i japësh fund beqarisë? Në atë moment diçka u thye brenda Lules. Filloi të dëneste me tërë fuqinë e saj, duke mos e lëshuar dëgjuesen nga dora, sikur ajo të ishte shpëtimi i saj i vetëm. Në anën tjetër të telefonit Shpresa mundohej ta qetësonte, por kjo i shkoi pas dore vetëm pas nja dhjetë minutash, pasi që Lulja humbi çdo fuqi që të qante. - O Zot, Lule, çka është duke ndodhur? A të maltreton? - Jo, more! Ai është i mirë dhe i kujdesshëm. - E, çka atëherë!? Më trego! Mos u mërzit! - Nuk e di. Dua të kthehem. Nuk mund të rri më këtu. - Pse? Çka të mungon? - Dashuria, Shpresa, dashuria! - Ti më the se ai sillet mirë me ty, si atëherë nuk ka dashuri? - E kam fjalën për dashurinë time. Më mungon dashuria ime, atë e kam lënë në shtëpi.

Atje e kam zemrën, e unë pa zemër nuk mund të jetoj. Këtu jam si bimë, një bimë e mallkuar, e cila nuk ka asnjë arsye për të ekzistuar. Tani i binin ndërmend fjalët e Ilirit, ato që ia tha për herë të fundit. Ai e kishte jetën e tij, ai mund t'ia jepte asaj një jetë të denjë. Pa të, sikur nuk jetonte fare. Shpresa e mori veten, e më pas me një zë autoritar, ashtu si di të flasë vetëm një shoqe e vërtetë, i tha: - Hip në avionin e parë dhe eja në shtëpi. Vetëm më trego kur do të arrish, do të të pres. Të thash të ishe e lumtur dhe, si duket, ti nuk je aspak e tillë. Kjo mjaftoi që Lulja ta kthente forcën dhe të vendoste që të kthehej në atdhe. (vijon) 

(Kosova Sot Online)