Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (47)

  • 21 April 2020 - 15:48
Roman dashurie: Kur dashurohesh në një mashkull më të ri (47)

Kapitulli i njëzetetretë Gjithçka ishte në vendin e vet. Infermierja e re, e cila po jetonte aty afër, me të vërtetë mirë po kujdesej për gjërat e Lules. Po sillej vërdallë, nga të gjitha anët, nga njëra hapësirë në tjetrën, po merrte frymë me mushkëritë plot, thuajse kishte nevojë për ajër, në mënyrë që të jetë e sigurt se do të kthehej. -Sa e lumtur që jam Shpresë, përsëri jam e gjallë. Kam menduar se do të vdisja në atë dreq Gjermanie. -Nuk do të vdisje ti, e shoh madje se ke shtuar në peshë. -Nuk kisha çfarë të bëja tjetër atje, por të ha ushqime dhe të bëj gjumë. Isha një kafshë e vërtetë, por isha një kafshë shtëpiake, vendore. -Si kishte reaguar ai fatziu yt? -Valdrini? Mendoj se për një kohë të gjatë ai e kishte nuhatur se unë nuk do të mundem të duroj, kështu që as nuk kishte bërë presion që të martohemi. Kur ia thashë lajmin se do të kthehem, për çudi ishte shumë i qetë. Me sa duket edhe atij i kishte shkuar për shtati një kthim imi në vendlindje, nuk isha shoqërimi i tij i duhur gjatë kohëve të fundit, vetëm po heshtja dhe po shikoja nëpër dritare.

U hodh në shtrat duke qeshur, por Shpresa e ruajti atë fytyrën serioze që kishte. -Çfarë ke? Pse je kaq serioze? -Po pyes veten se çfarë do të bësh tani. -Si po mendon? Do t’u kthehem nxënësve që i kisha, ndoshta do të jap më shumë mësim nëse e vërej se nuk po mund t’ia dal vetëm me nxënës. Ti e di se unë kurrë nuk kam probleme me punën. -Nuk e kisha mendjen aty. -Po ku? -Çfarë do të bësh me djaloshin tënd më të ri në moshë? Kjo ishte hera e parë që u përmend Iliri që nga koha kur ajo kishte shkuar në Gjermani. Dhe iu duk se krejt ajo që kishte ndodhur kishte ndodhur në një jetë krejt tjetër, para kohës sonë. Por, e dinte se këtu e ka më afër se kurdoherë. -Asgjë nuk do të bëj. Jam pajtuar me fatin tim. -A je e sigurt? -Plotësisht. Mos u brengos për mua, tash jam më e freskët sesa që isha atëherë. E kam parë se si vendimet e ngutshme të godasin në kokë. -Mirë, po i besoj fjalës tënde. Por, në momentin kur Shpresa shkoi, Lulja e kishte kuptuar se as vetë fjalës së saj nuk mund t’i zinte besë.

Kapitulli i njëzetekatërtë Në disa ditët e ardhshme ajo ishte kthyer në formë. Kishte filluar të shkonte në pishinë dhe në palestër, në mënyrë që ta kthente linjën e trupit, që e kishte më parë, ndërsa që nxënësit me kalimin e kohës iu kthyen profesoreshës së tyre. Jeta u kthye në të vjetrën, por me të edhe dashuria e Ilirit, të cilën e kishte varrosur kishte filluar të kthehej. Njëherë në shitore, ajo kishte takuar të dashurën e Ilirit, pas së cilës ai edhe kishte ardhur në qytet. Vajza ishte me një djalosh tullac për dorë dhe dukej të ishte e dashuruar. Më pas ajo kishte filluar të gatuante petulla, por nuk ishin të shijshme si dikur, pasi që Iliri nuk ishte aty për t’i testuar. /vijon/

(Kosova Sot Online)